RAI akuzon sekretarin e Ramës: – Avokat i trafikantëve të drogës, korruptoi konsulentin e kreut të Interpolit
22 Prill 2024
Nga Gazeta Dita
Emisioni investigativ Report në Rai Tre në Itali ka trajtuar marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët, ku ndër të tjera thotë se njeriu kyç i paktit është Ëngjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, por e quan atë ish avokat të trafikantëve të drogës.
“Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët mund të kushtojë rreth 1 miliardë euro, pa zgjidhur asnjë problem. Por mbi të gjitha, njeriu kyç në marrëveshjen e kërkuar nga qeveria Meloni është Engjëll Agaçi, “sekretar i kryeministrit Edi Rama dhe ish-avokat i eksponentëve kryesorë të mafies shqiptare në Itali, në qendër të një tentative të bujshme për të korruptuar kreun e Interpolit të Romës”.
Kjo akuze u hodh në Rai Tre Report, në një investigim nga gazetari Giorgio Mottola”, shkruan në një artikull gazeta italiane La Repubblica, duke iu referuar emisionit.
“Agaçi është një avokat i rëndësishëm shqiptar me zyrë edhe në Romë. Në të kaluarën, klientë të tij ishin edhe disa nga bosët kryesorë të mafies shqiptare, të gjykuar në Itali. Sipas asaj që raportuan magjistratët italianë, shumë bosë të mafias shqiptare, të dënuar me dënime nga 10 deri në 20 vjet në Itali, u ekstraduan shumë lehtë në Shqipëri, ku pasi mbërritën atje ata vuanin dënime shumë më të ulëta ose madje u liruan nga burgu”- thuhet në reportazhin e “Report”.
“Agaçi ka qenë edhe konsulent i shefit të Interpolit, Gjeneral Fabrizio Lisi, oficer ndërlidhës mes Tiranës dhe Romës, në luftën kundër trafikut të drogës. Lisi duhej të menaxhonte një operacion pronash të paluajtshme që kishte të bënte me pronësinë e disa tokave për fondacionin e tij dhe iu drejtua avokatit Agaçi i cili e vuri në kontakt me një prestanome të Artur Shehut, kreut të trafikantëve të drogës me kontakte me Cosa Nostra dhe Sacra Corona Unita. Lisi thotë se nuk e dinte kush ishte Shehu dhe se thjesht pati besim tek Agaçi – shkruan “La Repubblica”.
Pas lajmit ka reaguar vetë Agaçi, me një deklaratë për La repubblica duke paralajmëruar padi për shpifje ndaj emisionit.
“Kam lënë detyrën ligjore dhjetë vjet më parë dhe krahasimi i bërë nga programi televiziv Report është shumë i dëmshëm për reputacionin tim. Unë kam udhëzuar tashmë avokatët e mi italianë që të ngrenë një padi për shpifje kundër programit televiziv shtetëror italian. Burimet duhet të verifikohen dhe po ashtu edhe lajmet”, ka thënë Agaçi në reagim.