Rakip Shabani: Në sheshet tona më shpejt hapet qebaptore se sa mendohet për vepra arti. –
Rakip Shabani: Në sheshet tona më shpejt hapet qebaptore se sa mendohet për vepra arti. –
Artistët janë lënë në harresë dhe problemet janë në të gjitha fushat e artit. Piktori Rakip Shabani pohon se mungon stimuli për autorët në krijimtarinë e tyre në art. Në intervistën për “SOT” piktori Rakip Shabani shprehet se më shumë kanë vëmendje të hapin një qebaptore se sa të mendojnë në sheshe për një vepër arti. Për piktorin e njohur sot është e pafalshme, që artistët janë lënë të braktisur. Sipas tij edhe nëse shkon të takosh drejtorin e GKA për veprat e artit dhe krijimtarinë është shumë e vështirë. Piktori pohon se përgjegjësi për gjendjen e krijuar në art dhe kulturë ka Ministria e Kulturës, por dhe titullarët e institucioneve që nuk mbështesin krijuesit. Për piktorin Rakip Shabani Galeria Kombëtare e Arteve nuk ka për detyrë të hapi vetëm ekspozita, por sallën e saj ta përdorë për të ekspozuar punët, që mban më fond.
-Si gjithmonë në studion tuaj duke pikturuar, një tjetër ekspozitë është në projektet tuaja?
Një artist që të krijojë vepër arti duhet të gjejë vetveten e tij. Ne shikojmë, që të gjitha kostumet tona kombëtare kanë një formë jashtëzakonisht të bukur dhe kolorit po ashtu. Koloriti jonë lidhet me atë të natyrës sonë mesdhetare, ku më shumë ka dritë se sa hije. Edhe në pikturat e mia nuk ka hije, por ka dritë. Unë kam mendimin që të gjitha galeritë, bibliotekat dhe kultura njerëzore është një pjesë mikroskopike e natyrës. Natyra është ajo që është enciklopedi dhe mësuese e përhershme. Ndaj unë gjithmonë për të bërë këtë ekspozitë me tematikë etnografinë dhe arkeologjinë shqiptare m’u desh që të lëviz dhe ti shikoj dhe pikturoj vetë, se sa të mësoja nga arkeologët dhe librat. Unë në këto kohë jam duke punuar dhe për ekspozitën, që do të çelet pak më vonë dhe është një bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar. Unë dua që me këtë ekspozitë të tregoj vlertat që ka arkeologjia dhe etnografia jonë, por dhe të kemi vëmendje për ruajtjen dhe promovimin e tyre.
-Ekspozita “Tirana urbane grafike” u çel me punimet tuaja disa muaj më parë. Si autor ju pohuat se përmes veprave përcillnit mesazhin për ruajtjen e Tiranës. Çfarë patët në vëmendjen tuaj?
Punimet e asaj ekspozite janë realizuar në harkun kohor përgjatë një viti. Unë kam parë fotografi të vjetra në arkiva, apo familje. 33 punë për Tiranën e para viteve ’40. Në këto punime paraqiten vendet arkitektonike dhe turistike të qytetit të Tiranës, si Ura e Tabakëve, Ura e Brarit, pazari, etj. Ekspozita nuk ka të bëjë me fotografitë, por unë prej tyre kam parë tipet, karakteret, etnografinë, arkitekturën e asaj kohe dhe veprimtarinë urbane, kopshtet e Tiranës, etj. Pra e kam parë në karakterin njerëzor dhe artistik. Mesazhi që jap me punët, është që të ruajmë kulturën e vjetër atë traditën e Tiranës, për arsye sepse vetëm e vjetra ka karakter turistik për vizitorët. Edhe e vjetra është shumë e bukur dhe sikur ne të kishim ruajtur atë pjesë do të kishim më shumë turistë në Tiranë.
-Si piktor çfarë ju shqetëson sot në art?
Po ju tregoj një fakt ne kemi një rrugë, që quhet e Dëshmorëve të Kombit. Aty ke vetëm rrugë për biçikleta, por monumente të heronjve nuk ke. Po të shohësh gjithë ai shesh i madh ka lule, ka pemë, ka gjithçka por nuk ka vepër arti, ka vetëm Skënderbeun si vepër arti, që është vënë në kohën e socializmit, si dhe mozaikun te Muzeu Historik Kombëtar. Aty tek ai shesh mund të bëhet qebaptore, mund të bëhet restorant, por një vepër arti sheshi nuk ka. Kanë mbjellë pemë e vënë gura, por vepër arti nuk vendosin. Po ju them që ajo vepër arti e Skënderbeut në shesh e dini se sa kryetar bashkie ka ndërruar? Nga Bashkia e Tiranës si dhe Ministria e Kulturës sa i takon anës kulturore unë mendoj se kjo mungon. Në GKA në magazinë ka shumë vepra arti në skulpturë, që po kalben aty dhe duhet ti vendosin në shesh. Edhe unë vetë kam 24 vepra arti në pikturë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Unë bashkë me shokët e mi artistë e quajmë veten pronarë të GKA.
-Çfarë po ndodh me GKA sipas jush?
Unë e kam thënë që ne dhe artistët e tjerë kemi vepra arti në fund të GKA dhe jemi pronarë të saj. Në gjithë këto vite, po përmend rastin tim edhe pse kam marrë disa çmime kombëtare nuk është ekspozuar asnjë vepër e imja. Jo vetëm nga unë, por dhe të artistëve të tjerë. Pra më mirë sipas shtetit tonë të gjejnë një njeri nga Kosova dhe ta bëjnë drejtor të GKA dhe nuk gjejnë dot një artist ose një historian apo artdashës shqiptar, që të jetë në GKA. Unë vetë kam kërkuar ta takoj drejtorin e ri të Galerisë Kombëtare të Arteve, por nuk kam mundur. Madje më shpejt mendoj se takon kryeministrin e vendit sot se sa drejtorin e GKA, që është aty. Unë nuk e njoh drejtorin që është në GKA, por kam dashur ta takoj që të flas me të, ti them për veprat e artit, sepse unë dhe artistë të terë jemi pronarë të galerisë. E dini ju sa drejtorë galerie kemi parë ne që ikin dhe vijnë plot, por ama veprat tona janë te fondi i saj.
-Ka akuza dhe për mungesë aktiviteti në GKA nga artistët. Ju çfarë mendoni?
Mendoj se Galeria Kombëtare e Arteve nuk ka për detyrë të hapi ekspozita, por atë sallë të saj ajo ta përdorë për të ekspozuar punët, që mban më fondin e saj. Në botë nga eksperienca, që unë kam të gjitha bashkitë e kryeqyteteve kanë salla ekspozitash, por në Tiranë kjo mungon. Edhe pse ne kemi kërkuar sallë për Tiranën nuk bëhet. Ne flasim, por artistët nuk i dëgjon askush, arti dhe kultura mes problemeve dhe asgjë nuk bëhet. Më thoni çfarë i ka dhënë zonja ministre e Kulturës Mirela Kumbaro këtij kombi në art?
-Keni vërejtje për ministren e Kulturës, por nga institucioni publikohen aktivitete dhe projekte?
Di gjë njeri që i ka dhënë kombit tonë zonja Kumbaro në art? Çfarë vepre i ka dhënë? Për mua një qenie njerëzore, që nuk bën vepër arti nuk ka se si ta dojë artin. Unë pyes, ne a kemi ministre Kulture? Unë nuk di të ketë. Unë se kam parë ndonjëherë në ekspozita, por të vijë dhe të kulturohet, sepse unë nuk dua gjë prej saj. Unë hap dy ekspozita në vit dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës nuk kanë ardhur. Ky është vlerësimi që kanë sot për artistët. Ministrja e Kulturës mund të jetë si njeri e mrekullueshme, por për punën që bën në ministri ka shumë probleme me politikat dhe veprimet që merren. Artistët sot nuk stimulohen në krijimtarinë e tyre, në artin pamor nuk ka asgjë. Ministria e Kulturës ka për detyrë ti stimulojë artistët.
-Nuk i ka stimuluar aspak deri tani në krijimtari sipas jush?
Ministria e Kulturës jo vetëm që nuk i ka stimuluar artistët për krijimtarinë e tyre, por unë se kam parë njëherë as në ekspozitë. Sot kujt i bie ndërmend, që kanë studio piktorët? Askujt. Koha e diktaturës, na jepte studio ne artistëve, na jepte leje krijimtarie, hapet ekspozita, çmime dhe dhurata, por ne kjo Ministri Kulture çfarë na jep si artistë? Asgjë. Ndaj e kam quajtur dhe vijoj me të njëjtin mendim Ministria e antikulturës. Nuk po them të vijë me patjetër ministrja në ekspozita, por është keq që asnjë nga përfaqësues të ministrisë nuk vijnë.
-GKA ka vite që nuk po blen vepra arti. Si ndikon kjo?
GKA nuk blen vepra, nuk ka buxhete. Madje është Viti i Skënderbeut dhe nuk u bë një ekspozitë kombëtare ose ndërkombëtare, sepse Skënderbeu është figurë ndërkombëtare. Për mua duhet ti organizojë Ministria e Kulturës madje dhe në bashkëpunim me GKA. Jo vetëm këta, por dhe ata që janë në kryeministri dhe merren me artin dhe kulturën. Ne sot mburremi me GKA vetëm me veprat e realizmit. Me përjashtim të atyre veprave, që janë në GKA realiste nuk ka asnjë tjetër. Ku venë gjithë këto buxhete që nuk kanë mundësi për GKA? Veprat tona të artit po na i blejnë të huajt. Ne si artistë nuk jemi të përjetshëm. Mungojnë dhe botimet sot në GKA për autorët shqiptarë.
-Kjo ka qenë një kërkesë dhe e autorëve të tjerë. Sa është shqetësuese sipas jush?
Do të ishte gjë e mrekullueshme nëse do të bëheshin botime, por nuk ka. Nuk ka një katalog për GKA. Piktorët kanë katalog që mund ta ketë bërë një privat, por institucionet jo. GKA nuk ka një katalog për të gjithë artistët e njohur. Ka vetëm një që është bërë në kohën e realizmit.
Intervistoi: J. Vrapi.