1 Prill 2023

Në një deklaratë për mediat, shefi i organizimit të PD Klevis Balliu tha se SPAK duhet të zbardhë shkeljet që po bëhen në Bashkinë Kamëz, ku theksoi se ‘Rakip Suli ka autorizuar persona të tjerë për të bërë lidhjen e kontratave’.

Deklarata e plotë:

Bashkia Kamëz, e drejtuar nga Kryetari në ikje Rakip Suli, ka kryer abuzime të shkallës indrustriale me paratë publike, sidomos me fondet e rindërtimit. Një ndër rastet e shumta është procedura e prokurimit për “Rikonstruksion të shkollës 9 Vjecare “Azem Hajdari” Zall Mner, Bashkia Kamëz”. Hajdutët e fondeve publike në Bashkinë Kamëz, e kryejnë abuzimin dhe vjedhjen edhe për objekte, të cilat mbajnë emrin e pishtarit të demokracisë, Azem Hajdari. Referuar Buletinit të Njoftimeve Publike të 20 Dhjetorit 2022 të Agjencisë së Prokurimit Publik, bashkimi i operatorëve ekonomikë “Kupa & Udha” Shpk është shpallur fitues në këtë tender. Ndërkohë, referuar Buletinit të Njoftimeve Publike të datës 28 Dhjetor 2022, Bashkia Kamëz më 20 dhjetor 2022 ka nënshkruar kontratën për objektin e mësipërm, me shoqëritë e sipërcituara.

Pra, në datën 20 dhjetor 2022 kanë bërë publik Formularin e Njoftimit të Fituesit dhe po në atë datë të Buletinit pasardhës, sqarojnë që është lidhur edhe kontrata. SPAK-u dhe çdo instancë ligjzbatuese në vend bën sikur nuk e di se çfarë shkeljesh kryhen në Bashkinë Kamëz, ndërkohë që këto dokumente dhe informacione janë publike. Së dyti, fondi limit i kësaj procedure prokurimi është 269,364,773 lekë pa TVSH. Oferta e shoqërisë fituese sipas formularit të njoftimit të fituesit është 269,064,786 lekë pa TVSH. Pra, të nderuar taskapagues të Bashkisë Kamëz, zhvillimi i kësaj procedure rindërtimi ju ka kursyer 299,987 lekë. Pra, në një fond limit 2 miliard e 700 milion lekë, tenderuesit e Z. Rakip Suli ju kanë kursyer 3 milion lekë, pra rreth 0.11%. Kjo ka ndodhur sepse abuzimi me këtë fond rindërtimi nuk ka patur si qëllim mirëpërdorimin e fondeve publike, uljen e shpenzimeve proceduriale, nxitjen e konkurencës dhe rritjen e eficensës. Zhvillimi i kësaj procedure ka patur si qëllim abuzimin me fondet e rindërtimit, dhe përdorimin e parave të vjedhura për fushatë elektorale. Përsëri SPAK –u nuk di gjë për këto abuzime, pavarësisht se informacioni dhe dokumentacioni janë publik. Së treti, disa ofertues janë skualifikuar në këtë tender abuziv, me pretendimin se nuk plotësojnë kriteret për kualifikim për numrin e punonjësve.

Ndërkohë, edhe shoqëria fituese nuk e plotëson këtë kriter për kualifikim.

Sërish SPAK nuk e ka ditur që, vetëm një ditë përpara se Bashkia Kamëz të publikonte formularin e Njoftimit të Fituesit më 20 dhjetor 2022, në Buletinin nr. 173, datë 19 Dhjetor 2022, shoqëria “Kupa” është shpallur fituese nga Ujësjellës Kanalizme SHA Dibër.

Gjithashtu, po ti referoheni edhe buletineve të tjerë, kjo shoqëri ka patur disa kontrata në proces, përpara se të shpallej fitues në Bashkinë Kamëz. Pra, të gjithë personat e përfshirë në këtë vjedhje dhe abuzim me fondet publike, minimalisht të gjithë anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, si dhe titullari i Autoritetit Kontraktor që ka miratuar raportin përmbledhës dhe ka lidhur kontratën, për mbajtjen e dy standardeve në vlerësimin e ofertave, me pasojë shkeljen e ligjit, do të marrin së ndëshkimin e merituar. Së fundmi, duke qenë se Kryetari në ikje Rakip Suli, ka menduar se duke autorizuar persona të tjerë për të bërë miratimin e raportit përmbledhës dhe lidhjen e kontratave, do të shpëtojë vetë, i bëjme me dije se nuk e shmang dot ndjekjen penale.

I sugjerojmë personit të autorizuar prej tij, të bëhet bashkëpuntor me drejtësinë.

I bëjmë me dije Rakip Sulit se, bazuar në nenin 73 të VKM nr. 285, datë 19.05.2021 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, je direkt personi përgjegjës që mbikqyr të gjithë veprimtarinë e autoritetit kontraktor, për caktimin e personave përgjegjës. Pra, Z. Rakip Suli duhet ta mësojë që personi i autorizuar prej tij ka kompetencën vetëm për procesin e prokurimit, por nuk është personi që mbikqyr të gjithë veprimtarinë e autoritetit kontraktor.

Partia Demokratike me ardhjen në pushtet, garanton transparencë dhe ri-audit të menjëhershëm nga ekspertët më të mirë, të të gjitha fondeve publike të shpërdoruara nga Bashkia Kamëz.

Gazeta Panorama