Rama ankohet për shtetet e BE, Soreca reagon nga Kukësi dhe i tregon kushtet për negociatat
Rama ankohet për shtetet e BE, Soreca reagon nga Kukësi dhe i tregon kushtet për negociatat
19 TETOR 2020
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, ka deklaruar nga Kukësi se kushti për hapjen e Konferencës Ndërqeveritare të BE-së me Shqipërinë është plotësimi i Gjykatës Kushtetuese, pasi sipas tij reforma zgjedhore është e plotësuar si kush.
“Shqipëria shpresoj të bëjë segmentin e fundit me qëllim që komisioni të marrë vendimin për konferencën ndërqeveritare ndoshta në fund të këtij viti”- tha Soreca në Kukës para gazetarëve. Duke komentuar zhvillimet politike në Shqipëri, Soreca shprehu keqardhje për mungesën e konsensusit për reformën zgjedhore.
“Ne kemi vite që flasim me Shqipërinë dhe BE flet me Shqipërinë. Vendimi i marrë në Mars për negociatat u mor në një moment të vështirë. Shumë kushte janë përmbushur dhe Shqipëria është shumë afër plotësimit të të gjitha prej tyre. Kam mirëpritur vendimin e Presidentit dhe Parlamentit për nxjerrjen e dy vendeve vakant për Gjykatën Kushtetuese.
KLGJ duhet të bëjë vlerësimin dhe ky është një kusht që duhet të përmbushet në javët në vijim për fatin e konferencës së parë ndërqeveritare. Marrëveshja e 5 qershorit është një hap i rëndësishëm. Shqipëria shpresoj të bëjë segmentin e fundit me qëllim që komisioni të marrë vendimin për konferencën ndërqeveritare ndoshta në fund të këtij viti. Ju e dini qëndrimin e BE për reformën zgjedhore. Ne kemi punuar për marrëveshjen dhe u përmbush kushti për administratën zgjedhore.
Ne kemi shprehur keqardhjen që mazhoranca vijon punën pa konsesus dhe është e rëndësishme që të gjendet konsensusi mes palëve. Duhet të punojnë fort që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme”, është shprehur Soreca. Një ditë më parë kryeministri Edi Rama në një konferencë e zhvilluar në Mynih të Gjermanisë u shpreh se shumë shtete po pengojnë pranimin e Shqipërisë në BE, duke nxjerrë në pah se shkak janë problemet e tyre të brendshme politike, siç janë edhe zgjedhjet. Ai përmendi edhe një bisedë me Macron./
Gazeta Shqip