Rama-Basha drejt “qeverisë së integrimit”, PD lë në baltë LSI për zyrtarizimin e koalicionit, ja si po shkohet te skenari i 2017

NGA KLITI TOPALLI

18 JANAR 2020

Tryeza e dialogut për reformën zgjedhore pritet të prodhojë surpriza. Ashtu si takimi Rama-Basha i 17 majit, edhe këtë herë palët janë me një skenar të mirëmenduar. Nëse shihet me kujdes, drafti që prodhoi Këshilli Politik ishte hartuar që më parë, ndërsa dhe në mbledhjen e së enjtes opozita e kishte gati dokumentin me 7 pika, ndërsa ishin përcaktuar dhe ekspertët. Por sinjalet janë se një goditje të fortë në këtë mes pritet të marrë dhe LSI. Gazeta e ka theksuar  se negociatat janë zhvilluar mes PD e PS. Ndërsa LSI ka shkuar në tryezë nga halli. Kjo ka sjellë për pasojë dhe përplasje të fortë në opozitë. LSI është skeptike mbi lëvizjet e Bashës dhe i druhet një puçi tjetër. Arsyeja është e thjeshtë: Koalicionet. Sipas burimeve, në takimet që Basha pati me degët këtë javë, të gjithë janë rreshtuar kundër koalicionit me LSI. Në korridoret e politikës po flitet se do të kemi zgjedhje të parakohshme, por sipas burimeve Basha nuk është i sigurt për të zyrtarizuar koalicionin me LSI. Për këtë arsye flitet se palët do të shkojnë të ndara drejt zgjedhjeve dhe koalicionet të vendosen më pas. PD mendon se LSI do e dëmtojë nëse futen bashkë në zgjedhje, pasi sipas sistemit aktual, partia më e vogël përfiton më shumë vota nga partia e madhe. PS e di se nëse bashkëpunon me LSI do ketë kosto shumë të madhe politike, pasi do shkaktojë irritim te socialistët dhe zërat janë që LSI mund t’i drejtohet e vetme zgjedhjeve me shpresën se do të ketë sërish rolin e “xholit”, për të përcaktuar qeverinë. Momentalisht nuk ka asnjë koordinim mes PD e LSI në bazë dhe pakënaqësia e demokratëve ndaj LSI është në kulm. Po ashtu dhe LSI nuk ja ka besën PD, sidomos Ilir Meta.

Qeveria PD-PS

Ashtu siç ndodhi në 2017, edhe këtë herë kanë filluar të qarkullojnë zërat në politikë se PD dhe PS po shkojnë drejt bashkëqeverisjes. Është folur shpesh se mund të kemi një skenar si ai i Gjermanisë, ku për të mirën e vendit pozita dhe opozita krijuan një qeveri të përbashkët. Shqipëria ka shumë sfida përballë. Në maj BE do të vendosë për hapjen e negociatave dhe nuk është çudi që të merret një vendim pozitiv, por me kushte, sikundër ishte paralajmëruar në tetor. Kjo për faktin se ka ende shumë rrugë përpara për të përmbushur kriteret e BE. Kjo mund  të jetë dhe arsyeja që PD dhe PS të përdorin për të krijuar një qeveri të përbashkët me qëllim që të përmbushin reformat. Basha dy ditë më parë tha se nuk ka hequr dorë nga kushti i një qeverie teknike, por nëse mazhoranca i bën një ftesë për bashkëqeverisje atëherë nuk është çudi që qëndrimet e PD të ndryshojnë. Tashmë këtë e ka në dorë kryeministri Edi Rama. E sigurt është se PS nuk do ulej në një tryezë nga e cila do të dilte e humbur. Po ashtu dhe Basha e dinte se ulja në një tavolinë me Damian Gjiknurin do sillte pakënaqësi dhe nuk do ulej nëse nuk merr diçka në këmbim. Sa i takon LSI nuk mund të thuhet e njëjta gjë, pasi ishte e detyruar të ulej, me shpresën se do të parandalojë një marrëveshje PS-PD.

Rama-Basha drejt takimit

Takimi për reformën zgjedhore pritet të shtojë diskutimet mes PS dhe PD. Socialisti Damian Gjiknuri në një deklaratë tha se herët a vonë Rama e Basha do ulen bashkë. Pra kjo do të thotë se nuk është çudi që të shkojmë te një 17 maj i dytë. Kryeministri e ka bërë ftesën kur ra tërmeti, do të thotë që ai e ka shtrirë dorën. Zoti Basha ka krijuar një kompleks për çështje të brendshme. Unë mendoj se në një të ardhme natyrshëm që do vijë një moment që palët të ulen. Ky vend është shumë i vogël për tu ndarë, dhe duhet të ketë një dialog në nivel edhe më  të madh”, tha Gjiknuri.

Gazeta Sot