Rama dhe delegimi, Flasim: – Luan Omari, Thimio Kondi, Fehmi Abdiu. –
Rama dhe delegimi, Flasin: – Luan Omari, Thimio Kondi, Fehmi Abdiu. –
24 janar 2019.
Edi Rama pasi mori “stafetën” nga Ditmir Bushati, i ka kaluar dje “de facto” drejtimin e Ministrisë së Jashtme zv/ministrit Gent Cakaj.
Diplomacia shqiptare do të vijojë të drejtohet nga zv/ministri Cakaj deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, të cilës sipas Ramës do t’i kërkohet të shprehet mbi kompetencat e Presidentit.
Po vetë vendimi i djeshëm i kryeministrit a është kushtetues?
Për këtë DITA mori mendimin e disa prej konstitucionalistëve dhe juristëve më të njohur në vend.
Më poshtë, mendimet e tyre:
Prof. Luan Omari, konstitucionalist:
“Në rastin kur Kryeministri bëhet edhe ministër i jashtëm dhe ia delegon kompetencat e tij zëvendësministrit, si në rastin konkret, kemi të bëjmë me një rast sui generis, i paprecedentë.
Kushtetuta nuk parashikon një rast të tillë. Sidoqoftë unë mendoj se zëvendësministri në këtë rast nuk e luan dot rolin e ministrit. Ai nuk mund ta përfaqësojë dot ministrin në takimet me homologët apo të firmosë për çështje me rëndësi kapitale.
Një ministër i jashtëm i kujtdo vendi qoftë kur vjen për vizitë takohet me homologun, jo me zëvendësin e tij. Ose kur vjen puna për të firmosur dokumente të rëndësishme, këtë nuk mund ta bëjë zëvendësministri.”
Fehmi Abdiu, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese:
“Duhet parë Kushtetuta dhe ligji për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave. Përderisa Kryeministri e ka bërë një hap të tillë, duhet të jetë konsultuar me Kushtetutën.
Sidoqoftë zëvendësministri mbetet zëvendësministër dhe nuk bëhet dot ministër me të gjitha kompetencat që i jep ai post”.
Thimio Kondi, ish-ministër i Drejtësisë:
“Kryeministri, në këtë rast edhe ministër i Jashtëm, mund të delegojë disa kompetenca, por jo të gjitha. Janë disa gjëra që ministri duhet t’i mbajë vetë. Ta zemë, marrëveshjen e Detit Kryeministri-ministër duhet t’i firmosë vetë.
Ndërsa punët e tjera në ministri ai mund t’i delegojë te zëvendësi. Por janë disa gjëra kryesore që i takojnë ekskluzivisht atij. Në karrigen e ministrit nuk mund të ulet zëvendësi.
Edhe në mbledhjen e Këshillit të Ministrave kështu ndodh. Më ka ndodhur mua në qeverinë e Fatos Nanos. Në mbledhjet e qeverisë thirren edhe zëvendësministrat. Por askush nuk mund të ulet në karrigen e ministrit dhe as të flasë në emërtë tij. Janë rregulla të qarta këto.
Pra, zëvendësministri nuk mund të ulet në karrigen e ministrit”
Botuar sot në Dita