Rama dialog me studentët? Ngjela: Ata s’kanë lidhje me korrupsionin, nga na vjen ky partizan nga…
Rama dialog me studentët? Ngjela: Ata s’kanë lidhje me korrupsionin, nga na vjen ky partizan nga…
Nga Spartak Ngjela
Zoti kryeministër! Studentati i universiteteve publike po thotë: antiintelektualizmit tënd i erdhi fundi – jep dorëheqjen!
A do të krijohet dot masa kompakte e studentëve për të shpërbërë amoralitetin e qeverisjes shqiptare?
Po, do të krijohet! Madje ajo ndërkohë është krijuar.
Kurse Monika Kryenadhi e disa të tjerë, lodhen kot me kërcënimet ndaj studentëve mes hafijeve të tyre. Studentët nuk tremben.
- Tani po kuptohet qartë se kjo masë kompakte studentësh të iluminuar e ka kapur mendimin që vetëm kjo me rezistencën e saj morale do të arrijë të shpëtojë edhe veten, dhe të gjithë shqiptarët me garantimin e së ardhmes. Garantimi i së ardhmes së studentatit shqiptar, që deri tani ka qenë një e ardhme e humbur, do vijë domosdoshmërisht, nëse masa kompakte e studentëve do të qëndrojë e pastër. Dhe shenjat janë të plota: ajo nuk do të shpërbëhet edhe pse korrupsioni qeveritar dhe opozitar po i bën të gjitha përpjekjet për ta shpërbërë.
Brenda kësaj përpjekje për ta shpërbërë, del edhe propozimi mjeran “për dialog” i një kryeministri të trembur dhe të pamend.
Studentët i janë sulur qeverisë dhe gjithë korrupsionit të lartë shqiptar për të nxjerrë veten dhe të gjithë shoqërinë shqiptare në mbijetesë, ndërsa korrupsioni kërkon lloqe dhe gënjeshtra për të t’i zhytur studentët në paqenie.
- Çfarë do të dialogojë me studentët një kryeministër i falimentuar?
Studentët nuk kanë lidhje me korrupsionin. Rama iu thotë tani nga frika që rektoratet janë të korruptuara. Po ky? Nga na vjen ky partizan, nga mali na vjen ky që nuk ka thënë asnjë fjalë për këta rektorate deri tani?
Studentët thonë që varfëria ekstreme iu rëndon ekzistencën me pagesa që shkojnë në xhepat e të korruptuarve; kurse Rama iu thotë “dua dialog”. Por, kur të ulët në dialog, ai do t’iu thotë: “ju nuk keni prova”.
Studentët thonë se pedagogët shesin notën; kurse Rama ka 70 përqind të administratës së tij me diploma të blera. Se vetë Rama urren intelektualizmin.
Studentët deklarojnë botërisht që është qesharak buxheti i universiteteve publikë, ata nuk kanë kushte studimi dhe kushte fjetjeje nëpër konvikte. Rama po iu thotë: “unë dua dialog”, që të nxjerrë në dialog ca spiunë të tij e me ta t’iu thotë studentëve se “kushtet i kemi speciale”.
Studentët kërkojnë dije dhe profesion. Rama iu kërkon dialog që t’iu thotë se “universitetet publikë shqiptare janë ndër 20 universitetet më të mirë rë botës”. Kështu në fakt ai iu thotë çdo ditë edhe shqiptarëve, që mirëqënia e tyre po iu rritet në çdo muaj qëkurse ka ardhur ai si kryeministër. Kurse shqiptarët tani hanë vetëm një vaft në ditë dhe në lebeti po kërkojnë të ikin nga Shqipëria..
Studentët thonë që ai kryeministër ka lejuar universitete publikë që kanë pedagogë pa gjimnaz; kurse Rama kërkon dialog që të sjellë “ekspertë ndërkombëtare”, të blerë me paratë e kanabisit, që këta pastaj të thonë se “pedagogët shqiptarë i ka zili edhe vetë Oksfordi.
Ja ky do të jetë dialogu i Ramës.
lll.
Në të vërtetë kryeministri aktual ka falimentuar. Nuk bëri asgjë, dhe vetëm mori e mori për vetë, pasi e grabiti popullin në 7 vjet. Kurse masës kompakte të studentëve nuk i shpëton dot.
Dy janë arsyet pse Rama nuk shpëton dot: e para, sepse masa kompakte e mijra studentëve e di të vërtetën; dhe e dyta, se përpara një studentati kaqë elokuent që e di të vërtetën, nuk e përdor dot policinë për dhunë.
Por çfarë duhet të bëjë ky kryeministër tanimë i falimentuar?
Dorëheqja është më në favor për të, në mënyrë që kjo mazhorancë ta vijojë jetën e vet politike dhe për dy vjet e gjysmë që i kanë mbetur, me një qeveri individësh të pakorruptuar.
Por a e kupton dot Rama këtë? Jo, nuk e kupton dot, se psikika e tij e sëmurë e shtyn drejt shprehjes së çmendur të Ligjit të XV -të: A pres moi le deluge – pas meje, qameti.
Prandaj Rama mund të shkojë nën këtë thënie, se nuk është në gjendje ta parashikojë me kuptim dhe të kujtohet se ndërkohë është krijuar edhe Prokuroria e Posaçmë, edhe Gjykata e Posaçme. Tanimë ato janë ngritur.
Pse, vërtet nendoni ju se, në funksion historik, është e rastësishme që protestat e studentëve dhe përfundimi institucional i kryer i Reformës në Drejtësi, vinë të dyja në një kohë?