Rama e quajti “copy-paste”. – Ambasada amerikane publikon të përkthyer në shqip raportin që nxin Qeverinë Shqiptare
Rama e quajti “copy-paste”. – Ambasada amerikane publikon të përkthyer në shqip raportin që nxin Qeverinë Shqiptare
– 16 Prill 2022
Pak ditë më parë Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin për vendet e Ballkanit Perëndimor. Mes tyre përmendet edhe Shqipëria. Në një analizë të situatës në vend, raporti përmend edhe një fakt alarmant. Ajo ka të bëjë me torturat nëpër burgjet shqiptare. Edhe pse në raport nuk përmenden detaje, vihen në dukje disa fakte të cilat e bërën Kryeministrin Edi Rama me dhimbje koke. Raporti i DASH sjell një rast nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, sipas të cilit është ushtruar dhunë ndaj një të mituri në ambientet e paraburgimit.
Por për Kryeministrin e vendit Edi Rama, konkluzionet e këtij raporti janë “copy-paste” të vitit të kaluar. Por e vërteta është se korrupsioni në çdo nivel të qeverisjes shqiptare, është prezent dhe i institucionalizuar e fuqizuar, si strukturë funksionale e paprekshmërie.
Pushteti sot ka në dorë si biznes privat jo vetëm fondet e pasuritë publike, por dhe te drejtat jetike e civile të qytetarëve dhe bizneseve, si tenderët, punësimet në administratë, të drejtën për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, të drejtën për drejtësi e gjithçka.
Është fakt, që qytetarët që kërkojnë të drejtën ligjore të një shërbimi, gjenden përballë bllokazhit të qëllimshëm për t’i dhënë ryshfet, ose një pjesë të pasurisë, sekserit të kryeministrit, ministrit, kryetarit të bashkisë, drejtorit të tatimeve, doganave, policisë, shëndetësisë etj.
Ambasada amerikane publikon raportin e plotë në faqen e saj zyrtare
Edhe pse Rama e quajti raportin e DASH ‘copy-paste’ nga viti i kaluar, nuk e stepi Ambasadën e Shteteve të Bashkuara që ta publikojë të plotë raportin edhe në faqen zyrtare të saj në Facebook. Kjo tregon se qëndrimet mes Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Ambasadës së saj në Tiranë janë të njëjta. Ashtu edhe siç e përcakton legjislacioni amerikan. Kjo pasi shpesh herë në median shqiptare janë artikuluar argumente kinse për një agjendë personale të Yuri Kim kundrejt Edi Ramës.
A është copy paste raporti i DASH?
Kryeministri Rama quajti raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut për vitin 2021 si një ‘copy-paste’ i një viti më parë.
Por një vështrim i shpejtë i dy raporteve dëshmon se ndërsa struktura është e njëjtë, prej vitesh, ndryshimet janë të dukshme për shkak të ngjarjeve dhe mënyrës si reagohet ndaj tyre.
Në raportin e 2020 flitet për zgjedhjet parlamentare të 2017 dhe në raportin e 2021 flitet për zgjedhjet e viti të kaluar dhe nënvizohet se OSB ka shënuar disa defekte si blerja e votës, rrjedhja e të dhënave personale dhe avantazhe të rëndësishme të partisë në pushtet.
Në raportin e 2020 kryefjala ishte pandëshkueshmëria, ndërsa në raportin e 2021 përmendet bilanci i SPAK me hetimet, gjykimet dhe ndëshkimet e zyrtarëve dhe organizatave kriminale.
Raporti i bërë publik dje nënvizon se për zgjedhjet “Partia në pushtet mori avantazhe të rëndësishme, duke përfshirë kontrollin e saj mbi administratat lokale, dhe nga keqpërdorimi i burimeve administrative. Kjo u përforcua nga pasqyrimi pozitiv i institucioneve shtetërore në media.”
Në rapotin e 2020, përmendet shkarazi vrasja e të riut Rasha, ndërsa raporti i bërë publik dje jep hollësi për çfarë ndodhi më pas si dhe i referohet edhe ndalimit të 357 personave 126 prej tyre të mitur pas protesës që pasoi vrasjen e të riut nga policia.
Të dy raportet si ai i 2020 ashtu edhe ai 2021 kanë një të përbashkët: nënvizimin e mos zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, por nëse në vitin 2020 kishim 33 vendime të pa zbatuara, ky numër brenda një viti ka shkuar në 66 dhe fatura është miliona euro.
Raporti i 2021 i kushton vëmendje edhe 900 mijë të dhënave të qytetarëve që u bënë publike para zgjedhjeve dhe nënvizon faktin që votuesit kanë qenë potencialisht nën presion. Një hetim u nis nga SPAK (vitin tjetër do të shënohen rezultatet 0 të këtij hetimi).
Më poshtë raporti i plotë
RAPORTI PËR TË DREJTAT E NJERIUT – SHQIPËRIA 2021
PËRMBLEDHJE E PËRGJITHSHME
Republika e Shqipërisë është demokraci parlamentare. Kushtetuta ia njeh autoritetin legjislativ parlamentit me një dhomë (Kuvendit), i cili zgjedh si kryeministrin ashtu edhe presidentin. Kryeministri drejton qeverinë, ndërsa presidenti ka pushtet ekzekutiv të kufizuar. Në 25 prill, vendi zhvilloi zgjedhje parlamentare. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) raportoi se zgjedhjet ishin në përgjithësi të organizuara mirë, votuesit patën zgjedhje mes kandidatëve të cilët mundën të bënin fushatë lirisht dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i përballoi mjaftueshëm detyrimet që kishte. Megjithatë, raporti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë theksoi disa mangësi, përshirë blerjen e votave, rrjedhjen e të dhënave të ndjeshme personale dhe avantazhin e konsiderueshëm të fituar nga partia në pushtet për shkak të të qenit në pushtet.
Ministria e Brendshme mbikëqyr Gardën e Republikës dhe Policinë e Shtetit, e cila përfshin Policinë e Kufirit dhe Migracionit. Policia e Shtetit ka si përgjegjësi kryesore sigurinë e brendshme. Garda e Republikës mbron zyrtarët e lartë të shtetit, autoritetet e huaja dhe disa prona të shtetit. Ministria e Mbrojtjes mbikëqyr forcat e armatosura. Shërbimi Informativ Shtetëror i përgjigjet kryeministrit, mbledh informacione dhe kryen veprimtari të zbulimit të huaj dhe të kundërzbulimit. Autoritetet civile ruajtën kontroll të efektshëm mbi forcat e sigurisë. Pati disa raportime për abuzime nga punonjës të forcave të sigurisë.
Çështjet kryesore të të drejtave të njeriut përfshinë: problemet me pavarësinë e gjyqësorit teksa ai vazhdonte t’i nënshtrohej vetingut; kufizimet ndaj shprehjes së lirë dhe shtypit; dhe korrupsionin e përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe institucionet bashkiake.
Pandëshkueshmëria mbeti problem serioz megjithëse Struktura e Posaçme për Luftën kundër Korrupsionit dhe gjykatat kundër korrupsionit përparuan dukshëm gjatë vitit në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e zyrtarëve të lartë dhe kriminelëve të organizuar.
Seksioni 1. Respektimi i integritetit të personit
Privimi i jetës në mënyrë arbitrare dhe vrasje të tjera të paligjshme apo me motiv politik
Në dhjetor të vitit 2020, Policia e Shtetit qëlloi dhe vrau një burrë në Tiranë i cili kishte shkelur kufizimet e vendosura prej COVID-19. Punonjësi i policisë i cili qëlloi mbi të u arrestua, u gjykua dhe u dënua për vrasjen. Ministri i punëve të brendshme dha dorëheqjen pas protestave në reagim të kësaj vrasjeje. Nuk pati raportime të tjera që qeveria apo agjentët e saj të kishin kryer vrasje në mënyrë arbitrare apo të paligjshme. Autoritetet civile të zbatimit të ligjit, si për shembull Policia e Shtetit, hetuan nëse vrasjet nga forcat civile të sigurisë ishin të justifikueshme dhe ndoqën procedime për agjencitë civile. Zbatuesit ushtarakë të ligjit kryen hetime për vrasje nga forcat e armatosura.
Zyra e Avokatit të Popullit raportoi se numri i madh i personave të ndaluar nga policia çoi në mbipopullimin e mjediseve të paraburgimit. Për shembull, në datat 9 dhe 13 dhjetor, policia ndaloi përkohësisht 357 persona, 126 prej të cilëve të mitur, gjatë protestave në rrugë pas vrasjes nga policia të një burri të paarmatosur në dhjetor të vitit 2020 në Tiranë për shkak të kufizimeve të orarit të lëvizjen të vendosura prej COVID.
- Zhdukja
Nuk pati raportime në lidhje me zhdukje nga autoritetet qeveritare apo në emër të tyre.
Tortura dhe trajtime ose ndëshkime të tjera mizore, çnjerëzore ose degraduese
Ndonëse kushtetuta dhe ligji i ndalojnë veprime të tilla, pati pretendime se policia disa herë abuzoi me të dyshuarit dhe të burgosurit. Për shembull, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) raportoi një rast abuzimi fizik ndaj një të mituri gjatë kohës që ai mbahej në paraburgim në polici. Stafi mjekësor nuk e raportoi në prokurori ekzaminimin fizik që tregonte nxirje në kokë dhe krahë. Si reagim ndaj incidentit, drejtori i përgjithshëm i policisë urdhëroi trajnime me theksin te të drejtat penale procedurale të të miturve.
Burgjet u përfshinë në greva urie në disa raste në vitin 2020 për të protestuar ndaj kufizimeve të vendosura prej COVID të cilat u kufizonin kontaktet me vizitorët e jashtëm, ndaj legjislacionit të ri që shtrëngonte privilegjet e të burgosurve në regjimet e sigurisë së lartë dhe me akuza korrupsioni lidhur me cilësinë e ushqimit dhe mundësinë e sigurimit të medikamenteve.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme mori ankesa për abuzime të policisë dhe për korrupsion, të cilat çuan në hetime të veprimeve të policisë. Zyra e Avokatit të Popullit, institucion i pavarur kushtetues që shërben për të kontrolluar qeverinë, raportoi se shumica e rasteve të akuzave për abuzim fizik apo psikologjik gjatë vitit ndodhën gjatë arrestimit ose marrjes në pyetje, veçanërisht në raste proteste publike.
Qeveria bëri përpjekje më të mëdha për të trajtuar pandëshkueshmërinë e policisë, më dukshëm në rastin e vetëm të përdorimit me tepri të forcës vdekjeprurëse. SHÇBA-ja regjistroi rritje të numrit të hetimeve, procedimeve dhe dënimeve ndaj punonjësve të policisë për shkelje penale dhe administrative. Ngjarja e vrasjes në dhjetor të vitit 2020 nga policia e një personi që shkeli orarin e kufizimit prej COVID duke iu larguar thirrjes për ndalim çoi në protesta të shumta, disa prej të cilave të dhunshme. Punonjësi i policisë i përfshirë u arrestua pak pasi qëlloi dhe u dënua për vrasje në korrik, me dënimin 10 vite burgim, i reduktuar nga 15 vite, pasi pranoi fajësinë.
Kushtet në burgje dhe në qendra paraburgimi
Kushtet e këqija fizike në disa burgje dhe mungesa e kujdesit shëndetësor, në veçanti për kushtet e shëndetit mendor, mbetën probleme serioze, ashtu si edhe korrupsioni. Kushtet mbetën nën standardin e duhur në mjediset e paraburgimit në disa rajone të policisë në zonat e thella.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nxori disa vendime për të menaxhuar përhapjen e COVID-19 brenda sistemit penitenciar. KShH-ja raportoi se nga muaji mars deri në maj të vitit 2020, autoritetet identifikuan 21 raste infektimi pozitiv në burgje, ndërsa nga muaji korrik 2020 deri në shkurt 2021, u raportuan 140 raste. Vetëm pesë raste u trajtuan në spitalet civile për trajtimin e COVID, Covid 1 dhe Covid 2. Burgu i Shën Kollit në Lezhë dhe Spitali i Burgut në Tiranë përshtatën mjediset e tyre për të trajtuar vetëm pacientë me COVID-19. Autoritetet vazhduan të ndalonin takimet me familjarët. Në tetor të vitit 2020, të dënuarit në burgjet e Peqinit dhe Shën Kollit dhe familjet e tyre protestuan për kufizimet e vizitave.
Kushtet fizike: Ndonëse mbipopullimi nuk ishte problem në shumicën e mjediseve, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) dhe Zyra e Avokatit të Popullit raportuan mbipopullimin në burgun e Zaharisë në Krujë, në Burgun “Jordan Misja” dhe në Burgun e Durrësit. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve raportoi mbipopullim sporadik në disa burgje të tjera sipas luhatjeve të popullsisë në to. Zyra e Avokatit të Popullit dhe KShH-ja raportuan se Mjediset e burgjeve në Krujë, Durrës, Rrogozhinë, Sarandë, Lezhë, Kukës, Ali Demi dhe Tepelenë kanë probleme urgjente në infrastrukturë.
Zyra e Avokatit të Popullit dhe organizata joqeveritare (OJQ) vazhdonin të raportonin se autoritetet i mbanin të burgosurit me probleme të shëndetit mendor në burgje normale, ku nuk kishte mundësi të mjaftueshme për kujdesin e shëndetit mendor. Që nga viti 2018, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë janë përpjekur të sistemojnë të burgosurit dhe paraburgosurit e burgut Zaharia në burgun e Lezhës. KShH-ja dhe Avokati i Popullit raportuan se qeveria nuk kishte përfunduar kthimin e ndërtesave të planifikuara në burgun e Lezhës në institucion të veçantë mjekësor ku të mund të transferoheshin të burgosurit e Zaharisë, pjesërisht për shkak të kufizimeve të vendosura ndaj COVID. Në nëntor të vitit 2020, Ministria e Drejtësisë njoftoi se po ndërtonte një burg për të dënuarit mbi 60 vjeç, me një kapacitet prej 120 shtretërish, i cili planifikohet të përfundojë në vitin 2022. Komiteti i Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës bëri një vizitë në vend në datat 23-26 nëntor për të vlerësuar përparimin e bërë për mbylljen e mjediseve të Zaharisë dhe transferimin e pacientëve të psikiatrisë ligjore në një mjedis të specializuar për psikiatri ligjore. Në vijim të vizitës, ministri i drejtësisë
njoftoi se qeveria kishte mbyllur burgun e Zaharisë dhe se të 319 të burgosurit atje ishin transferuar në ndërtesat e rikonstruktuara të burgut të Shën Kollit.
Përveç mjediseve rajonale në Tiranë (me përjashtim të komisariateve, të cilat janë njësi më të vogla nën drejtoritë rajonale të policisë) Gjirokastër, Kukës, Fier dhe Korçë, kushtet në mjediset e administruara nga Ministria e Brendshme, si për shembull komisariatet e policisë dhe mjediset e përkohshme të paraburgimit, nuk përmbushnin standardet e kërkuara. Disa mjedise paraburgimi në zona të thella nuk kishin ngrohje gjatë dimrit dhe disa kishin mungesë të kushteve bazë të higjienës dhe dezinfektuesish si masa kundër COVID-19. Mjediset ishin të vogla e të mbingarkuara, kishin mundësi të kufizuar përdorimi të tualeteve dhe kishin pak ose aspak ventilim, dritë natyrale ose shtretër dhe stola. Sistemet e monitorimit me kamera nuk ekzistonin ose ishin të pamjaftueshme në shumicën e rajoneve të policisë. Avokati i Popullit raportoi se mjediset e paraburgimit të administruara nga Ministria e Brendshme ishin të mbipopulluara për shkak të numrit të rritur të arrestimeve gjatë vitit dhe për shkak të vonesave në pranimin e të burgosurve të rinj në sistemin penitenciar. Avokati i Popullit raportoi se një përqindje e lartë e të burgosurve ishin në paraburgim në pritje të gjykimit. Procedimet penale përgjithësisht vonoheshin prej mungesës së gjyqtarëve, e cila vinte si rrjedhojë e numrit të lartë të atyre që nuk kishin kaluar vetingun dhe nuk ishin zëvendësuar ende.
Administrimi: Zyra e Avokatit të Popullit raportoi se zyrtarët e burgut dhe të policisë në përgjithësi bashkëpunuan gjatë hetimeve. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mori 20 065 ankesa dhe kërkesa deri në muajin gusht, kryesisht në lidhje me vendimet për punësim, shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe ndalimet prej COVID në lidhje me kontaktet fizike me familjarët dhe vizitorët për të burgosurit, kufizime të cilat zgjatën deri në korrik. Avokati i Popullit mori 60 ankesa nga personat në paraburgim ose në burg deri në muajin gusht, por nuk referoi ndonjë rast për procedim penal.
Në vitin 2020, drejtori i burgut të Beratit u pezullua nga puna dhe më pas u pushua në vijim të akuzave për abuzim me detyrën dhe korrupsion. Deri në muajin gusht, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve raportoi se kishte ndërmarrë procedime disiplinore ndaj 112 anëtareve stafi në burgje dhe kishte pushuar 26.
Deri në muajin gusht, katër të burgosur mbetën në një regjim ligjor të miratuar në korrik të vitit 2020 për të minimizuar komunikimet mes krimit të organizuar dhe anëtarëve të bandave në burg dhe kontakteve të tyre jashtë, për të parandaluar mundësinë që ata të drejtonin organizime kriminale ndërkohë që vuanin dënimin në burg.
Monitorimi i pavarur: Qeveria në përgjithësi lejoi grupet e të drejtave të njeriut vendase dhe ndërkombëtare, median, organizmat ndërkombëtare, si për shembull Komisionin për Parandalimin e Torturës, të monitoronin burgjet dhe mjediset e paraburgimit.
Përmirësimet: Avokati i Popullit dhe KShH-ja konfirmuan rënie të përgjithshme gjatë vitit në mbipopullimin e burgjeve, si rrjedhojë e infrastrukturës së re dhe amnistive. Megjithatë, disa mjedise penitenciare vazhdonin të ishin ende të mbipopulluara.
Arrestimi ose ndalimi në mënyrë arbitrare
Ligji dhe kushtetuta ndalojnë arrestimin dhe ndalimin në mënyrë arbitrare dhe garantojnë të drejtën e çdo njeriu të provojë në gjykatë ligjshmërinë e arrestimit ose ndalimit të tij ose të saj. Qeveria në përgjithësi i zbatoi këto ndalime të ligjit dhe të kushtetutës.
Procedurat e arrestimit dhe trajtimi i të ndaluarve
Ligji kërkon që, me përjashtim të arrestimeve të bëra gjatë kryerjes së krimit, policia të arrestojë të dyshuarin për akte kriminale me urdhër-arrest të lëshuar nga një gjykatës dhe të bazuar në prova të mjaftueshme. Nuk pati raportime për arrestime të fshehta. Sipas ligjit, policia duhet të informojë menjëherë një prokuror në lidhje me arrestimin. Prokurori mund ta lirojë të dyshuarin ose mund t’i bëjë kërkesë gjykatës, brenda 48 orësh, për ta mbajtur të ndaluar. Gjykata duhet gjithashtu të vendosë brenda 48 orësh nëse do ta lërë të dyshuarin në paraburgim, të kërkojë dorëzani, t’i ndalojë udhëtimin ose të kërkojë që i pandehuri të paraqitet rregullisht në polici.
Sipas ligjit dhe me kërkesë të një prokurori, gjykata ka në dispozicion 72 orë për të rishikuar statusin e ndalimit në pritje të gjykimit të një arrestimi të urdhëruar nga gjykata. Policia mund të ndalojë, por jo të arrestojë formalisht, një të dyshuar për një periudhë jo më shumë se 10 orë. Avokati i popullit dhe KShH-ja identifikuan disa parregullsi procedurale në mbajtjen në paraburgim të individëve për më shumë se 10 orë, kryesisht në vijim të protestave të dhjetorit 2020.
Kushtetuta u kërkon autoriteteve që të informojnë personat e ndaluar menjëherë mbi të drejtat dhe akuzat e ngritura ndaj tyre. Ligji parashikon dorëzaninë dhe ekzistonte një sistem funksional për të; policia shpesh i lironte të ndaluarit pa dorëzani, me kusht që ata të paraqiteshin rregullisht në rajonin e policisë. Gjykatat shpesh urdhëruan të dyshuarit të paraqiteshin në polici ose prokurori një herë në javë. Ndonëse ligji u jep të ndaluarve të drejtën për të marrë menjëherë avokat, me shpenzimet e shtetit nëse është nevoja, avokati i popullit raportoi raste marrjesh në pyetje pa praninë e një avokati. KShH-ja dhe avokati i popullit shprehën shqetësime në lidhje me mungesën e anëtarëve të familjes gjatë ekzaminimeve mjekësore dhe mungesën e avokatit dhe psikologut gjatë proceseve të hetimit paraprak që përfshinin të mitur.
Arrestimi në mënyrë arbitrare: Kushtetuta dhe ligji ndalojnë arrestimin dhe ndalimin në mënyrë arbitrare. Qeveria përgjithësisht i respektoi këto ndalime.
Ndalimi në pritje të gjykimit: Ndonëse ligji kërkon përfundimin e shumicës së hetimeve brenda tre muajve, prokurori mund ta zgjasë këtë periudhë. Ligji parashikon që paraburgimi në pritje të gjykimit të mos i kalojë tre vjet. Periudha më e gjatë e ndalimit në pritje të gjykimit shpesh ndodhte për shkak të hetimeve të vonuara, gabimeve të mbrojtjes ose mosparaqitjes së qëllimshme të avokatit mbrojtës. Ligji u mundëson gjyqtarëve t’u kërkojnë llogari avokatëve për mosrespektim të gjykatës. Burimet e kufizuara materiale, mungesa e hapësirës, administrimi i dobët i kalendarit të gjykatave, stafi i pamjaftueshëm (përfshirë gjyqtarë që nuk kaluan vetingun dhe nuk ishin zëvendësuar ende) dhe mosparaqitja e avokatëve dhe dëshmitarëve u bënë pengesë që sistemi i gjykatave të gjykonte çështjet brenda afatit kohor. Deri në muajin korrik, të ndaluarit në pritje të gjykimit përbënin 51 për qind të popullsisë së burgjeve dhe qendrave të paraburgimit.
Mohimi i gjykimit të drejtë publik
Megjithëse kushtetuta parashikon pushtet gjyqësor të pavarur, presoni politik, kanosja, korrupsioni dhe burimet e kufizuara penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe të efektshme. Seancat gjyqësore shpesh ishin të hapura për publikun përveçse nëse kufizimet ndaj COVID-19 nuk lejonin që gazetarët ose publiku të hynin në mjediset e gjykatave. Në raste të tilla, media dorëzoi ankesa në gjykatë, e kjo e fundit i shqyrtoi ato sipas rastit dhe në përgjithësi lejoi gazetarët dhe publikun të ndiqnin seancat nëse çështja paraqiste interes për publikun e gjerë.
Qeveria vazhdoi të zbatonte një proces të monitoruar nga ndërkombëtarët për të vlerësuar gjyqtarët dhe për të shkarkuar ata me pasuri të pashpjegueshme ose me lidhje me krimin e organizuar. Deri në muajin shtator, 42 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët i ishin nënshtruar vlerësimit të vetingut nuk e kaluan procesin dhe u shkarkuan, 36 për qind e kaluan procesin dhe 22 për qind dhanë dorëheqjen ose u tërhoqën. Gjatë vitit, numri i gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që kaluan vetingun u rrit derisa plotësoi 19 vendet që ka kjo gjykatë. Emërimi i gjyqtarëve të vlerësuar ishte i mjaftueshëm për të ngritur kolegje administrative, civile dhe penale dhe për të mundësuar gjykatat të nisnin gjykimin e çështjeve. Megjithatë, Gjykata e Lartë duhet të ketë së paku 10 gjyqtarë që të mund të zgjedhë tre gjyqtarët e mbetur të Gjykatës Kushtetuese. Deri në 31 korrik, Gjykata e Lartë kishte 36 608 çështje të prapambetura në pritje për gjykim.
Politizimi i emërimeve të mëparshme në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese disa herë kërcënuan minimin e pavarësisë dhe integritetit të këtyre institucioneve.
Zbatimi i dispozitave të reformës në drejtësi çoi në ndalim të proceseve normale disiplinore ndërkohë që vendi ishte duke krijuar organizma të pavarura të disiplinës. Nga muaji janar deri në 8 shtator, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë në vend mori 875 ankesa që rezultuan në nxjerrjen e 740 vendimeve për verifikimin e ankesave. Ky inspektorat administroi gjithashtu 24 hetime disiplinore, nëntë prej të cilave ishin trashëguar nga Inspektorati i mëparshëm në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë dorëzoi gjithashtu nëntë kërkesa për procedime disiplinore kundër magjistratëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Procedurat gjyqësore
Kushtetuta dhe ligji parashikojnë të drejtën për gjykim të drejtë dhe publik pa vonesa të paligjshme. Ligji i prezumon të pandehurit të pafajshëm derisa të provohet fajësia dhe parashikon që të pandehurit të informohen menjëherë dhe me hollësi për akuzat e ngritura ndaj tyre, me përkthim falas nëse është e nevojshme. Të pandehurit kanë të drejtën të jenë të pranishëm në gjykim dhe të konsultohen me një avokat. Nëse nuk e përballojnë dot avokatin, u caktohet një avokat me shpenzimet e shtetit. Ligji u garanton të pandehurve kohë dhe mjedise të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen, si edhe përkthim falas. Të pandehurit kanë të drejtën të përballen me dëshmitarët kundër tyre dhe të paraqesin dëshmitarë dhe prova në mbrojtje të tyre. Të pandehurit nuk mund të detyrohen të dëshmojnë ose të pranojnë fajësinë. Të pandehurit kanë të drejtën të apelojnë. Në përgjithësi qeveria i respektoi këto të drejta megjithëse gjykimet nuk ishin gjithnjë publike dhe gjetja e një avokati hera-herës ishte problematike. Për të mbrojtur të drejtat e të pandehurve dhe aksesin që ata kanë në provat kundër tyre,
prokurori duhet ta dërgojë çështjen pranë një gjyqtari të seancës paraprake dhe të bëjë kërkesë për ta dërguar çështjen në gjykim.
Të burgosurit dhe të ndaluarit politikë
Nuk pati raportime për të burgosur ose të ndaluar politikë.
Procedurat gjyqësore civile dhe kompensimet
Ndonëse individët dhe organizatat mund të kërkojnë kompensime civile për shkelje të të drejtave të njeriut, u raportuan raste korrupsioni në gjyqësor, paefektshmërie, kanosjeje dhe ndërhyrjesh politike. Gjykatat ndërmorën hapa për të trajtuar problemin duke përdorur pajisje për regjistrim audio. Pavarësisht të drejtës me ligj për ndihmë ligjore falas për çështje civile, OJQ-të raportuan se pak individë përfituan nga kjo ndihmë gjatë vitit. Për të trajtuar këtë problem, Ministria e Drejtësisë krijoi Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas, klinikat e ligjit në institucionet e arsimit të lartë, një platformë online gjatë pandemisë së COVID-19, si edhe një linjë telefonike për të kërkuar ndihmë ligjore falas. Procesi i vazhdueshëm i vetingut dhe mekanizmat ligjore të vendosura nga inspektori i lartë për drejtësi për të rregulluar disiplinimin e gjyqtarëve kishin gjithashtu synimin të zbusnin probleme të tilla.
Personat të cilët i kishin shfrytëzuar mundësitë për zgjidhje në gjykatat brenda vendit mund të apelonin në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Në shumë raste, autoritetet nuk i vunë në zbatim vendimet e GJEDNJ-së. Zyra e Avokatit të Popullit shprehu shqetësimin në lidhje me shkallën e ulët të pajtueshmërisë me vendimet gjyqësore në vend dhe me mosekzekutimin e vendimeve përfundimtare të gjykatave dhe GJEDNJ-së. Avokati i popullit citoi raportin e avokatit të shtetit se miliona euro kompensim mbeteshin ende për t’u paguar nga qeveria për palët që kishin fituar çështjet e tyre.
Personat të cilët ishin të dënuar politikë nën regjimin e mëparshëm komunist vazhduan t’i kërkonin kompensim qeverisë. Qeveria nuk përparoi në dhënien e kompensimeve gjatë këtij viti. Instituti për Aktivizëm dhe Ndryshim Social dhe Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit ngritën shqetësime në lidhje me çështje për persona të humbur pa zgjidhje që datonin që nga regjimi komunist.
Konfiskimi dhe rikthimi i pronës
Zyra e Avokatit të Popullit dhe OJQ-të raportuan se të drejtat e pronës mbetën problematike, veçanërisht procesi i stërzgjatur i kompensimit dhe nivelet e ulëta të kompensimit për pronën e shpronësuar. Mijëra pretendime për prona private dhe fetare të konfiskuara gjatë periudhës së komunizmit mbetën të pazgjidhura nga Agjencia e Trajtimit të Pronave dhe iu ridërguan ankimuesve për t’i ndjekur këto çështje në gjykatë. Ankimuesit mund të apelojnë në GJEDNJ pasi kanë ezauruar burimet ligjore të brendshme dhe shumë çështje ishin ende në pritje për shqyrtim nga GJEDNJ-ja. Zyra e Avokatit të Popullit raportoi se deri në muajin mars, më shumë se 66 çështje kundër shtetit ishin në GJEDNJ-së, të cilat përfshinin miliona euro në pretendime. Zyra e Avokatit të Popullit raportoi se për shkak të gjykimit të GJEDNJ-së për çështjen Sharxhi e të tjerët kundër Shqipërisë, ndër të tjera, qeveria u detyrohe
paditësve më shumë se 13.4 milion euro (15.4 milion dollarë). Avokati i popullit dhe KShH-j u shprehën se Zyra e Kadastrës nuk kthente përgjigje ndaj kërkesave, duke penguar kështu hetimet administrative për të drejtat e pronësisë. Në muajin dhjetor, qeveria njoftoi një projekt dy-vjeçar për të digjitalizuar të gjitha arkivat e pronësisë, për të mundësuar akses online.
Vendi mbështeti Deklaratën Terezin në vitin 2009 dhe Udhëzimet dhe Praktikat më të Mira në vitin 2010. Nuk ka ndonjë ligj për rikthim ose kompensim që lidhet me konfiskimin e pronës private gjatë kohës së Holokaustit. Sipas ligjit, komunitetet fetare kanë të njëjtat të drejta rikthimi dhe kompensimi si personat fizikë dhe ligjorë. Qeveria raportoi se nuk kishte pretendime pronash të paraqitura nga viktima të Holokaustit.
Raporti i Departamentit të Shtetit për Kongresin mbi Aktin e Drejtësisë për të Mbijetuarit e Pakompensuar Sot (JUST), i publikuar në korrik të vitit 2020, mund të gjendet në faqen e internetit të Departamentit: https://www.state.gov/reports/just-act-report-to-congress/.
Ndërhyrja arbitrare ose e paligjshme në privatësi, familje, shtëpi ose korrespondencë
Kushtetuta dhe ligjet i ndalojnë ndërhyrjet arbitrare ose të paligjshme në privatësi, familje, shtëpi ose korrespondencë, por pati raportime se qeveria nuk i kishte respektuar këto ndalime. Gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të këtij viti, doli se një bazë të dhënash me informacion personal dhe të dhëna kontakti për përreth 900 000 shtetas si edhe gjasat për preferencat e tyre në votim e bëri informacionin publik, duke krijuar kështu mundësinë e vendosjes së votuesve nën presion. Për këtë, hap një hetim penal nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Seksioni 2. Respektimi i të drejtave të njeriut
Liria e shprehjes, përfshirë anëtarët e shtypit dhe mediave të tjera
Kushtetuta garanton lirinë e fjalës, përfshirë atë të shtypit dhe mediave të tjera dhe qeveria në përgjithësi i respektoi këto të drejta, megjithëse shpifja është vepër penale. Pati raportime se qeveria, biznesi dhe grupet kriminale kërkuan të ndikonin median në mënyrë të papërshtatshme.
Liria e shprehjes për anëtarë të shtypit dhe medias, përfshirë median online: Media e pavarur ishte aktive dhe shprehu një gamë të gjerë pikëpamjesh. Pati përpjekje për të ushtruar presion të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë politik dhe ekonomik mbi median, përfshirë përdorimin e kërcënimeve dhe dhunës ndaj gazetarëve, të cilët u përpoqën të hetonin krimin dhe korrupsionin.
Pronarët e bizneseve përdorën lirisht mediat e tyre për të përfituar favore dhe për të promovuar interesat e tyre te partitë politike. Shumica e pronarëve të stacioneve televizive private përdorën përmbajtjen e transmetimeve të tyre për të ndikuar veprimet e qeverisë në drejtim të bizneseve të tyre. Pati raportime të besueshme se përfaqësues të lartë të mediave përdorën njësitë mediatike për t’u bërë shantazh bizneseve duke kërcënuar me mbulim të pafavorshëm mediatik. Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan median private të shkruar dhe gazetarët raportuan se kishin praktikuar vetëcensurim. Pasiguria ekonomike për shkak të mungesës së kontratave të zbatueshme të punës zbehu pavarësinë e reporterëve dhe kontribuoi në njëanshmëri në raportim. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë
(UGSH) vazhdoi të raportonte vonesa të mëdha në dhënien e pagave të reporterëve në shumë kompani mediatike, në disa raste deri në 10 muaj vonesë. Sipas unionit të gazetarëve, pandemia i përkeqësoi këto vonesa. Problemet financiare bënë që disa gazetarë të mbështeteshin kryesisht në burime të jashtme të ardhurash, gjë që vuri në pikëpyetje integritetin e tyre në raportim.
OJQ-të pohuan se etika profesionale nuk ishte përparësi për disa prej portaleve të reja të lajmeve në vend, të llogaritura mbi 900 të tilla, duke ngritur kështu shqetësime mbi përhapjen e lajmeve të pavërteta në përfitim të interesave të veçanta financiare, politike dhe kriminale. Shtimi i madh i numrit të mediave online ofroi shumëllojshmëri pikëpamjesh si edhe mundësi për korrupsion.
Në muajin korrik, parlamenti votoi për zgjedhjen e kryetarit të ri të Autoritetit të Mediave Audiovizive, një institucion i pavarur që rregullon median televizive. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) dhe BE-ja kishin nxitur parlamentin ta shtynte votimin e korrikut deri në muajin shtator, që të lejonte parlamentin e ri dhe rikthimin e partive të opozitës të cilat kishin bojkotuar parlamentin që në shkurt 2019. Pati shqetësime në lidhje me pavarësinë e kryetares së zgjedhur në korrik, pasi ajo kishte shërbyer më parë si zëdhënëse e Partisë Socialiste përpara se të emërohej drejtoreshë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, agjenci e cila zotërohet nga shteti.
Dhuna dhe ngacmimi: U raportua se interesat politike dhe ato të biznesit bënë që gazetarët të viheshin nën presion. Deri në muajin nëntor, UGSH-ja raportoi 11 raste dhune dhe kanosjeje ndaj anëtarëve të medias. Për shembull, në prill policia mbajti të ndaluar reporterin e Fax Neës, Preng Gjikolën, për disa orë pa shpjegim pas një proteste në Thirrë të Mirditës. Në muajin korrik, policia, e cila merrte pjesë në një operacion të vazhdueshëm, mbajti për pak kohë të ndaluar gazetarin e Neës 24, Ergys Gjencaj, i cili po filmonte këtë operacion
Censura ose kufizimet e përmbajtjes: Gazetarët shpesh praktikuan vetëcensurimin për të shmangur dhunën dhe ngacmimet. UGSH-ja i përmendi censurën dhe vetëcensurimin si problemet kryesore të gazetarëve. Sipas një sondazhi me 800 profesionistë të medias, i cili u publikua në vitin 2019, 62 për qind e pjesëmarrësve mendonin se kishte ndërhyrje nga individë ose nga politika, 60 për qind mendonin se kishte ndërhyrje nga pronarë të medias, 39 për qind mendonin se kishte vetëcensurim dhe 31 për qind mendonin se kishte korrupsion në media. Rreth 78 për qind e profesionistëve të medias mendonin se kishte gazetarë të cilët ishin përfshirë në praktika korruptive për të mos raportuar saktë ngjarje.
Në korrik, pas kritikave nga reporterët, mediat dhe shoqatat e gazetarëve, parlamenti tërhoqi vendimin e marrë më parë për të kufizuar aksesin fizik të reporterëve në mjediset e Kuvendit dhe në takimet e komisioneve të përhershme.
Përpara zgjedhjeve parlamentare të prillit, mediat dhe shoqatat e gazetarëve u ankuan në lidhje me mungesën e aksesit të pavarur të medias në aktivitetet e fushatës që organizoheshin nga partitë politike, të cilat preferonin t’u jepnin mediave vetëm njoftimet e tyre të redaktuara brenda partisë.
Ligjet për shpifjen: Ligji lejon partitë politike të ngrenë akuza penale dhe të marrin kompensim financiar për fyerje ose publikim të qëllimshëm të informacionit të pavërtetë. OJQ-të raportuan se gjobat ishin tejet të larta dhe, bashkë me regjistrimin e dënimit në të dhënat penale të të pandehurit, cenonin lirinë e shprehjes. UGSH-ja shprehu shqetësimin se, deri në muajin shtator, kishte më shumë se 20 padi ndaj gazetarëve, kryesisht për shpifje.
Në vitin 2019, Parlamenti miratoi legjislacionin e ashtuquajtur paketa anti-shpifje, i cili amendoi ligjet ekzistuese për median për të trajtuar shpifjen. OJQ-të dhe disa organizata ndërkombëtare i kritikuan këto amendime, duke nxitur kështu debat publik, dhe presidenti e riktheu ligjin në parlament. Në korrik të vitit 2020, Komisioni i Venecias e deklaroi ligjin problematik dhe këshilloi që ai të mos miratohej ashtu siç ishte hartuar. Legjislacioni mbeti në pritje.
Liria e internetit
Qeveria nuk e kufizoi dhe nuk e ndërpreu mundësinë e shfrytëzimit të internetit, as nuk e censuroi përmbajtjen online. Nuk pati raportime të besueshme që qeveria të ketë monitoruar komunikimet private online pa autoritetin e duhur ligjor për ta bërë këtë.
Liria akademike dhe aktivitetet kulturore
Nuk pati kufizime nga qeveria të lirisë akademike apo aktiviteteve kulturore.
Liria për grumbullimin paqësor dhe formimin e shoqatave
Kushtetuta dhe ligji garantojnë liritë e grumbullimit paqësor dhe grupimit në shoqata dhe qeveria në përgjithësi i respektoi këto të drejta.
Liria e fesë
Shikoni Raportin Ndërkombëtar për Lirinë e Fesë nga Departamenti i Shtetit në faqen: https://www.state.gov/religiousfreedomreport/.
Liria e lëvizjes dhe e drejta për t’u larguar nga vendi
Kushtetuta dhe ligji garantojnë lirinë e lëvizjes së brendshme, udhëtimeve jashtë vendit, emigracionin dhe riatdhesimin, e në përgjithësi qeveria i respektoi këto të drejta.
Lëvizja brenda vendit: Për të përfituar shërbimet shtetërore, individët që ndryshojnë vendbanimin brenda vendit duhet të transferojnë gjendjen civile në komunitetin e ri ku vendosen dhe duhet të provojnë ligjshmërinë e banesës së re nëpërmjet dokumentit të pronësisë, një kontrate qiramarrjeje të banesës, ose faturave të ujit dhe të dritave. Shumë individë nuk mund të siguronin provë banese dhe si rrjedhojë nuk patën mundësi të shfrytëzonin shërbimet publike. Qytetarë të tjerë, në veçanti të komuniteteve rome dhe egjiptiane-ballkanike, nuk ishin të regjistruar formalisht në komunitetet ku banonin. Ligji nuk e ndalon regjistrimin e tyre, por ky shpesh ishte i vështirë për t’u realizuar. Shumë romë dhe egjiptiano-ballkanas nuk patën mundësitë financiare apo informacionin e domosdoshëm për t’u regjistruar.
Statusi i personave të zhvendosur brenda vendit dhe trajtimi i tyre
E pavlefshme.
Mbrojtja e refugjatëve
Qeveria bashkëpunoi me Zyrën e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) dhe organizata të tjera humanitare për të siguruar mbrojtje dhe asistencë për refugjatët, azilkërkuesit, personat pa shtetësi dhe persona të tjerë në nevojë.
Në gusht qeveria, në bashkërendim me organizata private, nisi pranimin e personave afganë të larguar nga vendi i tyre që kërkonin mbrojtje pas ndryshimit të qeverisë së Afganistanit. Si rrjedhojë, mbi 2400 afganë morën status mbrojtjeje të përkohshme nga qeveria shqiptare.
Mundësia për azil: Ligji parashikon dhënien e azilit ose të statusit refugjat dhe qeveria ka ngritur një sistem për sigurimin e mbrojtjes për refugjatët.
Në shkurt u miratua një ligj i ri për azilin (Ligji për Azilin nr. 10/121) i cili zgjeron afatet për dhënien ose refuzimin e kërkesës për azil nga 51 ditë në gjashtë muaj nga data e bërjes së kërkesës, me mundësinë e shtyrjes prej tre deri në 21 muaj, nën rrethana të caktuara.
Deri në 31 gusht, pesë persona kishin bërë kërkesë për azil në Drejtorinë e Azilit, të Huajve dhe Shtetësisë. UNHCR-ja i mbështeti kërkesat e katër personave të cilëve u ishte refuzuar azili.
Policia lejoi UNHCR-në, Zyrën e Avokatit të Popullit dhe OJQ-në “Caritas” të monitoronte aksesin e të mbërriturve në procedurat kombëtare dhe kthimin e personave në vendet nga kishin ardhur. Monitoruesit raportuan se procedurat e kontrollit paraprak shpesh bëheshin të shkurtuara, gjë që ngrinte shqetësim për mundësinë për azil dhe identifikimin e viktimave të mundshme të trafikimit. Avokati i Popullit dhe “Caritas”-i u lejuan gjithashtu të monitoronin ndalimin e migrantëve.
UNHCR-ja raportoi disa raste kur policia e kufirit kishte kthyer migrantët në Greqi pavarësisht se ata deklaronin qëllimin e tyre për të kërkuar azil. Autoritetet ndaluan 6 521 migrantë të parregullt të cilët hynë në vend në periudhën janar – gusht, kryesisht në kufirin jugor të vendit me Greqinë; shumica e atyre që nuk kërkuan azil u deportuan në Greqi brenda 24 orësh. Migrantët e kapur më tej brenda territorit mund të qëndronin për disa javë në qendrën e mbyllur të ndalimit të migrantëve në Karreç në pritje të deportimit.
Migrantët që kërkonin azil u strehuan në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit në Babrru. Shumë prej migrantëve të parregullt të vendosur në Babrru u kapën më vonë përsëri duke u përpjekur të kalonin në Malin e Zi dhe Kosovë në vend që të qëndronin në vend për të vijuar me kërkesat për azil. Qendrat e Karreçit dhe Babrrusë u përballën me kufizime në fonde. Nga fundi i vitit 2020, UNHCR-ja mbështeti rehabilitimin e një pjese të Babrrusë në gjendje të akomodonte 30 azilkërkues dhe fëmijë të pashoqëruar dhe të ndarë. Në muajin gusht, Ministria e Brendshme rishpërndau fondet në buxhetin e shtetit, duke alokuar afërsisht 56 500 euro (65 000 dollarë) për rinovimin dhe rritjen e kapacitetit për pritje.
Vend i sigurt origjine/Tranzit: Ligji kufizon individët nga vende origjine të sigurta ose tranziti të kërkojnë azil ose të marrin statusin refugjat. UNHCR-ja raportoi se ishte refuzuar një kërkesë për azil bazuar në listën e vendeve të sigurta që disponon qeveria, përfshirë Greqinë.
Abuzimi me migrantët dhe refugjatët: OJQ-të raportuan shqetësime në lidhje me fëmijë të huaj e të ndarë të pashoqëruar të cilët u përballën me riskun e dhunës, abuzimit, neglizhencës dhe shfrytëzimit për shkak të mungesës së një sistemi të fortë mbrojtjeje. OJQ-ja “Nisma ARSIS” mbështeti gjashtë raste fëmijësh të pashoqëruar të cilët mbërritën në vend gjatë vitit deri në muajin shtator. OJQ-të e konsideronin qendrën e ndalimit të migrantëve në Karreç të papërshtatshme për fëmijët dhe familjet. Qeveria bëri përpjekje të shmangte dërgimin e fëmijëve atje, duke i dërguar ata në qendrën e hapur për azilkërkues në Babrru.
Punësimi: Sipas ligjit të ri të azilit, refugjatët mund të kërkojnë autorizim për punësim. Nëse nuk u është komunikuar asnjë vendim brenda nëntë muajsh, autorizimi për punësim garantohet automatikisht.
Mundësi shfrytëzimi të shërbimeve bazë: Ligji u garanton refugjatëve mundësi përdorimi të shërbimeve publike, përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor, strehimin, zbatimin e ligjit, gjykatat dhe procedurat gjyqësore, si edhe ndihmën ligjore.
Personat pa shtetësi
Policia nuk raportoi persona pa shtetësi në vend deri në muajin gusht.
Sipas statistikave të UNHCR-së, përafërsisht 700 persona në rrezik për pashtetësi u identifikuan gjatë mandatit të agjencisë për mungesën e shtetësisë deri në muajin nëntor. Prej këtyre, afro 380 ishin regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Qeveria nuk disponon të dhëna në lidhje me numrin e plotë të personave pa shtetësi ose personave në rrezik për humbje të shtetësisë në vend. Ligji i vitit 2021 për të Huajt përcakton një procedurë për përcaktimin e pashtetësisë. UNHCR-ja dhe parterët e tyre i dhanë mbështetje teknike qeverisë për zbatimin e ligjit.
Seksioni 3. Liria për të marrë pjesë në procesin politik
Kushtetuta dhe ligji u garantojnë qytetarëve mundësinë të zgjedhin qeverinë e tyre në zgjedhje periodike të lira e të drejta të zhvilluara me votim të fshehtë dhe të bazuara në të drejtën universale dhe të barabartë të votës.
Zgjedhjet dhe pjesëmarrja politike
Zgjedhjet e fundit: Zgjedhjet më të fundit kombëtare parlamentare u organizuan në 25 prill. Një Mision Ndërkombëtar Vëzhgimi për Zgjedhjet (IEOM) u krijua si përpjekje e përbashkët e zyrës së OSBE-së për Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Në raportin e tyre përfundimtar për zgjedhjet, IEOM-i raportoi se zgjedhjet ishin në përgjithësi të mirë-organizuara dhe vërejtën se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) “ia doli të përmbushte mjaftueshëm shumicën e detyrimeve që kishte, përfshirë detyrime të reja të ndërlikuara lidhur me identifikimin elektronik të votuesve. Në tërësi, administrimi i zgjedhjeve në të gjitha nivelet
pati besimin e aktorëve.” IEOM-i raportoi se “partia në pushtet pati avantazh të konsiderueshëm prej të qenit në pushtet, përfshirë kontrollin që kishte në administratat vendore dhe nga keqpërdorimi i burimeve administrative. Kjo u shumëfishua nga mbulimi pozitiv i institucioneve shtetërore në media.” Misioni theksoi gjithashtu disa mangësi, përfshirë deklarata të besueshme për blerjen e përhapur të votave nga partitë politike dhe rrjedhjen e të dhënave personale të ndjeshme. Raporti nxori se gazetarët mbetën të cenueshëm nga presioni dhe korrupsioni.
Zgjedhjet vendore u mbajtën në vitin 2019. Partia kryesore e opozitës dhe partitë e tjera bojkotuan zgjedhjet, me pretendimin se qeveria kishte bashkëpunuar me krimin e organizuar për të kryer mashtrim zgjedhor. Misioni i OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve raportoi se, për shkak të bojkotit, “votuesit nuk kishin zgjedhje kuptimplotë mes mundësive politike” dhe “pati pretendime të besueshme nga qytetarë të cilëve u ishte bërë presion nga të dyja anët.”
Partitë politike dhe pjesëmarrja politike: Mediat raportuan pretendime për përdorimin e burimeve publike për qëllime fushate partiake në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe pati raportime për ndikim të paligjshëm politik në media. Pati gjithashtu raportime për mundësi të kufizuara votimi për personat me aftësi të kufizuara.
Pjesëmarrja e grave dhe pakicave: Nuk ka ligje që të kufizojnë pjesëmarrjen e grave dhe anëtarëve të grupeve të pakicave në procesin politik dhe këta morën pjesë. Pas zgjedhjeve të vitit 2021, gratë zinin një numër rekord me 32 për qind të vendeve në Kuvend. Pas një riorganizimi të madh në qeveri, gratë mbanin 12 nga 17 pozicionet në kabinet.
Ligji orientues i zgjedhjeve të anëtarëve të Kuvendit kërkon që 30 për qind e kandidatëve të jenë gra dhe që gratë të bëjnë pjesë në 30 për qind të posteve me emërim dhe me zgjedhje. Sipas raportit përfundimtar të IEOM-it për zgjedhjet e 25 prillit, partitë kryesore u përpoqën të rritnin dukshmërinë e grave si kandidate në fushatë dhe kuota e detyrueshme për gratë u tejkalua në shumicën e listave të kandidatëve. Kandidatet gra dhe aktorë të tjerë patën vetëm 19 për qind të mbulimit të fushatës në lajme dhe programe të ngjarjeve të ditës në mediat e monitoruara nga IEOM-i dhe gratë nuk ishin të mirë-përfaqësuara gjatë gjithë administrimit të zgjedhjeve.
Raporti përfundimtar për zgjedhjet i IEOM-it deklaroi se disa parti raportuan të kishin persona që u përkasin pakicave kombëtare mes anëtarëve dhe kandidatëve të tyre. Aty ku personat që u përkasin pakicave kombëtare qëndronin si kandidatë në partitë kryesore, ata ose i përkisnin partive më të vogla ose shfaqeshin nga fundi i listave të kandidatëve të partive kryesore. KQZ-ja kreu një fushatë për edukimin e votuesve, përfshirë veprimtari që synonin votuesit për herë të parë dhe grupet e cenueshme. Temat e tyre përfshinin konceptin e identifikimit të ri elektronik të votuesve, formatin e ri të fletës së votimit, procedurat e votimit dhe blerjen e votës. Reklamat u shfaqën në televizor dhe u vendosën në rrjete sociale me titra në gjuhët e pakicave.
Seksioni 4. Korrupsioni dhe mungesa e transparencës në qeveri
Ligji parashikon dënime penale për korrupsionin e kryer nga zyrtarët publikë, dhe ndalon gjithashtu individët me dënime penale nga poste shërbimi si kryetarë bashkiakë, deputetë ose në poste qeveritare ose shtetërore, por qeveria nuk e zbatoi ligjin me efektshmëri. Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe zyrtarët shpesh përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Deri në shtator, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) deklaroi se kishte nisur hetime dhe kishte ngritur akuza ndaj disa zyrtarësh publikë, përfshirë ish-ministra, kryetarë bashkie, ish-gjyqtarë e gjyqtarë në detyrë të Dhomës së Apelimit të Vetingut të Gjykatës Kushtetuese, ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe zyrtarë në degën ekzekutive. Deri në muajin shtator, një gjyqtar, dy prokurorë, një kryetar bashkie dhe një ish-drejtor prokurimesh në Ministrinë e Brendshme u paditën për abuzim me detyrën ose me akuza për korrupsion.
Kushtetuta u kërkon gjyqtarëve dhe prokurorëve t’i nënshtrohen vlerësimit për pasuri të pashpjegueshme, lidhje me krimin e organizuar dhe aftësitë profesionale. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kreu verifikimet dhe Dhoma e Apelimit rishikoi vendimet e kontestuara. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i përbërë nga ekspertë ligjorë ndërkombëtarë, mbikëqyri procesin. Deri në muajin nëntor, ishin larguar nga detyra 125 gjyqtarë dhe prokurorë, 103 ishin konfirmuar në detyrë, ndërkohë që 48 të tjerë kishin dhënë dorëheqjen për të mos iu nënshtruar vetingut. Deri në muajin korrik, 173 gjyqtarë dhe prokurorë ishin pushuar, 148 ishin konfirmuar ndërsa 89 kishin dhënë dorëheqjen ose ishin tërhequr.
Disa agjenci qeveritare hetuan raste korrupsioni, por burimet e kufizuara, rrjedhja e informacionit gjatë hetimit, presioni i vërtetë politik apo i perceptuar si i tillë, si edhe sistemi pa plan i riemërimeve penguan hetimet.
Korrupsioni: Nga muaji janar deri në muajin qershor, Prokuroria e Përgjithshme menaxhoi në total 41 çështje, përfshirë 25 çështje të trashëguara nga viti 2020, nëntë çështje të reja, 5 çështje të pushuara dhe dy çështje për të cilat nuk kishin nisur procedimet gjyqësore.
Nga muaji janar deri në gusht, SPAK-u procedoi 606 çështje, nga të cilat 264 ishin të saporegjistruara (218 çështje për akuza korrupsioni dhe 46 për krim të organizuar), dhe u akuzuan 133 persona (84 me akuza për korrupsion dhe 49 për krim të organizuar). Në tërësi u dënuan 127 persona. Vlera e pasurive të konfiskuara nga vendimi i gjykatës shkonte në më shumë se 70 milion euro (80.5 milion dollarë). Ndonëse prokurorët përparuan dukshëm në ndjekjen e çështjeve për korrupsion për sektorin publik të ulët dhe të mesëm, shkalla e procedimit për zyrtarë të lartë mbeti e ulët. Gjykata e Lartë po shqyrtonte çështjen kundër një ish-ministri të brendshëm (deklaruar fajtor për shpërdorim detyre për lehtësimin e trafikimit ndërkombëtar të drogës) dhe një zyrtar vetingu (deklaruar fajtor për falsifikim dokumentesh). Gjykata e Apelit po shqyrtonte çështjen e një ish-prokurori të përgjithshëm i deklaruar fajtor nga një gjykatë me akuzën për fshehje pasurish. Çështja kundër një ish-ministri mbrojtjeje me akuza për korrupsion u rihap gjithashtu.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit raportoi se deri në muajin gusht kishte referuar katër çështje të reja në prokurori, përfshirë një deputet, një kryetar bashkie, një drejtor të përgjithshëm të administratës publike dhe një prokuror. Akuzat përfshinin refuzim të deklarimit të pasurive, fshehje të pasurive ose falsifikim të deklarimit të pasurive, pastrim parash dhe evazion taksash.
Korrupsioni i policisë mbeti problem. Deri në muajin gusht, SHÇBA-ja mori 1 155 ankesa të cilat ishin brenda juridiksionit të shërbimit të saj dhe i vendosi ato në Sistemin e Menaxhimit të Çështjeve të SHÇBA-së. Shumica e ankesave aludonin mosveprime, shkelje të procedurave standarde të punës, shpërdorim detyre, veprime arbitrare, njëanshmëri të policisë, gjoba të padrejta dhe korrupsion pasiv. KLSH-ja i referoi prokurorisë 149 çështje që përfshinin 215 zyrtare. Zyra e Avokatit të Popullit shqyrtoi gjithashtu ankesat kundër punonjësve të policisë, kryesisht në lidhje me probleme me arrestimet dhe ndalimet.
Policia nuk e zbatoi ligjin gjithnjë me barazi. Njohjet personale, lidhjet politike ose kriminale, infrastruktura e mangët, mungesa e pajisjeve dhe mbikëqyrja e pamjaftueshme shpesh ndikuan në zbatimin e ligjit. Autoritetet vazhduan t’i trajtonin këto probleme duke rinovuar mjediset e policisë, duke zëvendësuar automjetet me mjete më të mira dhe duke theksuar publikisht masat kundër korrupsionit. Qeveria ka ngritur një sistem për vlerësimin e punonjësve të sigurisë dhe deri në muajin nëntor 2019 kishte përfunduar vetingu për 32 drejtues të niveleve të larta të policisë dhe SHÇBA-së.
Seksioni 5. Qëndrimi qeveritar në lidhje me hetimin ndërkombëtar dhe joqeveritar të dyshimeve për abuzime me të drejtat e njeriut
Grupet vendase dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut vepruan në përgjithësi pa kufizime nga qeveria, duke hetuar dhe publikuar gjetjet e tyre mbi çështje të të drejtave të njeriut. Punonjësit qeveritarë në përgjithësi ishin bashkëpunues dhe reaguan ndaj këndvështrimeve të tyre.
Organizma qeveritare të të drejtave të njeriut: Zyra e Avokatit të Popullit është institucioni kryesor i pavarur për promovimin dhe zbatimin e të drejtave të njeriut. Ky institucion autorizohet nga ligji të monitorojë dhe të raportojë për burgjet dhe qendrat e paraburgimit dhe të kryejë hetime administrative për ankesat nga qytetarët. Megjithëse Zyra e Avokatit të Popullit nuk pati pushtetin të zbatonte vendimet e marra, ajo veproi si monitoruese e akuzave për abuzime me të drejtat e njeriut dhe institucionet bënë përpjekje të përmbushnin rekomandimet e dhëna nga kjo zyrë.
Kuvendi ka komisione për çështjet ligjore, administratën publike dhe të drejtat e njeriut, të cilat vlerësojnë raportin vjetor të Zyrës së Avokatit të Popullit. Komisioni ishte i përfshirë dhe i efektshëm në çështjet ligjore.
Seksioni 6. Diskriminimi dhe abuzimet shoqërore
Gratë
Përdhunimi dhe dhuna në familje: Përdhunimi, përfshirë përdhunimin nga bashkëshorti, përbën krim; ligji përfshin gjithashtu dispozita për ngacmimin seksual. Ndëshkimet për përdhunim dhe sulm seksual varen nga mosha e viktimës. Për përdhunimin e një të rriture, ndëshkimi është nga tre deri në 10 vite burgim. Qeveria nuk e zbatoi efektshëm ligjin. Autoritetet nuk i morën parasysh të dhënat për të reflektuar procedimet për përdhunim nga bashkëshorti. Koncepti i përdhunimit bashkëshortor nuk kuptohej mirë dhe autoritetet shpesh nuk e konsideronin atë krim.
Ligji për dhunën në familje ofron mbrojtje për viktimat në një marrëdhënie ose lidhje/bashkim civil dhe garanton nxjerrjen e urdhrit të mbrojtjes që mbulon automatikisht edhe fëmijët. Në muajin nëntor 2020, Kuvendi amendoi ligjin për të parashikuar urdhërimin e abuzuesit që të largohet nga banesa e viktimës. Policia zbatoi proceset e shpërndarjes së aplikimeve elektronike brenda Sistemit të Menaxhimit të Rasteve në Polici, të cilat lejonin lëshimin e menjëhershëm të urdhrave të mbrojtjes dhe nxirrnin të dhëna për urdhrat e lëshuar. U miratua në qershor një Strategji Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021-2030 dhe plani i veprimit i kësaj strategjie. Ato përqendroheshin në fuqizimin e grave dhe përparimin e barazisë gjinore.
Në muajin prill, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale aprovoi protokollin për administrimin e strehëve për viktimat e dhunës në familje dhe trafikimit gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19. Protokolli siguron shërbime për viktimat e dhunës në familje dhe të trafikimit duke ndjekur njëkohësisht udhëzimet për distancimin social. Ministria postoi një video-mesazh me anë të të cilit u kujtonte qytetarëve të raportonin çdo rast të dyshuar për dhunë në familje dhe vuri në dispozicion një numër telefoni falas, si edhe numrin e policisë, në faqen e internetit.
Deri në muajin gusht, policia raportoi 33 raste dyshimi për sulm seksual. OJQ-të raportuan nivele të larta dhune në familje ndaj grave dhe policia raportoi 3 563 raste dhune në familje deri në muajin gusht. Në 2 205 raste, u lëshua urdhër mbrojtjeje. Deri në muajin gusht, 13 gra ishin vrarë nga partnerët e tyre.
Shërbimet Sociale të shtetit raportuan se 30 gra dhe 33 fëmijë u sistemuan në qendrën kombëtare pritëse të viktimave të dhunës në familje deri në muajin gusht. Shërbimet sociale raportuan gjithashtu se kishte 25 qendra të tjera në mbarë vendin të cilat ofronin këshillime dhe shërbime afatgjata për çështje të dhunës në familje. Shërbimet sociale shtetërore u përballën me sfida në lidhje me punësimin dhe arsimimin sepse 75 për qind e të mbijetuarve të dhunës në familje ishin nga zona rurale dhe nuk kishin arsimin e duhur. Qeveria gjithashtu drejtonte një qendër për menaxhimin e krizave për viktimat e sulmit seksual në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë.
Ngacmimi seksual: Ligji ndalon ngacmimin seksual, por zyrtarët rrallë e zbatuan këtë. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi në përgjithësi administroi raste të ngacmimit seksual dhe mundi të vendoste gjoba. Policia raportoi 33 raste ngacmimi seksual deri në muajin gusht.
Të drejtat riprodhuese: Nuk pati raportime për aborte me detyrim apo sterilizim të pavullnetshëm nga ana e autoriteteve qeveritare.
Ndonëse nuk ka pengesa ligjore për të siguruar kontraceptivë, të cilët ofroheshin falas për gratë e siguruara, gratë dhe vajzat shpesh nuk e shfrytëzonin këtë të drejtë për disa arsye, përfshirë frikën e stigmatizimit nga punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe nga anëtarë të komunitetit. Disa gra dhe vajza, veçanërisht ato që jetojnë në zona të largëta rurale, përballeshin me sfida të mëdha në marrjen e shërbimeve të domosdoshme për shëndetin seksual dhe riprodhues. Gratë nga grupe të pafavorizuara dhe të margjinalizuara, si për shembull gratë me aftësi të kufizuara, pjesëtare të komunitetin lezbik, gej, biseksual, transgjinor, queer dhe ndërseksual (LGBTQI+), gratë rome dhe egjiptiane-ballkanike shpesh nuk ishin të ndërgjegjshme për të drejtat e tyre për shërbime të shëndetit riprodhues.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale menaxhoi Qendrën “Lilium” në Tiranë me mbështetjen e Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) për të siguruar shërbime të integruara për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Qendra ishte në një mjedis spitalor dhe ofronte shërbime të kujdesit shëndetësor, shërbime sociale dhe kontrolle mjeko-ligjore në të njëjtin vend nga profesioniste të trajnuar për raste të dhunës seksuale. Kontraceptivë urgjence u dhanë ose u ofruan brenda pesë ditësh pas marrëdhënies seksuale abuzive apo përdhunimit; kontraceptivi u sugjerua të merrej sa më shpejt që të ishte e mundur për të patur efektin maksimal. Që nga krijimi i saj në vitin 2018 deri në muajin korrik, qendra ka dhënë shërbime për 85 të mbijetuar. Të mbijetuarit në zonat e thella të vendit nuk patën shumë mundësi për ndihmë dhe mbështetje në zonat e tyre. Nëse nuk identifikoheshin nga autoritetet dhe të silleshin në Tiranë, ato mundeshin thjesht të referoheshin te strehët për viktimat e trafikimit.
Diskriminimi: Ligji garanton status ligjor dhe të drejta të njëjta për gratë ashtu si edhe për burrat. Gratë ishin më pak të përfaqësuara në shumë fusha, në nivelet e larta. Ligji detyron pagesë të barabartë për punë të barabartë, megjithëse shumë punëdhënës privatë nuk e zbatuan plotësisht këtë dispozitë. Në shumë komunitete, gratë përjetuan diskriminim shoqëror bazuar në normat tradicionale shoqërore të cilat i bëjnë gratë të varura nga burrat.
Pati raportime për diskriminim në punësim. Deri në muajin gusht, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi mori 94 ankesa për diskriminim në punësim, 74 prej të cilave ishin ndaj njësive publike dhe 21 ndaj njësive private. Ankesat ngrinin pretendime për diskriminim bazuar kryesisht në lidhjet politike, kushtet shëndetësore ose në aftësi të kufizuara. Komisioneri vendosi në favor to punëmarrësve në 16 raste, 15 prej të cilave ishin ndaj njësive publike dhe një ndaj një njësie private. Deri në muajin gusht, Komisioneri kishte marrë 17 ankesa për diskriminim me bazë gjinore dhe vendosi në favor të punëmarrësit në dy raste. Deri në muajin gusht, Komisioneri zbuloi pesë raste diskriminimi me bazë aftësie të kufizuar.
Përzgjedhja e seksit të fëmijës sipas parapëlqimit gjinor: Sipas shifrave zyrtare, në vitin 2020 raporti i djemve me vajzat në lindje ishte 107 me 100. Nuk pati përpjekje të mbështetura nga qeveria për të trajtuar këtë disbalancë.
Dhuna dhe diskriminimi sistemik mbi bazë racore dhe etnike
Nuk pati pretendime për diskriminime që u drejtoheshin pjesëtarëve të komuniteteve rome apo egjiptiane-ballkanike, përfshirë në banesa, punësim, kujdes shëndetësor dhe arsim. Komisioneri kundër diskriminimit nxori një raport monitorimi me përqendrim të veçantë te fëmijët në sistemin arsimor, në dhjetor të vitit 2020. Përfundimi i raportit ishte se fëmijët me aftësi të kufizuara dhe ata nga komunitetet rome dhe egjiptiane-ballkanike vazhdonin të përballeshin me diskriminim në arsim.
Deri në muajin gusht, komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi kishte marrë 26 ankesa për diskriminim me bazë race dhe etnie dhe vendosi në favor të ankimuesit në katër raste. Në një rast, komisioneri vendosi kundër një banke në Tiranë dhe kompanisë së sigurisë të kontraktuar prej saj për diskriminimin e klientëve romë të bankës. Banka e apeloi vendimin e diskriminimit të komisionerit në gjykatë.
Qeveria ka një ligj për pakicat zyrtare por nuk i ka miratuar të gjitha rregulloret që nevojiten për ta zbatuar atë. Ligji siguron status pakice zyrtare për nëntë pakica kombëtare pa bërë dallim mes grupeve kombëtare dhe etno-gjuhësore. Qeveria i përkufizoi grekët, maqedonasit, arumunët (vllahët), romët, egjiptiano-ballkanasit, malazezët, boshnjakët, serbët dhe bullgarët si pakica kombëtare. Ligji garanton arsim në gjuhën e pakicave kombëtare dhe përdorim të dygjuhësisë zyrtare për njësitë administrative vendore ku tradicionalisht banojnë pakica ose ku ato përbëjnë 20 për qind të të gjithë popullsisë. Pakicat etnike greke u ankuan në lidhje me mungesën e vullnetit të qeverisë për të njohur komunitetet etnike greke jashtë “zonave të pakicave” të periudhës së komunizmit.
Fëmijët
Regjistrimi i lindjes: Individi merr nënshtetësinë nga lindja në vend ose duke patur një prind nënshtetas. Nuk pati raportime për diskriminim në regjistrimin e lindjes, por kërkesat rënduese për vendbanim dhe dokumente për të kryer regjistrimin paraqitën vështirësi për regjistrimin e fëmijëve për shumë prindër të komuniteteve rome dhe egjiptiane-ballkanike të cilët nuk kishin vendbanime të dokumentuara ligjërisht. Ligji për gjendjen civile jep shtysë financiare për regjistrimin e lindjes.
Fëmijët e lindur nga migrantë të brendshëm, përfshirë disa familje rome ose familje të kthyera nga jashtë shtetit, shpesh nuk kishin certifikata lindjeje apo dokumente të tjera ligjore dhe, si rrjedhojë, nuk mund të ndiqnin shkollën ose të merrnin shërbime shtetërore. Deri në muajin qershor, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve raportoi 25 raste fëmijësh të paregjistruar në regjistrin e gjendjes civile.
Arsimi: Ndjekja e shkollës është e detyruar deri në klasën e nëntë ose deri në moshën 16 vjeçare, cilado vjen e para, por shumë fëmijë, në veçanti në zonat rurale, e lanë shkollën më parë për të punuar me familjet e tyre. Prindërit duhet të blejnë mjetet shkollore, librat, uniformat dhe ngrohëset e klasave në disa klasa; këto ishin aq të shtrenjta sa bëheshin pengesë për shumë familje, në veçanti familjet rome dhe anëtarë të pakicave të tjera. Qeveria dha libra falas për fëmijët deri në klasën e nëntë në sistemin arsimor publik.
Abuzimi i fëmijëve: OJQ-t raportuan se pandemia e COVID-19 e kishte përkeqësuar situatën e grupeve të cenueshme, veçanërisht fëmijëve, në vend. Gjatë vitit, OJQ-ja “Terre des Hommes” referoi 296 fëmijë, të rinj dhe të rritur nga grupe të cenueshme për shërbime, përfshirë 218 në gjendje rruge. OJQ-ja “Nisma ARSIS” ngriti pretendimin se policia ndonjëherë reagonte vonë ose nuk reagonte fare në raste kur shkelej urdhri i mbrojtjes, veçanërisht në rastet që përfshinin familjet rome dhe egjiptiane. Viktimat fëmijë të dhunës në familje në qendrën e emergjencës së “Nisma ARSIS” raportuan dhunën psikologjike, neglizhimin prindëror dhe shfrytëzimin ekonomik si forma të përhapura të abuzimit me fëmijët.
Martesa e fëmijëve, në moshë të hershme dhe me detyrim: Megjithëse mosha minimale me ligj për martesë është 18 vjeç, autoritetet nuk e zbatuan gjithnjë ligjin. Martesat nën moshë ndodhën më shumë në zonat rurale dhe brenda komuniteteve rome. “Nisma ARSIS” raportoi 10 raste të martesave me detyrim në moshë të hershme për fëmijë nga mosha 13 deri në 15 vjeç në komunitete rome dhe egjiptiane-ballkanike. UNICEF-i raportoi se martesa e fëmijëve ne vend nxitej nga pabarazia gjinore, varfëria dhe përjashtimi shoqëror. Qendra për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve në Shqipëri raportoi
fëmijë, veçanërisht vajza, të cilat detyruar të kryenin marrëdhënie seksuale me burra më të mëdhenj në moshë për dhurata, ushqim ose të ardhura shtesë.
Shfrytëzimi seksual i fëmijëve: Ndëshkimet për shfrytëzimin seksual me pagesë të një fëmije variojnë nga tetë deri në 15 vjet burgim. Vendi ka një ligj që dënon përdhunimin; mosha minimale për marrëdhënie seksuale me pëlqim është 14 vjeç. Ndëshkimi i parashikuar me ligj për përdhunimin është burgim nga pesë deri në 15 vjet. Në rrethana të rënduara, ndëshkimi mund të shkojë deri në dënim me burgim të përjetshëm. Ligji ndalon prodhimin ose shpërndarjen e pornografisë me fëmijë; ndëshkimet janë dënim me burg nga tre deri në 10 vjet. Zotërimi i pornografisë me fëmijë është gjithashtu i paligjshëm.
Autoritetet në përgjithësi zbatuan efektshëm ligjin kundër përdhunimit dhe shfrytëzimit seksual të të miturve, por OJQ-të raportuan se rrallë u zbatua ligji që ndalon pornografinë me fëmijë dhe shfrytëzimin e fëmijëve online. Policia raportoi se, deri në muajin gusht, tri fëmijë ishin shfrytëzuar seksualisht. Ministria e Brendshme raportoi se, deri në muajin gusht, 50 nga 73 viktimat ose viktimat e mundshme të trafikimit të identifikuara ishin të mitur.
Një raport i muajit shkurt i CRCA-së për mbrojtjen e fëmijëve dhe zbatimin e ligjit nxori se viktimat fëmijë merrnin pak mbështetje gjatë ose pas raportimit të shfrytëzimit seksual. Gjykimet që u realizuan ishin të gjata. Për një çështje të trajtuar nga Gjykata e Gjirokastrës u deshën 46 takime përpara se të dënohej një mësues i cili kishte shfrytëzuar seksualisht një nxënëse 8-vjeçare.
Fëmijët e zhvendosur: Pati shumë fëmijë të zhvendosur dhe fëmijë në rrugë, në veçanti në komunitetin rom. Disa fëmijë rruge lypnin dhe disa prej tyre u kthyen në viktima trafikimi. Duke qenë se ligji ndalon procedimin penal për vjedhje të fëmijëve nën moshën 14 vjeç, herë pas here banda kriminale përdornin fëmijët e zhvendosur për të plaçkitur shtëpi. Policia raportoi 80 fëmijë nën moshën 18 vjeç të humbur deri në muajin korrik. Nuk kishte një njësi të specializuar policie për personat e humbur. Në vitin 2020, CRCA-ja në Shqipëri dhe Qendra Globale për Fëmijët e Humbur dhe të Shfrytëzuar organizoi një seminar ndërkombëtar për ngritjen e sistemit të Alarmit “Amber” në vend, i cili nuk është ngritur ende.
Fëmijët në institucione përkujdesjeje: Ishin 232 fëmijë në nëntë institucione publike shërbimi për kujdesin e fëmijëve. Familjet kujdestare dhe mundësi të tjera alternative kujdesi nuk përdoreshin sa duhet dhe kujdesi rezidencial publik raportonte numrin më të lartë të fëmijëve. Institucionet me fjetje ofronin kryesisht shërbim për fëmijët jetimë e jo për të mbijetuarit e abuzimit apo neglizhencës. Institucioneve u mungonin shërbimet e specializuara, si për shembull psikoterapistë dhe punonjës socialë, dhe qëndrimet shpesh ishin për periudha të gjata.
Deri në muajin gusht, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve raportoi se kishte 27 të mitur në sistemin e drejtësisë, asnjë prej të cilëve nuk kishte marrë dënimin. Vendit i mungonin mjediset e duhura për paraburgimin e fëmijëve, megjithëse Instituti për të Miturit në Kavajë, i vetmi institucion ne vend për autorët e mitur, ishte i bollshëm për popullatën që kishte. Drejtoria raportoi se numri i të miturve në qendra paraburgimi dhe mjedise paraburgimi ishte ulur për shkak të dënimit alternativ.
OJQ-të raportuan se sistemi për mbrojtjen e fëmijëve në përgjithësi funksiononte, megjithëse njësitë për zbatimin e ligjit nuk kishin mjediset e përshtatshme dhe trajnimin e duhur për teknika të marrjes në pyetje për të miturit sipas moshave në rajone policie dhe në prokurori.
Rrëmbime ndërkombëtare të fëmijëve: Vendi është palë e Konventës së Hagës për Aspektet Civile të Rrëmbimit Ndërkombëtar të Fëmijëve, e vitit 1980. Shikoni Raportin Vjetor për Rrëmbimin Ndërkombëtar Prindëror të Fëmijëve të Departamentit të Shtetit në faqen: https://travel.state.gov/content/travel/en/International-Parental-Child-Abduction/for-providers/legal-reports-and-data/reported-cases.html.
Antisemitizmi
Raportet tregojnë se pati 40 deri në 50 hebrenj që jetonin në vend. Nuk pati raportime për veprime antisemitizmi.
Trafikimi i personave
Shikoni Raportin mbi Trafikimin e Personave të Departamentit të Shtetit në faqen: https://www.state.gov/trafficking-in-persons-report/.
Personat me aftësi të kufizuara
Kushtetuta dhe ligjet e vendit ndalojnë diskriminimin e personave me aftësi të kufizuara fizike, ndjesore, intelektuale dhe mendore. Megjithatë, punëdhënësit, shkollat, ofruesit e shërbimit shëndetësor dhe ofruesit e shërbimeve të tjera shtetërore herë pas here u përfshinë në diskriminim. Ligji urdhëron që ndërtesat e reja publike të ofrojnë mundësi të arritshme për personat me aftësi të kufizuara, por qeveria e zbatoi ligjin vetëm në mënyrë sporadike. Në muajin maj, qeveria miratoi Planin Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara 2021-2025, ku aksesi është një nga përparësitë kryesore.
Deri në muajin gusht, komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi kishte marrë 33 ankesa për pretendime diskriminimi kundër personave me aftësi të kufizuara dhe vendosi në favorin e ankimuesve në pesë raste. Në një rast, komisioneri vendosi kundër zyrës postare vendore për mungesë aksesueshmërie. Nuk pati raportime të bëra me dije për dhunë, ngacmim apo abuzim fizik kundër personave me aftësi të kufizuara fizike.
Qeveria sponsorizoi agjencitë për shërbime sociale për mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, por këto agjenci nuk kishin fonde për të zbatuar programet e tyre në masën e duhur. Kufizimet në burime dhe mungesa e infrastrukturës vështirësuan mundësitë e personave me aftësi të kufizuara për të marrë pjesë plotësisht në çështjet civile. Qendrat e votimeve shpesh ishin në mjedise ku mungonin aksesi dhe akomodime të tjera. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (Ministria e Shëndetësisë) përmirësoi aksesin në ndërtesë në 28 qendra shëndetësore dhe në shkollat e rikonstruktuara rishtas pas tërmetit me mbështetjen e UNDP-së. Një raport i muajit dhjetor 2020 nga komisioneri kundër diskriminimit dilte në përfundimin se vetëm 60 për qind e shkollave në vend ishin pjesërisht ose tërësisht të aksesueshme nga fëmijët me aftësi të kufizuara.
Qeveria dha fonde që synonin të shkonin drejt projekteve për shërbime të kujdesit social për persona me aftësi të kufizuara në bashkitë e Librazhdit, Lushnjës, Lezhës, Rrogozhinës, Kavajës dhe Tiranës, për financimin e qendrave ditore, shërbime lëvizshmërie për fëmijë me aftësi të kufizuara dhe shërbime të integruara komunitare për fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara. Gjatë vitit, parlamenti miratoi ligjin nr. 82/2021, Për Përkthimin Zyrtar dhe Profesionin e Përkthyesit Zyrtar, i cili përcakton rolin e përkthyesve të gjuhës së shenjave dhe garanton të drejtën për përkthim për punë zyrtare.
Ministria e Shëndetësisë raportoi se 697 persona me aftësi të kufizuara të papunësuar ishin të regjistruar në zyrat e punës deri në muajin prill. Vetëm 18 persona me aftësi të kufizuara ishin të punësuar deri në muajin korrik, ndërsa 58 morën trajnime profesionale.
Numri i fëmijëve me aftësi të kufizuara në arsim publik u rrit në vitin akademik 2020-21. Gjatë vitit, 4 131 nxënës me aftësi të kufizuara ndoqën mësimet në institucione arsimore publike dhe private të paspecializuara duke nisur nga klasa parashkollore. Gjatë vitit, përafërsisht 11.5 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara të regjistruar në arsim parauniversitar ndoqën institucione të arsimit të veçantë.
Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut raportoi se shumica e qendrave të votimit për zgjedhjet e 25 prillit të vizituara nga ekipi i monitorimit nuk ishin pa pengesa për persona me aftësi të kufizuara fizike.
Stigma sociale lidhur me HIV-in dhe SIDA-n
Ligji ndalon diskriminimin ndaj personave me HIV ose SIDA. Shoqata Shqiptare e Njerëzve që Jetojnë me HIV dhe SIDA raportoi se stigma dhe diskriminimi përbënin shkaqe që individët të mos testoheshin për të parë nëse kishin HIV, gjë që çon në diagnostikimin e vonuar dhe si rrjedhojë marrje të vonuar të shërbimeve të kujdesit dhe mbështetjes. Personat që jetojnë me HIV dhe SIDA u përballën me diskriminim në punësim dhe me çështje në lidhje me ri-integrimin profesional dhe fëmijët që jetonin me HIV u përballën me diskriminim në shkollë. Shoqata Shqiptare e Njerëzve që Jetojnë me HIV dhe SIDA raportoi vonesa në shërbim dhe probleme të tjera pasi Klinika e Sëmundjeve Infektive u kthye në spital për trajtimin e COVID.
Aktet e dhunës, kriminalizimit dhe abuzime të tjera të bazuara në orientimin seksual dhe identitetin gjinor
Ligji ndalon diskriminimin e bazuar në orientimin seksual, përfshirë edhe në punësim. Zbatimi i ligjit në përgjithësi ishte i dobët. Plani Kombëtar i Veprimit LGBTI përfundoi në vitin 2020 dhe po hartohej një i ri për periudhën 2021-27. Deri në muajin gusht, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi kishte marrë njoftim për shtatë raste diskriminimi mbi bazë orientimi seksual, identiteti gjinor, apo të dyja. Shumica e këtyre rasteve ishin duke u shqyrtuar. Në një rast, komisioneri vendosi kundër një kompanie taksish në Tiranë që kishte refuzuar të ofronte shërbime për persona transgjini. Kompania ende nuk i ishte përgjigjur komisionerit. Raportet treguan se personat LGBTQI+ vazhdonin të kërkonin azil në vendet e BE-së.
Orientimi seksual dhe identiteti gjinor janë ndër klasat e mbrojtura nga ligji i vendit për krimet e urrejtjes. Pavarësisht ligjit dhe mbështetjes formale të qeverisë për të drejtat, zyrtarët publikë ndonjëherë bënë deklarata homofobe. Disa raste pohimesh urrejtjeje ndodhën online dhe në media pasi një aktivist LGBTQI+ sugjeroi ndryshimin e ligjit për të mundësuar regjistrimin e fëmijëve të çifteve LGBTQI+. OJQ-të e raportuan rastin te komisioneri kundër diskriminimit dhe tek Avokati i Popullit. Institucionet qeveritare nuk reaguan ndaj kësaj polemike.
Disa person u arrestuan për sulmin fizik ndaj një personi transgjini. Deri në muajin gusht, streha e shërbimeve, OJQ-ja “Streha” kishte ndihmuar 72 të rinj LGBTQI+ që ishin përballur me dhunë ose diskriminim në familjet e tyre ose në komunitet. Ministria e Shëndetësisë rriti mbështetjen për strehët duke mbuluar kostot e pagave të stafit të strehëve. Kostot e tjera të strehëve, përfshirë ushqimin, medikamentet dhe qiranë e strehës mbetën të mbuluara nga donatorët.
Seksioni 7. Të drejtat e punëtorëve
Liria e grupimit në shoqata dhe e drejta për marrëveshje kolektive
Ligji, rregulloret përkatëse dhe statutet parashikojnë të drejtën për shumicën e punëtorëve të formojnë sindikata të pavarura, të kryejnë greva të ligjshme dhe të bëjnë marrëveshje kolektive. Ligji ndalon diskriminimin ndaj sindikatave dhe siguron rikthimin në punë për punëtorët e pushuar për shkak të veprimtarisë në sindikatë.
Ligji i ndalon anëtarët e ushtrisë dhe zyrtarët e lartë të qeverisë të bëhen pjesë e sindikatave dhe kërkon që një sindikatë të ketë së paku 20 anëtarë që të mund të regjistrohet. Ligji siguron të drejtën për të bërë grevë për të gjithë punonjësit me përjashtim të personelit të domosdoshëm mjekësor dhe spitalor, të personave që ofrojnë shërbime të kontrollit të trafikut ajror ose shërbime të burgjeve dhe punonjësve të repartit të zjarrfikësve. Veprimtaria e grevës ndalohet në “raste të veçanta”, si për shembull në rast katastrofe natyrore, gjendjeje lufte, situatash të jashtëzakonshme dhe rastesh kur liria e zgjedhjeve është në rrezik.
Ligji siguron mbrojtje të kufizuar për punonjësit që ofrojnë shërbime shtëpiake dhe punonjësit migrantë. Sindikatat e punonjësve në përgjithësi ishin të dobëta dhe të politizuara. Punonjësit që përfshihen në greva të paligjshme mund të detyrohen të paguajnë për dëmet e shkaktuara për shkak të veprimeve të grevës.
Zbatimi i ligjit nga qeveria mbeti gjerësisht jo i efektshëm. Burimet për të kryer inspektime dhe për të kompensuar shkeljet ishin të pamjaftueshme. Inspektorati i Punës inspektoi 8 për qind të bizneseve në vend. Ndëshkimet rrallë u zbatuan dhe nuk ishin të njëjta me ndëshkimet sipas ligjeve të tjera që mbulojnë mohimin e të drejtave civile. Nga 5 gjobat që u vendosën, vetëm 17 u mblodhën deri në korrik. Procedurat administrative dhe gjyqësore iu nënshtruan vonesave të gjata dhe apelimeve. Procedurat e arbitrazhit lejuan vonesa të mëdha të cilat kufizuan mbrojtjen e punonjësve kundrejt veprimtarisë kundër sindikatës.
Punonjësit civilë në të gjitha fushat kanë të drejtë kushtetuese të organizohen dhe të bëjnë marrëveshje kolektive dhe ligji përcakton procedurat për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve nëpërmjet marrëveshjeve për bisedime kolektive. Sindikatat që përfaqësonin punëmarrësit e sektorit publik bënë marrëveshje drejtpërdrejt me qeverinë. Bisedimet kolektive të efektshme mbetën të vështira sepse punëmarrësit shpesh u bënin rezistence organizimit të sindikatave dhe veprimtarive të tyre. Në këtë mjedis, marrëveshjet e bisedimeve kolektive, edhe kur arriheshin të bëheshin, ishin të vështira për t’u zbatuar.
Ndalimi i punës me detyrim
Ligji ndalon të gjitha format e punës me detyrim, por qeveria nuk e zbatoi gjithmonë efektshëm ligjin. Mungesa e bashkërendimit mes ministrive dhe zbatimi sporadik i procedurave standarde të veprimit penguan zbatimin. Ndëshkimet për shkeljet ishin të njëjta me ato për krime të tjera të rënda, por ato rrallë u zbatuan. Disa organizata të zbatimit të ligjit dhe avokatët e viktimave në prokurori u trajnuan për qasjen me në qendër viktimën për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore. Qeveria vazhdoi të identifikonte viktima të punës së detyruar dhe procedoi penalisht e dënoi një numër të vogël trafikuesish.
Inspektorati i Punës nuk raportoi asnjë rast pune të detyruar në sektorin formal gjatë këtij viti. (Shikoni Seksionin 7.c. për raste që përfshijnë fëmijët në punën e detyruar në sektorin informal.)
Shikoni gjithashtu Raportin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore të Departamentit të Shtetit në faqen: https://www.state.gov/trafficking-in-persons-report/.
Ndalimi i punës së të miturve dhe mosha minimale për punësim
Ligji ndalon shumicën e formave më të keqe të punës së fëmijëve, por ka boshllëqe në kuadrin ligjor, si për shembull mungesa e ndalimeve të përdorimit të fëmijëve në veprimtari të paligjshme. Ligji përcakton si moshë minimale për punësim moshën 16 vjeçare, por lejon fëmijët në moshën 15 vjeç të punësohen në punë “të lehta” të cilat nuk ndërhyjnë në shkollimin e tyre. Fëmijët nën moshën 18 vjeç mund të punojnë përgjithësisht vetëm në punë të kategorizuara si “të lehta.” Fëmijët mund të punojnë deri në dy orë në ditë dhe deri në 10 orë në javë kur janë duke ndjekur shkollën gjatë vitit akademik dhe deri në gjashtë orë në ditë dhe deri në 30 orë në javë kur janë me pushime nga shkolla. Fëmijët nga mosha 16 deri në moshën 17 vjeç mund të punojnë deri në gjashtë orë në ditë dhe deri në 30 orë në javë nëse puna është pjesë e arsimit profesional të tyre. Sipas ligjit, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH), nën Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë, është përgjegjës për zbatimin e kërkesave të moshës minimale nëpërmjet gjykatave, por ky inspektorat nuk e zbatoi mjaftueshëm ligjin. Ndëshkimet për shkelje rrallë u vlerësuan dhe nuk të njëjta me ato për krime të tjera të rënda.
Inspektorët e punës hetuan sektorin formal të punës, ndërkohë që pjesa më e madhe e punës së të miturve kryhej në sektorin informal. Pati fëmijë që u përfshinë në mbledhjen e materialeve të riciklueshme metal dhe plastikë, të korrave bujqësore në ferma të vogla, shitje mallrash të vogla në sektorin informal, shërbim pijesh dhe ushqimi në bare dhe restorante, në industrinë e rrobave dhe në
miniera. Pati raportime se fëmijët punonin si shitës në dyqane, në lavazhe për larje makinash, si punëtorë në fabrika tekstilesh ose si lustraxhinj për lyerje këpucësh. Numri i fëmijëve të përfshirë në veprimtari rruge (si për shembull lypje ose shitje mallrash) u rrit gjatë verës, veçanërisht rreth zonave turistike. OJQ-ja “Nisma ARSIS” raportoi rritje të numrit të fëmijëve në gjendje rruge të cilët përdoreshin për shpërndarje droge.
Pati fëmijë të cilët u bënë pre e lypjes dhe veprimtarisë kriminale me detyrim. Disa prej fëmijëve që lypnin në rrugë ishin lypsa brej dy ose tre brezash. Kërkimet tregojnë se lypja ka nisur që në moshën katër ose pesë vjeçare. Ndonëse ligji e ndalon shfrytëzimin e fëmijëve për lypje, policia në përgjithësi nuk e zbatoi ligjin, megjithëse bënë përpjekje më të mëdha për ta zbatuar gjatë këtij viti. Në disa raste, policia ndaloi prindërit e fëmijëve të gjetur duke lypur në rrugë dhe i referoi fëmijët në kujdesin përkatës për shërbimet e fëmijëve. Agjencia Shtetërore për të Drejtat e Fëmijëve vazhdoi të identifikonte dhe administronte rastet e fëmijëve të rrugës të identifikuara nga njësi të lëvizshme identifikimi.
Në vitin 2013, viti më i afërt për të cilin ka statistika të disponueshme, agjencia qeveritare e statistikave dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës përllogaritën se 54 000 fëmijë ishin përfshirë në punë të detyruar brenda vendit. Një numër prej 43 000 fëmijësh punonin në fermë dhe peshkim, 4 400 në sektorin e shërbimeve dhe 2 200 në hotele dhe restorante. Afërsisht 5 për qind e fëmijëve ishin punonjës të mitur. Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve identifikoi 166 fëmijë në gjendje rruge deri në muajin qershor.
ISHPSHSH-ja nuk kryente inspektim për punonjësit e mitur përveçse kur kishte ndonjë ankesë specifike. Shumica e inspektimeve të punës u kryen në fabrika këpucësh dhe tekstilesh, në call centers dhe në ndërmarrje të shitjes me pakicë; zyrtarët gjetën disa raste të punësimit të të miturve gjatë inspektimeve të tyre. Deri në muajin korrik, ISHPSHSH-ja raportoi 91 fëmijë nën moshën 18 vjeçare të regjistruar për punë, 40 prej të cilëve ishin të punësuar në sipërmarrje prodhimi dhe 42 në industrinë e hoteleve, bareve dhe restoranteve.
OJQ-ja “Terre des Hommes” raportoi se pandemia e COVID-19 mund t’i ketë përkeqësuar shkeljet e legjislacionit për punën e të miturve. Kufizimi i lëvizjes dhe masat e tjera kundër COVID-19 sollën prirje të reja shfrytëzimi, si për shembull lypja derë-më-derë dhe punë rruge gjatë pasdites dhe natës.
Shikoni gjithashtu Të Dhënat mbi Format më të Këqija të Punës së të Miturve të Departamentit të Shtetit në faqen: https://www.dol.gov/agencies/ilab/resources/reports/child-labor/findings.
Diskriminimi në lidhje me punësimin dhe zanatin
Ligjet e punës ndalojnë diskriminimin në punësim për shkak të racës, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, moshës, aftësive të kufizuara fizike ose mendore, besimeve politike, gjuhës, kombësisë, fesë, familjes, statusit HIV/SIDA ose origjinës shoqërore. Qeveria nuk e zbatoi ligjin dhe ndëshkimet për shkeljet nuk ishin në përpjesëtim të drejtë me ato që jepeshin sipas ligjeve të tjera lidhur me mohimin e të drejtave civile. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi raportoi se shumica e pretendimeve për diskriminim përfshinin racën, orientimin seksual, gjendjen ekonomike ose aftësinë e kufizuar.
Ka ligje që ndalojnë gratë të përfshihen në punë që kërkon ngritje peshash prej më shumë se 20 kilogramë.
Sipas sondazhit për fuqinë punëtore, gratë kishin më pak gjasa të merrnin pjesë në tregun e punës. Pjesëmarrja në fuqinë punëtore e grave nga mosha 15 deri në moshën 64 pësoi rënie të lehtë nga 61.6 për qind në vitin 2019 në 61.2 për qind në vitin 2020. Arsyet më të përhapura të dhëna për mospjesëmarrjen në treguan e punës së paguar përfshinin ndjekjen e shkollës (20.9 për qind) ose punën shtëpiake të papaguar (18.8 për qind). Për burrat që nuk ishin aktiv në tregun e punës së paguar, 25.7 për qind përmendin ndjekjen e shkollës dhe 0.6 për qind përmendnin punët e shtëpisë si arsye.
Kushtet e pranueshme të punës
Ligjet për pagën dhe orarin: Paga minimale kombëtare ishte më e lartë se pragu i varfërisë në nivel kombëtar.
Ndonëse ligji përcakton javën e punës me 40 orë, marrëveshjet individuale dhe kolektive ishin ato që zakonisht përcaktonin në të vërtetë javën e punës. Ligji siguron pushime vjetore të paguara, por vetëm punonjësit në tregun formal të punës gëzuan të drejta për pushime të paguara. Shumë persona në sektorin privat punuan gjashtë ditë në javë. Ligji kërkon periudha pushimi dhe pagesë shtesë për punën jashtë orarit, por punëdhënësit nuk i zbatuan gjithnjë këto garanci.
ISHPSHSH-ja dhe autoritetet e taksave janë përgjegjëse për zbatimin e ligjeve të pagës minimale dhe orarit të punës. Agjencitë e zbatimit të ligjit kishin mungesa në instrumentet për zbatimin e mbledhjes së gjobave dhe, si rrjedhojë, rrallë i zbatuan ato për shkelësit. Numri i inspektorëve ishte i pamjaftueshëm për të zbatuar përputhshmërinë. Inspektorët e patën autoritetin për të bërë inspektime të panjoftuara dhe për të ndërmarrë masa ndëshkuese.
Qeveria rrallë i zbatoi ligjet lidhur me numrin maksimal të orëve të punës, kufijtë e orëve përtej orarit të punës ose pagën shtesë për punën jashtë orarit, veçanërisht në sektorin privat. Këto ligje nuk ishin të zbatueshme për punonjësit migrantë ose për punëtorët në sektorin informal. Ndëshkimet për shkeljet e ligjeve për pagën dhe orarin e punë nuk ishin të njëjta me ato për krime të tjera të ngjashme.
Siguria dhe shëndeti në punë: Standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë ishin të përshtatshme për industritë kryesore edhe pse mungonte zbatimi i tyre. Ekspertët nuk i identifikuan aktivisht kushtet e pasigurta përveçse në përgjigje të ankesave të punonjësve. ISHPSHSH-ja është përgjegjëse gjithashtu për standardet dhe rregulloret për shëndetin dhe sigurinë në punë. Qeveria nuk zbatoi me efektshmëri ligjet për sigurinë dhe shëndetin në punë. Shkeljet në paga dhe standarde të sigurisë në punë ndodhën më shpesh në industrinë tekstile, të këpucëve, të ndërtimit si edhe në miniera. Burimet dhe inspektimet nuk ishin të mjaftueshme dhe ndëshkimet nuk ishin të njëjta me ato për krime të tjera të ngjashme. Punonjësit shpesh nuk largoheshin dot nga situata që u rrezikonin shëndetin apo sigurinë pa rrezikuar njëherësh edhe punësimin e tyre. Punëdhënësit nuk i mbrojtën në mënyrë të efektshme punëmarrësit në këtë situatë.
Sektori informal: Punëtorët në sektorin informal përbënin 56 për qind të ekonomisë, sipas Pasqyrës së Ekonomisë Informale në Shqipëri 2019 nga Organizata Ndërkombëtare e Punës. Punëtorët informalë nuk mbulohen nga ligjet për pagën, orarin e punës dhe sigurinë e shëndetin në punë dhe qeveria nuk siguroi mbrojtje sociale për punëtorët informalë. Zbatimi nga qeveria i ligjeve të punës mbeti gjerësisht jo i efektshëm, pjesërisht si rrjedhojë e përhapjes së punësimit informal. Shfrytëzimi i fëmijëve për punë ndodhi kryesisht në sektorin informal. (shikoni seksionin 7.c.).
Gazeta Shqiptare