Rama fut në skaner ministrat, më 28 dhjetor japin llogari para Asamblesë për realizimin e objektivave, paralajmërohen ndryshime në qeveri. –
Rama fut në skaner ministrat, më 28 dhjetor japin llogari para Asamblesë për realizimin e objektivave, paralajmërohen ndryshime në qeveri. –
Kryeministri Edi Rama ka vendosur të fusë në skaner të gjithë anëtarët e qeverisë, por dhe deputetët dhe krerët e bashkive sa i takon realizimit të detyrave. Teksa vendi është mbërthyer nga protestat dhe pakënaqësitë ndaj qeverisë janë shtuar, kryeministri ka vendosur që më datë 24 dhjetor të mbledhë Kryesinë e PS, ndërsa më datë 28 do mblidhet Asambleja Kombëtare. Kryesia do miratojë axhendën e Asamblesë, ndërsa mësohet se në këtë të fundit të gjithë socialistët do japin llogari për zotimet që kanë marrë përsipër para qytetarëve. Sipas burimeve të sigurta të gazetës, mësohet se kryeministri Edi Rama do japë udhëzime sa i takon zgjedhjeve vendore të vitit 2019, për të cilat Partia Socialiste është mobilizuar dhe ka ndezur motorët qysh prej disa muajsh. Madje, burimet thanë se kreu i ekzekutivit do t’ju japë detaje për mënyrën se si do të vijohet me këtë fushatë, ku me shumë gjasa në Asamble pritet të hidhen edhe piketat e para në lidhje me përzgjedhjen e kandidaturave të PS për bashkitë, sa i takon zgjedhjeve administrative. Sa i takon kësaj të fundit, vlen të nënvizojmë faktin se Rama ka shfaqur rezerva për pjesën dërmuese të kryetarëve të bashkive socialiste, të cilët i ka paralajmëruar që nuk do t’i rikandidojë. Ndërkohë që edhe gazeta pak ditë më parë referuar burimeve të selisë rozë nxori disa nga emrat që pritet të përfaqësojnë PS në zgjedhjet e qershorit 2019. Ndërsa po ashtu, shefi i qeverisë do kërkojë llogari nga kryebashkiakët sa i takon punëve dhe reformave të kërkuara nga qeveria.
Analiza e punës së ministrave
Pak muaj më parë kryeministri mblodhi në Vlorë të gjithë ministrat dhe u vuri në tavolinë nga një dosje me objektiva që duhet të realizoheshin brenda vitit. Shumica kanë të bëjnë me kërkesat e Bashkimit Europian, por dhe me punësimet apo reformimet në vend. Në këtë mënyrë, të gjithë do të japin llogari se sa i kanë përmbushur zotimet para kryeministrit, por dhe para qytetarëve gjatë turit të llogaridhënies. Por Asambleja mund të jetë dhe një pikënisje e ndryshimeve në qeveri. Kohët e fundit marrëdhëniet mes ministrave dhe deputetëve janë ftohur ndjeshëm. Burime të sigurta nga PS bënë me dije se disa deputetë kanë kërkuar ditët e fundit për performancën e shumë ministrave. Madje i kanë kërkuar Ramës se ka ardhur koha e ndryshimeve në qeveri. Ndërkohë, në mbledhjen e pak ditëve më parë të grupit ka pasur debate të ashpra, teksa deputetët kanë shpërthyer në akuza dhe kritika të ashpra në adresë të ministrave, sidomos sa i takon respektimit të marrëveshjes “Qeveri-Grup Parlamentar-PS. Dhe për të qetësuar situatën, u desh ndërhyrja e të parit të qeverisë, i cili i ka mbështetur kritikat e deputetëve në adresë të ministrave. Madje, Rama i paralajmëroi ministrat, se pasi të kalojë kjo situatë do të rishikojë pozicionin e të gjithëve. Paralajmërim ky që la të nënkuptohet se në mbledhjen 28 dhjetorit të Asamblesë apo ndoshta në fillim të vitit tjetër mund të ketë ndryshime në qeveri. Megjithatë gazeta e ka të sigurt se të gjithë deputetët janë duke pritur që të ketë lëvizje në kabinet. Por nga ana tjetër edhe ministrat janë të gjithë në ankth. Asnjë prej tyre nuk e ka të sigurt vendin dhe po ashtu nuk e dinë ende se çfarë do të bëjë kreu i qeverisë.
Rigels Seliman
/Agjensia e Lajmeve Sot News/