”Rama harxhon miliarda për koncesione e PPP”. – Ardit Çela takim me intelektualët në Berat: Do të investojmë për trashëgiminë

19/03/2021

Drejtuesi politik i LSI-së në Berat, Ardit Çela, zhvilloi këtë të premte një tryezë për trashëgiminë kulturore në këtë qytet, ku vuri theksin tek investimet. SIpas tij trashëgimia kulturore është një e mirë ekonomike, por theksoi se vëmendja e qeverisë vendore dhe lokale ka qenë inekzistente. Qeveria ”Rama”, thotë ai, harxhon miliarda për koncesione dhe PPP-të.

”Trashëgimia është një e mirë ekonomike. Sjell impakt të rëndësishëm social, nëse menaxhohet si duhet. Në konceptin modern është e rëndësishme të aktivizojmë të gjithë elementet, me qëllim që të gjenerojmë kulturë dhe vlera. Ne sot gjendemi në qytetin më të bukur të Shqipërisë dhe ky është fakt, pasi vetë UNESCO e ka cilësuar të tillë. Jemi në qytetin muze të Beratit, të arkitekturës, ku shekujt ndjekin njëri-tjetrin.

Me krenari mund ta themi se Berati është djepi i harmonisë fetare. Në krah qëndron Skrapari i traditës, bukurisë natyrore, i kanioneve, i këngës, vlerave dhe folklorit të magjishëm. Tomorri, mali i shenjtë. Qytetërimi i Dimalit, vjen edhe sot e kësaj dite në gojëdhënat se “Dimalin e krijoi Perëndia, ndaj nuk mund të merrej nga njerëzia”.

Trashëgimia kulturore në gjithë qarkun e Beratit është e jashtëzakonshme, por vëmendja nga pushteti është inekzistent. Qeveria qendrore dhe lokale keqmenaxhojnë miliarda lekë, për të ngulur e shkulur pllaka, duke shkatërruar qendrën e Beratit, dhe nuk investojnë për të hapur vende pune.

Ata harxhojnë miliarda për koncesione e PPP, ata nuk dëgjojnë e konsultohen me ekspertë të fushës, por mbyllen në zyra të errëta dhe bëjnë punë të dyshimta. Duhet ndryshim rrënjësor. Në kushtet kur pandemia pati ndikim në zhvillimin e turizmit, shteti duhet të hartojë urgjent plan masash për ringjalljen. Turizmi ka nevojë për trashëgiminë kulturore dhe e kundërta. Ne do të investojmë për trashëgiminë, duke forcuar rimëkëmbjen sociale në Berat. Do të rikthejmë vëmendjen e shtetit drejt investimeve. Ne do ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë tonë”, u shpreh ai.

Gazeta Koha e Jone