13 Dhjetor 2024

Edi Rama është “falur” sërish te Tom Doshi dhe Shpëtim Idrizi për të siguruar mazhorancën në Parlament. Pas gati 11 orësh debate dhe diskutime, në mbrëmje dje u bë votimi i ligjeve dhe PS e gjeti veten ngushtë, pasi e siguroi kuorumin me vetëm një votë dhe kjo falë 2 deputetëve të PDIU dhe 3 të PSD. PS u katandis në 66 deputetë dhe nuk i kalonte dot e vetme ligjet.

Madje disa ligje kaluan me 70 dhe 60 vota. Për marrëveshjen mes Sllovenisë dhe Shqipërisë deputetët e PDIU votuan pro dhe u siguruan 71 vota. Ndërsa për ligjin për ndarjen e Hekurudhës Shqiptare ata abstenuan dhe drafti kaloi me 69 vota. Për organikën e pagave të anëtarëve të KPK e KPA, njëri nga deputetët e PDIU votoi kundër dhe tjetri abstenim, duke bërë që sërish të kalojë drafti me 69 vota.

Ndërkohë u shty plani për të futur me procedurë të përshpejtuar ligjin për faljen e gjobave. Pjesë në votim kanë marrë 3 deputetët e PSD: Gledis Çeliku, Gertjan Deda dhe Meri Markiçi. Si dhe dy deputetët e PDIU, Nusret Avdulla dhe Gëzim Ademaj.