17 Prill 2025

Gazetari Artan Hoxha ka akuzuar Edi Ramën, se banditët dhe kriminelët i ktheu në biznesmenë.

Duke folur për dokumentarin e realizuar nga ZDF në ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, Hoxha tregoi edhe si autoritetet gjermane kapën 16 ton kokainë një grupi të organizuar kriminal nga Elbasani.

‘Mediat dhe publiku gjerman në vazhdimësi e kanë parë se si Shqipëria ka rrëshqitur drejt një vendi që është kthyer në bazë operacionale të të krimit të organizuar.

Sot ky dokumentar që ka bërë së fundmi ZDF-ja, është guri kilometrik i një rruge që ka nisur që nga 2013, duke kaluar nga kanabisi, tek heroina, kokaina dhe sot jemi këta që jemi dhe ne kemi gati me qindra të arrestuar për trafik droge atje.

Madje kemi rastin ekzemplar me autoritetet gjermane, besoj e kuptoni, ku një nga zyrtarët më të lartë të ministrisë së Brendshme, i cili kishte shitur të dhënat që kishin ardhur nga Gjermania për bosët e krimit në Shqipëri.

E gjithë kjo ekspoze, përfshirë brenda edhe rastet e njëpasnjëshme dëshmon, se kjo ka qenë një industri që është dirigjuar, lejuar dhe kontrolluar, duke u përdorur në fushatë.

Është një histori që ata nuk e bëjnë thjeshtë, se përgjigja do vijë se ka interferuar opozita dhe e ka bërë për fushatë.

Jo, është një vijimësi e investigimeve, i historive të publikuara nga mediat gjermane që në fillimin e mandatit e deri 12 vite pas.

Para 6 vitesh ishim këtu, rruga e re, sot nuk është një rrugë e re. Është një grup nga Elbasani kanë futur vetëm në një ngarkesë 16 ton kokainë.

Ne nuk jemi në situatën e vendeve të Amerikës Latine, ku kartelet kanë qeverinë e vet, këtu është ende qeveria që i kontrollon dhe i lëshon këta. Është shteti që i kontrollon, i godet kur do, ua rrit presionin në mënyrë që ata të reagojnë dhe të sigurojnë mandatin dhe gjatë mandatit ata sigurojnë leje për të vazhduar aktivitetin e tyre.

Ne kemi pasur në grupe të strukturuara, tani kemi kaluar në organizata. Nga banditë të thjeshtë, i ktheu në biznesmen, kompani që marrin tendera publik dhe sot ata kanë hyrë dhe janë shkrirë me jetën shoqërore ekonomike të këtij vendi, ku ti nuk e ndan dot qartë se ky mbaron një organizatë dhe ku fillon një kompani biznesi’, tha gazetari Artan Hoxha gjatë bisedës