‘Rama, jashtë realitetit’, mediat greke zbardhin 90 minutat e vështira të diplomatëve me Kryeministrin.
‘Rama, jashtë realitetit’, mediat greke zbardhin 90 minutat e vështira të diplomatëve me Kryeministrin.
Mediat greke zbardhin takimin e Ramës me ambasadorët e huaj në Tiranë. Njëri prej diplomatëve ka thënë se kryeministri është jashtë realitetit, ndërkohë që Gramoz Ruçi, i pyetur nga ANA, ka thënë se Kuvendi do të miratojë edhe ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.
11 Qershor, 2019.
TIRANE- Një ditë pas takimit që kryeministri Edi Rama zhvilloi dje në kryeministri me ambasadorët e vendeve të BE të akredituar në Shqipëri, mediat greke japin detaje për atë që u diskutua realisht në këtë takim.
Në një shkrim të gjatë, media In.gr, thotë se njëri prej diplomatëve është shprehur në anonimat se kryeministri nuk e sheh çështjen politikisht siç është në realitet, por vetëm ligjërisht.
Shkrimi i plotë:
Për një orë e gjysëm, kryeministri Edi Rama iu ka shpjeguar ambasadorëve të BE dhe ShBA, arsyet pse ai këmbëngul që zgjedhjet lokale të zhvillohen më 30 qershor, pavarësisht faktit se presidenti i Republikës i ka shtyrë ato me një dekret.
Kryeministri ka thënë shkurt se çdo tension që do të shkaktohet nga opozita, do të jetë i menaxhueshëm, dhe nuk është rreziku që zhvillimi i zgjedhjeve të krijojë destabilitet.
Ai iu kërkoi diplomatëve të mos i pranojnë kërkesat e opozitës, dhe iu kërkoi për ndihmën e tyre për të lehtësuar tensionet. “Ne u larguam me shumë pyetje”,-tha në një komunikim me agjencinë e lajmeve ANA, një nga diplomatët e pranishëm në takim, menjëherë pasi u largua.
“Kryeministri e sheh të gjithë çështjen nga ana ligjore, por jo në dimensionin politik, ashtu siç në realitet është.”-shtoi ai.
Në një tjetër zhvillim, të gjitha palët, qeveria, presidenti dhe opozita nuk kanë lëvizur nga qendrimet e tyre.
Ndërkohë, KQZ, gjykoi vendimin e presidentit Ilir Meta për të anuluar zgjedhjet. Vendimi u mor nga 4 anëtarët e mazhorancës në KQZ. Kryeministri Edi Rama, në të njëjtën kohë njoftoi nisjen e e procedurave për të shkarkuar presidentin Ilir Meta. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi tha për seancën e të enjtes: Mazhoranca ka votat për të shkarkuar Metën.
“Shumica ka votat për të shkarkuar Metën dhe heshtja e partnerëve tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, është një mënyrë për të pranuar këtë votë ekstreme në Kuvend për të hequr kreun e tanishëm të shtetit. Kuvendi do të miratojë themelimin e Gjykatës Kushtetuese, por gjithashtu do të mbështesë fuqishëm krijimin e institucioneve të reja në sistemin e drejtësisë “.
(F.g/dosja.al)