25 Nentor 2024

Kryeministri Edi Rama zhvilloi mesditën e djeshme një takim me emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe. Salla “The Cooper Box, Queen Elizabeth Olympic Parc”, ishte e veshur kuq e zi nga të pranishmit në takim. Në fjalën e tij kryeministri tregoi për orët e qëndrimit në kryeqytetin britanik, ku në çdo hap takoi shqiptarë. Ai tha se i është përgjigjur shqetësimit të rojave të tij britanike me shprehjen ‘‘Don’t worry, I’m home!’ Ndër të tjera duke prekur temat e ekonomisë kreu i qeverisë ju tha të pranishmëve: “Në 1 dekadë rritëm 2.5 herë prodhimin kombëtar, është rritja më e lartë në rajon. U rriten pagat e administratës dhe paga minimale. Kemi rritur pagat reale, të cilat sot janë konkurruese me rajonin, sidomos në turizëm dhe ndërtim. J

u them shqiptarëve që punojnë jashtë sot, ejani në Shqipëri të merrni të ardhura shumë më të mira se ato që merrnit kur ju ikët, por edhe të paguani më pak taksa. Nuk dua t’ju gërvisht plagën e qiellit gri mbi kokë këtu në Londër. Çdo shqiptari në Britani të Madhe që ka një shtëpi në vendlindje, i them sot me plot gojën investo. Pyesni ata që janë kthyer, se si del më mirë llogaria, këtu apo atje. ‘Paketa e Maleve’ i jep mundësi çdokujt që ka një truall a shtëpi në malet e Shqipërisë të investojë në vendlindje, një punë që kalon nëpër një proces shumë me të thjeshtë dhe pa taksa për 10 vjet. Ndërtoni një ekonomi për vete dhe rrisni ekonominë e zonës duke hapur dyert e mikpritjes. Baticës së gjatë të largimeve nga Shqipëria, për 1001 arsye që janë pjesë e trendit historik të lëvizjeve, siç kanë bërë irlandezët, po i afrohet fundi. Jam i inkurajuar që qindra djem e vajza nga diaspora kanë dëshirë të na bashkohen në nismën “Deputeti që duam’.

Ata e dinë mirë se pavarësisht gjithçkaje Shqipëria ka vetëm një forcë shtetbërëse: Partinë Socialiste. Të tjerat janë tezga që shesin qilima fluturues! Ata janë Sudja me fytyra të ndryshme! Mos mendoni se po ju them se Shqipëria është bërë bahçe me lule. Jo nuk po e them këtë. Por ajo që kishim para një dekade ishte një Shqipëri ‘mos o Zot’. E sotmja është një Shqipëri që po rilind vit pas viti, një Shqipëri me nam të mirë që miliona e miliona njerëz, vijnë dhe e vizitojnë”. Takimet e Ramës me diasporën shqiptare janë pjesë e një turi për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ku siç dihet emigrantët kanë marrë të drejtën për të votuar.

Gazeta Sot