11 Shkurt 2025

Nga: Gazeta Sot

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj një artikulli të publikuar nga BIRN, i cili raportonte se ai kishte deklaruar që SPAK ka dalë nga shinat dhe se Erion Veliaj nuk do të shkarkohet. Rama e ka cilësuar këtë interpretim si një keqinterpretim brutal të qëndrimit të tij dhe ka publikuar të plotë përgjigjen e zyrës së shtypit për këtë çështje.

Në postimin e tij në platformën “X”, kryeministri ka argumentuar se rasti i Veliajt është i ndryshëm nga rastet e tjera të ndjekura nga SPAK, pasi nuk ka një akt-akuzë konkrete për korrupsion, por një dosje voluminoze mbi jetën personale të kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij.

Sipas Ramës, hetimi krijon “dyshimin e arsyeshëm për një veprim përtej kuadrit kushtetues”, ndërsa arrestimi i Veliajt dhe vendosja e bashkëshortes së tij në arrest shtëpie përbëjnë një shkelje të standardeve demokratike.

Ai theksoi se Partia Socialiste nuk do të marrë vendime të nxituara për këtë rast, duke lënë të hapur mundësinë për një analizë më të thelluar të akuzave dhe provave të paraqitura nga SPAK. Për më tepër, ai nënvizoi se PS do të vazhdojë të jetë një garante e palëkundur e Reformës në Drejtësi, por njëkohësisht do të kërkojë më shumë transparencë dhe prova konkrete për këtë çështje.

Në përfundim, Rama e bëri të qartë se Veliaj nuk do të shkarkohet, ndërsa theksoi se ky arrestim i imponon mazhorancës një detyrë të re për të mbrojtur parimet e drejtësisë dhe transparencës.