“Rama mbushi kuvendin me kriminelë”- Zv/drejtori i SHISH te ‘Siguria’ për sulmet kibernetike, debate mes PS dhe PD! Seanca me dyer të mbyllura, deputetët dorëzojnë celularët
3 Tetor 2022
” …Flamur Noka: Mirë bën që i kërkon deputetëve të dorëzojnë celularët sepse sot shqiptarët kanë dorëzuar në duart e hakerave çdo të dhënë”.
Zv/drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror është paraqitur ditën e sotme në Komisionin e Sigurisë Kombëtare për të raportuar në lidhje me sulmin kibernetike ndaj faqeve qeveritare në vendin tonë dhe sistemit TIMS.
Kanushi kërkoi që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura me argumentin se çdo çështje që do të diskutohej është 100% sekrete që nuk duhet të dalë në publik. “Do të lutesha të merrnit një vendim duke qenë se 100% të çështjeve në këtë seancë janë të nivelit sekret. Vetëm për këtë aspekt dhe jo për diçka tjetër”, u shpreh ai
Kjo solli debate të shumta mes deputetëve në Komision. Kjo pasi PD e cilësoi të padrejtë që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura në një kohë që hakerat kanë cenuar çdo të dhënë private duke e hakuar atë nga sistemet shtetërore.
Debatet në seancë
Ervin Salianji: Jemi në një situatë të rëndë kur të gjithë të dhënat po përfundojnë në publik. Duhet t’i japim siguri qytetarëve shqiptarë që jemi në rrugën e duhur dhe institucionet po funksionojnë.
Xhemal Qefalia: Nuk jemi han me dy porta për të nxjerrë në publik informacionet sekrete dhe tepër sekrete. Secili deputet është i përgjegjshëm. Duhet të operoni menjëherë me vazhdimin me dyer të mbyllura të kësaj seance.
Ferdinand Xhaferraj: Ky është skandali. E dija që ka një VKM. Ky është skandali. Jam deputet me eksperiencë. Nuk e ke pronën tënde. Certifikatën e kërkon Rama që e mbushi kuvendin me kriminelë. Deri në vitin 2013 nuk është kërkuar.
Nasip Naço: Bëni gati që të dorëzoni edhe celularët
Flamur Noka: Do i dorëzojmë të gjitha. Do i dorëzojmë ça të kemi, para jo se paratë i keni rrujt. Ju i kërkoni deputetëve të dorëzojnë gjithçka.
Nasip Naço: Pse keni frikë nga rregullat
Flamur Noka: Mirë bën që i kërkon deputetëve të dorëzojnë celularët sepse sot shqiptarët kanë dorëzuar në duart e hakerave çdo të dhënë.
Sepse ka një qeveri që vetëm vjedh dhe nuk ruan sistemet. Ki durim pak. Çështja pse është thirr kreu i SHISH është mjaft sensitive për ne dhe për çdo qytetar shqiptar. Nuk ka asnjë sekret edhe pse mundoheni ta kanalizoni në linja të tilla.