18 Janar 2024

SPAK ka alarmuar jo pak kryeministrin Edi Rama, shumë arrestime, ish-ministra të tij, ish-deputetë, ish-kryetarë bashkish pas prangave, ish-zv.kryeministri në arrati, të tjerë drejtorë dhe ministra nën hetim në nivelet më të ndryshme të qeverisjes.

SPAK ka alarmuar së fundmi shumë kryeministrin, i cili duket mjaft i shqetësuar, i thane CNA burime zyrtare qeveritare.

Më 16 janar në orën 16:00, pasdite, në një mbledhje që ka zgjatur një orë e 45 minuta, Edi Rama ka zhvilluar një takim në ambientet e Kryeministrisë me sekretarët e përgjithshëm të ministrive dhe drejtorët e përgjithshëm të agjencive në varësi direkte të tij.

Rama është shfaqur mjaft i shqetësuar dhe shumë i alarmuar në lidhje me veprimet e bëra së fundmi nga BKH dhe SPAK dhe ndërhyrjet e tyre direkte në institucione dhe në administratë, ku kanë shkuar, kanë rrëmbyer dokumente, sipas Ramës, dhe veprojnë në mënyrë të kundërligjshme, deklaruan burimet nga takimi për CNA.

Kryeministri ka kërkuar nga vartësit e tij, drejtorët e përgjithshëm dhe sekretarët e përgjithshëm që të tregohen të kujdesshëm, të mos ia hapin dyert kujtdo, por t’i kërkojnë të respektohet procedura ligjore dhe të mos dorëzohen pa kushte te BKH apo SPAK-ut.

Për BKH-në dhe SPAK-un, Rama pretendon se po kalojnë kompetencat e ligjit dhe po veprojnë në tejkalim të tij duke shkuar nëpër institucione të ndryshme, duke kryer veprime dhe procedura të menjëhershme, në mënyrë të befasishme, pa njoftuar më parë institucionin.

Në fakt, kjo është edhe çështja që ka alarmuar më shumë kryeministrin, befasia në goditje dhe mungesa e informacionit për të vepruar, për të mbrojtur apo për të zhdukur dokumentet e zyrtarëve të ndryshëm, të përfshirë në afera.

SPAK dhe BKH tashmë duken në një aksion të fortë dhe me veprimet e javëve të fundit, në lidhje me shumë hetime, që nga inceneratorët, “check up”-i, hetimet për dhënien e pronave të ushtrisë, hetimet për bashkinë e Tiranës apo dhe të tjera akte të kryera pas kallëzimit të subjekteve të ndryshme, kanë bërë që kryeministrit t’i ndizet llamba e kuqe.

Kreu i qeverisë po alarmohet së tepërmi për veprimet që po kryejnë SPAK dhe BKH, institucionet e drejtësisë së re që dikur Rama i mbështeste, më pas u kërkoi që të vepronin edhe ndaj opozitës, dhe sot kemi të arrestuar edhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

Ndërkohë, tashmë duket se ka frikë për rrethin e tij, ministrat dhe bashkëpunëtorët. 

Nga CNA