7 Mars 2023

Nga Berlini, aty ku zhvilloi një konferencë të përbashkët me kancelarin gjerman, kryeministri Edi Rama u pyet lidhur me bashkëpunimin e qeverisë që ai drejton me Kinën për rrjetin 5 G të internetit.

Pyetje-Përgjigjet

Pyetje: Qeveria gjermane po ashpërson kursin (qëndrimin) kundër ofruesve kinezë në sistemin 5 G, por ka debate si në Australi për shembull që kamerat dhe produktet Hi-Tech të përjashtohen nga ambientet publike. A ka ardhur kjo pikë ku ne duhet t’i largojmë këta? A vazhdon Shqipëria të jetë pjesë e vendeve bashkëpunëtore me Kinën? Ka vende që janë larguar dhe dëshiroj të di a do të vazhdoni të jeni aktivë dhe pse ngulni këmbë për një bashkëpunim kaq të ngushtë me Kinën?

Rama: Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të qartë, publik, madje duke bërë thirrje për të gjitha vendet e rajonit për të zgjedhur një alternativë për 5 G-në.

Dhe faktikisht e kemi bërë këtë shumë kohë më parë. Kështu që në këtë aspekt, ne s’kemi asnjë problem. Në aspektin tjetër, po, është e vërtetë që ne jemi pjesë e formatit 17+1 dhe nuk kemi ndërmend të largohemi, edhe pse Shqipëria nga të gjitha vendet e tjera të këtij formati që nuk ka përfituar as edhe një investim.

Kështu që nuk e di ku e bazoni këtë bashkëpunim kaq të ngushtë me Kinën, sepse për hir të së vërtetës, për arsye historike, për arsye psikologjike, që besoj është për të dyja palët, bashkëpunimi ynë është fare-fare normal, dhe krahasuar me vendet e tjera është krejtësisht irrelevant.

Por ideja që ne të largohemi nga Forumi për të mbajtur qëndrim për çfarëdo arsyeje më duket një ide e gabuar.

Nga OraNews