Rama në Shkodër/ Qytetarët të revoltuar: Miliona lekë dëm nga përmbytjet, shteti s’po na përgjigjet
Rama në Shkodër/ Qytetarët të revoltuar: Miliona lekë dëm nga përmbytjet, shteti s’po na përgjigjet
16 SHKURT 2021
Me protesta është pritur sot në Shkodër kryeministri Edi Rama, ku qytetarë nga zonat e përmbytura dolën në rrugë, në hyrje të Shkodrës.
Një prej qytetarëve tha se ka një varrezë makinash që janë të gjitha nën ujë dhe se shteti nuk po i përgjigjet për dëmin që i është shkaktuar.
“Unë kam një varrezë makinash në Bërdicë. Makinat e mia në ujë. Shtetit të mi paguajë një për një. Unë të gjitha detyrimet shtetit ja paguaj. Pse nuk vjen shteti me i pa. Janë miliona lekë për tokë. Shteti pse nuk më përgjigjet mua”, shprehet ai.
Një qytetar tjetër shprehet se edhe pse kanë kaluar 40 ditë që janë të përmbytur nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti.
“Ne jemi mbledhur duke marrë informacione se kryeministri i Shqipërisë, na viziton duke na sjellë disa ndihma artificiale. Kanë kaluar gati 40 ditë se ne si njësi dhe njësi të tjera janë të përmbytura. Në Bërdicë 350 hektarë janë të përmbytura.
Nuk kemi parë asnjë ndihmë nga shteti jonë. Populli është duke shkuar drejt regresit. Nuk ka mirëqenie. Ne si banorë e shprehim indinjatën nëpërmjet jush që ju falënderoj për prezencën dhe kohën. Shteti t’i sjellë sytë dhe të mos shëtisë me makina në horizont por të ulet me këmbë në tokë. Unë bëj kërkesë që qeveria të mbështesë këta banorë. Vetëm me çizme të gjata mund të kalosh në ato rrugë atje. Qejfi është me fol me njerëzit me ata që kanë shpirt e zemër”, shprehet ai.
Gazeta Shqip