“Rama nuk e fsheh më rolin edhe si president i Republikës”- Deklarata e kryeministrit për Begajn, Bardhi: – Ai është urdhëruesi i shpalljes së ligjit sot!
18 Janar 2024
Kreu i grupit parlamentar të opozitës, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, në lidhje me dekretimin që presidenti Bajram Begaj bëri për ligjin për komisionet hetimore, duke rrëzuar kështu kërkesat e bëra nga opozita për ngritjen e tyre.
Bardhi është shprehur se sipas tij, Edi Rama është urdhëruesi i shpalljes së ligjit sot, ndërsa shton se “ai nuk e fsheh më rolin e tij, edhe si president i Republikës”.
Ndër të tjera Bardhi shprehet se tani jemi në garë nëse do t’u bashkohemi standardeve të Rusisë apo Koresë së Veriut, dndërsa thekson se “opozita po bën betejë që kjo të mos ndodhë dhe jemi të vendosur për t’u përballur, që të mos lejojmë ta zëvendësojmë demokracinë me autokracinë!”
Ndërkohë që në regaimin e tij, Rama shprehet se “siç mbaroi koha kur Presidenti i Republikës bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë, do të mbarojë dhe koha e ora e keqkuptimit të madh të politikës së ditës, mes punës mendore të parlamentarëve dhe aktivitetit fizik të tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë”.
Deklarata e Bardhit
E kuptojmë plotësisht që Edi Rama nuk e fsheh më rolin e tij, edhe si president i Republikës! Ai na tregon çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjë presidenti i Republikës.
Avokatia ndaj aktit antikushtetues, të njëanshëm dhe të turpshëm të presidentit të Republikës, provon atë që opozita thotë: Edi Rama është urdhëruesi i shpalljes së ligjit sot, me justifikimin absurd të shkruar në arsyetimin e Presidentit që Edi Rama nuk dëshiron të rishohë ligjin.
Edhe që Edi Rama nuk dëshiron të rishikohet ligji, e kuptojmë, sepse është ai që ka bllokuar kontrollin parlamentar ndaj ekzekutivit.
Si mund të jetë dakord Edi Rama që të kontrollohet ndërhyrja e paligjshme në sistemin TIMS, për të fshirë lidhjet e vllait të tij, Olsi Rama, me trafikun e drogës në dosjen “Xibraka”; si mund të jetë dakord Edi Rama të kontrollohet që, në kontratat koncesionare të shëndetesisë, miliona euro shkojnë në xhepat e Ilir Beqajt dhe jo për shërbime shëndetësore për qytetarët shqiptarë; si mund të jetë dakord Edi Rama të kontrollohet zbatimi i ligjit për investimet strategjike, me të cilin ka shpallur investitor vetëm miq e shokë të tij, përfshirë trafikantë droge e urdhërues vrasjesh?!
Koha kur Shqipëria pretendonte të ishte si gjithë Europa, po perëndon gjatë qeverisjes së Edi Ramës.
Tani jemi në garë nëse do t’u bashkohemi standardeve të Rusisë apo Koresë së Veriut. Opozita po bën betejë që kjo të mos ndodhë dhe jemi të vendosur për t’u përballur, që të mos lejojmë ta zëvendësojmë demokracinë me autokracinë!
Gazeta Panorama