Rama paralajmëron Kurtin: – Dilni nga loja e maces me miun me Beogradin!
10 Qershor 2024
Kryeministri Edi Rama ka këshilluar homologun e tij Albin Kurti për të dalë nga kurthi i lojës “macja me miun” me Serbinë.
Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të hënë në konferencën “Rugova dhe Perëndimi” që u zhvillua në Prishtinë me rastin e 25-vjetaorit të çlirimit të Kosovës. Ai u pyet nga drejtuesja e panelit ku bënte pjesë se si e sheh Kosovën, një pyetje që kreu i qeverisë shqiptare e konsideroi me humor si “kurth”.
E duke folur për këtë çështje, Rama fillimisht u ndal tek koha kur Kosova ka qenë më e suksesshme ndërkombëtarisht sipas tij. Bëhet fjalë për periudhën e “Ekipit të Unitetit” që sipas Ramës i dha Kosovës suksese diplomatike dhe mundi Serbinë në tavolinë.
Ndërsa sot për Ramën, Kosova ka hyrë në një proces ku politika e jashtme përdoret si politikë e brendshme. E kjo për të mund të japë sukses elektoral, por në sytë e miqve aleatë e lë Kosovën me pak besim.
Ai theksoi se Kosova duhet të dalë nga loja “macja me miun” me Serbinë.
“Pastaj se çfarë bën Serbia është punë e Serbisë. Shkoni merruni me Serbinë. Por ky konfrontimi macja me miun në tavolinë, këto mbledhjet për t’u mbyllur me orë për të dalë sa fort i qëndrova tjetrit nuk çojnë asgjëkundi dhe nuk kuptoj çfarë lidhje ka e ardhmja e Kosovës dhe çdo detyrim që ka Kosova në raport me vetveten”, tha ai.
Për kreun e qeverisë shqiptare fakti që Serbia nuk i qaset idesë për ta njohur Kosovën, nuk duhet ta pengojë Prishtinën zyrtare që të gjitha shtetet e tjera ta shohin si shtet model që përmbush standardet. Prandaj theksoi se Kosova duhet që “t’i lerë targën Serbisë” dhe se fati i saj nuk duhet të lidhet me interesat e Beogradit.
“Jam i bindur që kjo gjë nuk është fantazi, kjo gjë është e arritshme dhe jam i bindur që kjo do ta nxirrte Kosovën nga kurthi ku e ka futur Serbia me provokimet e veta të vazhdueshme, por edhe ku në një farë mënyre është futur për shkak të shfrytëzimit të politikës së jashtme si politikë e brendshme. Ne jemi një popull gjithsesi i vogël, kemi dy shtete gjithsesi të vogla. Ne nuk jemi kërthiza e botës dhe sa herë kemi menduar që jemi kërthiza e botës e kemi pësuar shumë keq dhe sa herë kemi kuptuar që duhet të jemi si trimi i mirë me shokë shumë dhe se duhet ta kthejmë investimin e Ibrahim Rugovës dhe investimin e shumë të tjerëve jo vetëm shqiptarë, por edhe miqve tanë ndërkombëtarë në një kapital për të ardhmen, aq herë ne ia kemi dalë të bëjmë gjënë e duhur. Për t’ju përgjigjur pyetjes si e shoh Kosovën sot. Kosova është shumë e bukur.
Kosova i ka të gjitha mundësitë dhe Kosova nuk ka pse të humbë kohë duke vrapuar rreth vetes së vet. I ka të gjitha ato që i duhen, i të gjithë partnerët, aleatët, miqtë që i duhen, i ka të gjitha resurset e veta të mjaftueshme, ka talente, ka njerëz, ka energji, ka forcë, ka të gjitha. Thjesht dhe vetëm Kosova, kemi një shprehje ne në Shqipëri, nuk e di a e keni këtu, kur thonë duhet t’i tregojë targën, domethënë kur ikën makina përpara. Se këtu flitet shumë për targa. Duhet t’i tregojë targën Serbisë dhe të ikë përpara dhe Serbia pastaj të bëjë çfarë të dojë sepse nuk mund të mbahet fati i Kosovës lidhur me interesat apo pafuqinë e Serbisë për t’u përballur deri në fund me të shkuarën e vet. Një realitet demokratik vibrant, i paqtë, një realitet që i përgjigjet vizionit të Ibrahim Rugovës në të përditshmen e Kosovës do të ketë të gjithë energjinë pozitive për ta bërë të pamundur për mëtutje marrjen peng nga Serbia, ndërkohë që Kosova ka fituar luftën dhe që paqen e plotë mund ta arrijë jo me mjetet e luftës, por me Facebook, por me mjetet demokratike europiane”, tha Rama.
Gazeta Dita