Rama po bllokon votën e diasporës! Do rrethojmë ambasadat e narkoshtetit dhe do i gjuajmë me vezë e domate
30 Janar 2025
Gjatë fjalës me drejtuesit politik, koordinatorët dhe kryetarët e degëve, kryetari i PD-së, Sali Berisha denoncoi tentativat e Edi Ramës për të bllokuar të drejtën e shqiptarëve në diasporë që të votojnë.
Berisha u shpreh se, shqiptarët do të rrethojmë ambasadat e narkoshtetit dhe do i gjuajmë me vezë e domate.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Së fundmi, po bllokon, po shkatërron procesin e votimit të emigracionit dhe diasporës.
Po!
Ne kemi qenë jashtëzakonisht të përkushtuar në këtë proces dhe jemi.
Ju e keni parë. Jemi shpërndarë kudo.
Po shikoni çfarë janë këta se nuk dua ta prish gojën.
Tani dalin e thonë, do votojnë, pra janë shqiptarë me të drejtë vote vetëm ata që kanë pasaportën shqiptare.
Shqiptar me të drejtë vote është çdo shqiptar kudo që ndodhet që ka shtetësinë shqiptare.
Pra, të dashur miq, dokumentet e BE nuk vlejnë në Shqipëri, sipas Edi Ramës.
Po çfarë është pasaporta? Dokumenti i identitetit se je filani. Ai dokument vërteton se shtetasi shqiptar, në listat e votimit, ka dokumentin e identitetit. Çfarë lidhje ka kjo a është shqiptar apo nuk është shqiptar?
Kapin një ligj të vitit 2008 të Kodit, në atë kohë kur bëhej fjalë për votimin brenda vendit, nuk kishte asnjë akses vote jashtë vendit, në të cilin është thënë se votuesi duhet të ketë dokumentet që lëshohen nga organet kompetente.
150 mijë janë qytetarët që kanë lindur jashtë dhe nuk e kanë emrin fare në lista.
Nuk kanë pasaportë sepse kanë lindur jashtë shumica e tyre. Pyesni të gjithë ata që kanë ikur në vitet ’90 dhe kanë fëmijë të rritur, ata nuk kanë marrë pasaporta.
Jo vetëm kaq, por janë qindra mijëra që i kanë humbur, nuk i kanë më.
Ka marrë pasaportën gjermane, ka marrë pasaportën amerikane, me atë pasaportë ai shkon në gjithë botën, vjen edhe në Shqipëri.
Por, ngaqë e panë se diaspora i urren, diaspora i përbuz, i përçmon, tani kërkojnë ta bllokojnë diasporën.
Dhe ne tani, do përdorim si qëndrimin tonë, denoncimin publik.
Ndërkohë, ne do mobilizojmë, të rrethohen dhe të gjuhen me vezë dhe domate ambasadat e narkoshtetit në mbarë botën.
Po, ne do luftojmë bashkë me diasporën dhe emigracionin që ata të ushtrojnë të drejtën e votës.
A mund të pranohet kjo? Qenka pasaporta shqiptare më e vlefshme se ajo gjermane, franceze apo italiane?
Këtë vetëm logjika e kreut të organizatës kriminale Edi Rama e pranon.
Prandaj siç e shihni kemi shumë punë për të zgjidhur.