Rama poston foton me Sorosin nga Nju Jorku, çfarë ka thënë për “armikun” e Saliut e Metës dhe konspiracionet. – “Mik i çmuar dhe mendje e rrallë”.
Rama poston foton me Sorosin nga Nju Jorku, çfarë ka thënë për “armikun” e Saliut e Metës dhe konspiracionet. – “Mik i çmuar dhe mendje e rrallë”.
24 shtator 2021
Rama ka postuar në Instagram një foto me Xhorxh Sorosin, të cilin e ka takuar gjatë këtyre ditëve në Nju Jork.
Ai e quan Sorosin mik i çmuar dhe mendje e rrallë.
Soros akuzohet shpesh sidomos nga Berisha e Meta si personi pas goditjeve ndaj tyre.
Në dhjetor 2020 në një nga intervistat e pakta ku ka folur për Sorosin, Rama thotë:
“Unë George Soros e kam njohur në vitet ’90, kur nuk isha në politikë, kur më kanë futur në bordin e Fondacionit këtu. Ka qenë dhe Ismail Kadare, Profesor Minga, kanë qenë disa… Dhe kemi shkuar në Budapest. Aty e kam takuar George Soros për herë të parë.
U organizua një si drekë pune për t’u prezantuar me bordin e fondacionit. Ishte e bukur se ai ishte në botën e tij dhe ndërkohë që hante, dëgjonte dhe të gjithë po i prezantoheshim. Ai ndiqte zërin, por vazhdonte me të vetën. Kur erdhi radha ime, unë s’fola fare dhe u bë qetësi. Dhe ai ma bëri me kokë. Edhe unë i bëra një pantomimë, çfarë ke?
Po ti, më tha mua. Unë çfarë i thashë? Kush je? Unë jam filani. Me çfarë merresh? Merrem me art. Çfarë lloji arti bën? Llojin më të mirë, i thashë. E pa që u bë një ndërveprim, dhe vazhdoi me të tjerët. Kur erdhi këtu herën e dytë, Ismailin e njihte ai, tha përveç këtij a mund të prezantoheni dhe njëherë se nuk më kujtoheni.
Rama në Instagram
Gazetari: Çfarë raporti keni pasur me të?
Rama: Kam raport fantastik me të. Kam pasur gjithmonë një raport fantastik me të. Nuk ka lidhje fare me këto konspiracionet.
Gazetari: Ju ka ndihmuar në politikë?
Rama: Sorosi është një personazh i jashtëzakonshëm, është një njeri që bëri një sukses të hatashëm, përmbysi botën me ato goditjet që i bëri bursave. Në momentin që u bë George Sorosi i njohur në të gjithë botën, dhe që zotëronte një pasuri marramendëse, pasurinë e vetë e vuri në dispozicion të idesë së vetë, shoqërisë së hapur.
Ai është marrë me filozofi dhe ka atë idenë e shoqërisë së hapur dhe është një njeri që ka financuar pafund për të ndihmuar shoqërinë e hapur, për të stimuluar njerëz në shoqërinë civile. Këto teoritë e tjera të konspiracionit janë…
Gazetari: Vazhdoni ta ruani raportin?
Rama: Gjithmonë, por sigurisht nuk takohemi shpesh, takohemi rrallë. Ai tani është në një moshë që…
Gazeta Dita