Rama refuzon dhe bojkoton pritjen për Ditën e Republikës në ambasadën turke. – Erdogani tërheq mjekët dhe infermierët nga spitali i Fierit
NGA Rigels SELIMAN
Thellohet ftohja mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Prej javësh në korridorët e medias dhe politikës flitet për një krisje të raporteve të Ramës me Erdogan, ndërsa që çdo ditë që kalon një gjë e tillë faktohet edhe më shumë. Më 29 tetor Turqia festoi Ditën e Pavarësisë, ndërkohë që Edi Rama refuzoi të urojë Erdoganin në këtë ditë të shënuar. Madje zoti Rama bojkotoi edhe pritjen e organizuar nga ambasada turke në Tiranë për këtë ditë të shënuar dhe të vetmit që ishin prezent nga mazhoranca socialiste në të, ishin kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Zonja Nikolla ndërkohë shpërndau edhe detaje nga festa në ambasadë në rrjetet sociale, duke treguar kështu mungesën e kryeministrit shqiptar. “Një mbrëmje e bukur në festën e Ditës së Republikës së Turqisë. Me urimet më të mira për forcimin e miqësisë, bashkëpunimit, partneritetit strategjik dhe solidaritetit mes dy vendeve dhe dy popujve tanë”, shkroi Nikolla. Po ashtu, ndryshe nga kryeministri Edi Rama që nuk e uroi presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, në një kohë që ai nuk lë pa shfrytëzuar kësisoj rastesh për të qenë në qendër të vëmendjes, kryeparlamentarja Lindita Nikolla e uroi homologun e saj dhe popullin turk në rrjetet sociale. “Me rastin e Ditës së Republikës së Turqisë, i përcjell urimet më të mira popullit turk, Asamblesë së Madhe Kombëtare dhe Kryetarit të saj, z. Mustafa ?entop! Dhe i lidh një miqësi e ngushtë tradicionale, marrëdhënie politike të shkëlqyera, partneriteti strategjik si anëtarë të NATO-s, bashkëpunimi i gjerë ekonomik e tregtar, solidariteti i pashoq për të përballuar sfidat e vështirësitë, mbështetja për Kosovën dhe kontributi për zhvillimin e paqen në rajon e më gjerë”, nënvizoi Nikolla.
Sulltani turk tërheq mjekët dhe infermierët nga spitali i Fierit
Pra, mungesa e një urimi nga kryeministri Rama dhe bojkoti në pritjen e ambasadës turke në Tiranë, tregon se raportet e shefit të qeverisë shqiptare me presidentin Erdogan janë krisur. Megjithatë, krisja mes tyre duhet thënë se vjen për shkak se Rama nuk ka përmbushur kërkesa e Erdogan, i cili kërkon dëbimin drejt Turqisë të të gjithë gylenistëve që strehohen në Shqipëri. Madje, injorimi i këtij ultimatumi nga ana e palës shqiptare, ka detyruar Sulltanin turk që të tërheq personelin turk nga spitali “Memorial” i Fierit, i cili thuhet se tashmë i ka kaluar për administrim të plotë Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë.
Rama tregon raportet me Erdoganin: Nuk jep dot urdhra në Shqipëri
Kryeministri, Edi Rama deklaroi se presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan nuk ka ndikuar në vendimin e qeverisë për mbylljen e kolegjit dhe kopshtit turk, teksa shtoi se ai nuk mund të japë urdhra në një vend sovran. Në një intervistë për mediat pak ditë më parë, Rama u shpreh se Erdogan ka bërë një kërkesë dhe në rastet konkrete, është vepruar sipas ligjeve në vend. “Këtu në Shqipëri ka shumë institucione që i përkasin të gjithë këtij zinxhiri. Presidenti Erdogan nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe nuk jep asnjë urdhër. Nuk e jep dot në një vend sovran. Nuk është urdhër, por një kërkesë, historike. Nga ana tjetër, ka qenë një kërkesë që është bërë gjithmonë dhe ne ndërkohë, kemi vepruar sipas ligjeve të Republikës së Shqipërisë. Nuk kemi vepruar sipas opinioneve apo spekulimeve që bëhen këtu, por sipas ligjeve të Republikës së Shqipërisë”, theksoi ai.
Ja kur filloi krisja e raporteve
Rama disa ditë pas vizitës së Erdogan në janar në Shqipëri, e paralajmëroi se nuk do të godasë “gylenistët” që strehohen në Shqipëri. Kryeministri gjatë një prononcimi për mediat nga selia e PS tha se “nuk i kemi asnjë borxh”, Erdoganit dhe vetë Turqisë. “Nuk i kemi asnjë borxh, presidentit të Turqisë dhe Turqisë, sikundër as presidenti i Turqisë dhe Republika e Turqisë nuk na kanë asnjë borxh sepse mes miqsh dhe mes një miqësie vëllazërore nuk ka asnjë borxh”, deklaroi kryeministri Edi Rama. Vija e qartë e kuqe që tregoi kryeministri Rama për Erdogan e ka bërë këtë të fundit që të bëjë kthesën e madhe ndaj liderit shqiptar duke e braktisur totalisht. Ndryshimi i Ramës dyshohet se ka ardhur dhe pas qëndrimit të amerikanëve për gylenistët.