Rama refuzon këshillën e Gjermanisë për shtyrjen e zgjedhjeve/ Manjani: Atëherë për çfarë e do dialogun?!

23 Maj, 2019

Pas reagimit të koalicionit qeverisës në Gjermani CDU/CSU, ku i kërkohet politikës në Shqipëri të ulet në tryezën e dialogut dhe shtyrja e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit si masa për tejkalimin e krizës politike, vjen edhe reagimi i ish ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani.

Ky i fundit, duke iu referuar edhe reagimit të kryeministrit Edi Rama, i cili shprehej se 30 qershori nuk është dorën e tij, pyet: “Atëhere për çfarë e do dialogun?!”.

Postimi i plotë i Ylli Manjanit:

Pa u tharë boja e letrës së dytë, ja nxori vetes bojën fallco që i kish vënë atyrë letrave të mllefosura.

Duke iu përgjigjur CDU/CSU, të cilët nuk njohin zgjedhje moniste, Kryeministri nuk pranon të shtyjë zgjedhjet lokale.

Atëhere për çfarë e do dialogun?!

Për fasadë?!
Nejse,

Vazhdoj të insistoj se vendit i duhet një datë zgjedhjesh parlamentare që të ri-ngrihet Parlamenti pluralist.

Nuk ka e smund të ketë asnjë detyrë apo reformë tjetër për t’u bërë pa Parlamentin Pluralist.

As dialog politik smund të ketë kur parlamenti është monist dhe jashtë standartit të një Republike kushtetuese Parlamentare.

Ligjet e këtij Parlamenti janë të papranueshme demokratikisht. Shkeljet Kushtetuese në veprimtarinë e këtij Parlamenti janë rutinë.

Ndaj produkti i këtij parlamenti monist, kur populli nuk i përket një partie të vetme është nul.

Madje për mua as qeveri teknike smund të ketë pa parlamentin pluralist.

Reforma e ligje të reja, jo e jo!

Të rikthehet parlamenti pluralist njëherë pastaj zgjidhim të tjerat.

Për këtë duhet vetëm një datë zgjedhjesh parlamentare.

Asgjë tjetër!

Asgjë më shumë se kaq nevojitet në këtë moment.

Këtë gjë e ka në dorë vetëm Kryeministri, askush tjetër as brenda e as jashtë Shqipërisë.

Vetëm Ai e çon vendin në zgjedhje politike parlamentare.

Të tjerat, përfshi dhe debatin deklarativ për zgjedhjet lokale, nuk zgjidhin krizën.

Përkundrazi e thellojnë edhe më keq. Nuk kërcënohet populli as me gaz e as me viza amerikane…

Nga ana tjetër kush e do diktaturën duhet të lejohet ta hedhë kokrrën e turpit në ato palo votime…