Rama rikthen në betejë kalin gerdalle e te lodhur të 2017-tës
Rama rikthen në betejë kalin gerdalle e te lodhur të 2017-tës
– 03/03/21
Edi Rama ka zbuluar sot me një monolog të gjatë, ku ai është vetëm në skenë dhe komunikon me publikun, se drejtësia është sërish kali i tij i betejës.
Argumenti që kishte në zgjedhjet e vitit 2017, rivjen pas 4 vitesh, një muaj e gjysëm para datës së votimit.
Sërish me të njëjtën teknikë, duke u shfaqur vetë si promotor i reformës në drejtësi, dhe duke identifikuar sipas tij armiqtë, që janë Meta dhe Berisha, dhe aleanca që ata kanë me kastën e korruptuar të gjykatësve dhe prokurorëve.
Reforma në drejtësi, është një temë që Rama e moli mirë e mirë në betejën zgjedhore të para 4 viteve, por pak gjë ka ngelur aty për të përfituar sërish politikisht, pasi produkti i asaj reforme është ende larg së qëni bindës, dhe aq më shumë, askush nuk e mendon sot se është pikërisht bosi i rilindjes që kërkon gjykata e prokurori të forta e të pavarura.
Ne e kemi parë, se drejtësia e re, ka lënë për të dëshiruar të paktën në dy teste që kaloi.
Tenderat sekrete dhe me dëme të mëdha ekonomike në shëndetësi, apo ato të mbrojtjes, të bëra gjatë pandemisë. Prokuroria zbuloi se ka konsumim të veprës penale, por përgjegjës nuk ishin titullarët, ministrat, duke ndikuar kështu në idenë e pandëshkueshmërisë.
E njëjta gjë me dosjen 184 të Dibrës, ku u pranua se krimi elektoral ka ndodhur, por u lanë larg përgjegjësisë drejtuesit e lartë, deputetë e ministra.
Rikthimi tek argumenti i drejtësisë, dhe gjetja e fajtorëve dhe armiqve, është një temë që i leverdis një kryeministri që pas 8 viteve në pushtet vijon të mos ketë bilanc pune, dhe vazhdon të refuzojë të marrë përgjegjësi mbi vete.
Po kjo tashmë është një shfaqje kaq e shpëlarë, sa zor se bind ndokënd, as edhe militantët.
Këto zgjedhje kanë të bëjnë me krizat e rënda dhe dështimet e qeverisë për t’i kuruar ato. Kanë të bëjnë me ekonominë, me varfërinë, me papunësinë, me korrupsionin, me pandeminë.
Të tjerat janë përralla
Gazeta Mapo