Rama shpalle veten Baba i Kombit, ndërkohë që po dalin denoncime se si miliona euro po shkojnë ne drejtim te paditur.
Rama shpalle veten Baba i Kombit, ndërkohë që po dalin denoncime se si miliona euro po shkojnë ne drejtim te paditur.
28 mars 2020
Prej ditësh, i njëjti refren. Edi Rama del dhe merr kohë të çmuar, për të treguar se sa stres po i shkaktojnë ata që ankohen për bukë, apo që kritikojnë qeverinë për kufizimet e ashpra, apo që denoncojnë masat e pamarra në kohë. I përqesh, i shkërben ata, dhe i tall hakçe.
Sot, kjo arriti kulmin.
Rama u vetshpall baba i kombit, dhe iu lëshua bijve mosmirënjohës që guxojnë të jenë të pakënaqur, teksa ai po sakrifikohet çdo ditë.
Ndërkohë që po dalin denoncime se si miliona euro po shkojnë sërish tek një grusht oligarkësh dhe kontratat koncesionare nuk po njohin krizë, Rama përtall ata që pretendojnë se qeveria duhet t’u kishte dërguar me vakt ndihma, dhe para, duke qëne se marsi po mbyllet dhe një pjesë e mirë e njerëzve janë në qindarkat e fundit.
Kryeministri parashikoi sot ditë të vështira për të ardhmen e ekonomisë, foli për rritje të papunësisë, dhe pasoja të tjera të rënda. Po duket qartë, se ai hallin kryesor e ka se kjo do ti lëkundë pushtetin e tij personal. Ai është i shqetësuar për veten e tij.
Publiku ka parë gjithë këto ditë kryeministra të Europës që dalin e flasin.
Asnjëri prej tyre nuk ankohet se po e kritikojnë, se po e stresojnë. Asnjëri nuk shpallet si baba i kërrusur nga hallet që mban mbi shpinë. Asnjëri nuk ngjan i merakosur për karrigen e tij, apo imazhin e dëmtuar në sytë e qytetarëve dhe votuese. Halli i vetëm që kanë, është përballimi dhe dalja nga kriza. Ndaj ata marrin çdo ditë vendime, ndërmarrim lehtësira dhe lëvrojnë para.
Vetëm tek ne, kemi fjalë e propagandë dhe ende asgjë konkrete. Fjalë, propagandë, kujë e vajtime, po jo ekzekutim, jo akte konkrete, jo punë të kryera. Fjalë imzot fjalë, ta shtyjmë dhe një ditë, një javë, një muaj. Se do ta bëjë perëndia mirë, njerëzit do harrojnë. Dhe shpresa është që në fund, do të kujtojnë imazhin e përdëllyer të babait që u detyrua të mbyllte njerëzit brenda, për të shpëtuar kombin. Do të kujtojnë, babain e përkushtuar, po edhe të keqkuptuar. E do ta nderojnë, siç i takon.