“Rama u hetua në SHBA”/ Agron Shehaj zbardh prapaskenat e skandalit ‘McGonigal’: – Kryeministri përmendet 14 herë në akt-akuzën amerikane
31 Janar 2023
“Kryeministri i Shqipërisë është hetuar në SHBA. Ai është bërë lajmi kryesor në SHBA…”
Deputeti i PD-së, Agron Shehaj, tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit”, se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është hetuar në SHBA për lidhjet dhe komunikimet me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal. Shehaj tha se, nëse nuk do të kishte patur një hetim, kryeministri Rama nuk do të ishte përmendur 14 herë në dokumentin final të akt-akuzës amerikane.
“Në aktakuzën amerikane Edi Rama përmendet 14 herë se çfarë ka bërë, me kë ka qenë, çfarë ka dhënë për informacionin që duhej të niste në Amerikë.
Para disa ditësh doli deklarata e ish-të dashurës të ish-zyrtarit të lartë të FBI-së të cilës i shkuan te dera e shtëpisë, i trokitën, i treguan foton e kryeministrit me agjentin dhe e pyetën: Çfarë di ti për marrëdhënien me këtyre dy individëve? Tani kjo çfarë është? Është hetim, apo jo?
Nëse kryeministri është përfshirë në akt-akuzën finale është sepse janë mbledhur informacione, ku kërkohen gjithçka, sms, telefonata. Nëse nuk do të kishte patur një hetim, kryeministri Rama nuk do të ishte përmendur 14 herë në dokumentin final. Ne nuk po themi që është akuzuar, por po themi se është përfshirë në hetim.
Kryeministri i Shqipërisë është hetuar në SHBA. Ai është bërë lajmi kryesor në SHBA, sepse, dyshohet, të paktën sipas mediave amerikane, se pas parave, atyre 225 mijë dollarëve, mund të ketë qenë kryeministri i Shqipërisë. Nuk do t’ia dijë njeri nëse është hetuar me vendim të gjykatës apo jo, ishte ky e akuzuar apo jo”-u shpreh Shehaj.
Gazeta Sot