28 Prill 2025

Kryeministri Edi Rama, tashmë i shteruar dhe i frikësuar nga revanshi i fushatës elektorale të opozitës, i është rikthyer skandaleve me etiketimet për burrat, pas bujës që bëri në opinionin publik, termi çyryk që ai përdori për t’ju referuar 50% të gjinisë mashkullore.

Gjatë fjalës së tij sot, Rama ua la fajin paraprakisht si njollë burrave të Vlorës, nëse siç tha ai më 11 maj qarku bregdetar nuk thyen një rekord elektoral me vota për PS dhe besimin për të futur Shqipërinë në BE.

Në 11 maj ka një mesazh për vlonjatët, gjithë Shqipëria ka probleme, të gjitha qytetet e Shqipërisë kanë probleme, por unë ju them që në çdo qytet që unë shkoj më thonë a do bëhet edhe qyteti ynë si Vlora. Unë di një gjë: ‘Nëse ka zgjedhës burra dhe djem që në ditën e votimit duhet të shkojnë të votojnë janë burrat dhe djemtë e Vlorës, dhe pastaj patjetër dhe gratë dhe vajzat’. Nëse doni më shumë për Vlorën unë dua më shumë nga Vlora në 11 maj. Kam bindjen absolute, nëse Vlora përtej të gjitha të tjerave, mbahet për sensin e historisë, duhet të provoni sensin e keni dhe sot ku në 11 maj shqiptarët shkojnë në takim me historinë. Në 11 maj PS, do fitojë në gjithë Shqipërinë, në disa qarqe do thyejë rekord. Në zgjedhjet për Europën, nëse Vlora nuk thyen rekord, do jetë turpi i gjithë atyre burrave që nuk shkojnë në votime”, tha Rama.

Rama i është përgjigjur kritikave se gjatë fushatave elektorale për zgjedhjet e 11 majit, bën takime vetëm dhe gratë dhe vajzat, e jo me burrat e djemtë.

Ai shprehet se me gratë i mbushin sallat më shumë se “ata me kashtën dhe koq*t e tyre”.

Këtu në Vlorë do jap përgjigjen e asaj pyetjes “Ç’është ky hall i madh që bredh Edi Rama nëpër Shqipëri dhe mbledh vetëm gratë? Që ta kuptojnë ata që nuk e dinë se si funksionojmë ne, dua tu them që çfarë shikoni këtu nuk janë gra dhe vajza që janë mbledhur këtu për të duartrokitur, por janë trupa që udhëheq betejën tonë për të ftuar mendjen dhe zemrat e njerëzve në të gjithë Vlorën dhe kjo nuk i përjashton aspak burrat dhe djemtë. Ky është superioriteti unë, sepse vetëm me gratë e pararojës mbushim në sallë si kjo, se sa ata të tjerët me të tërë kashtën e koqet e tyre”, tha Rama.