“Ramës i ka dalë situata jashtë kontrollit”: – Ja çfarë ndodhi me Arben Ahmetajn para një viti
18 Korrik 2023
“…çështja e portit të Durrësit është një aferë e ngjashme me atë të inceneratorëve, ku sërish në krye mbetet kryeministri”.
Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në një emision televiziv ka komentuar vijimin e hetimeve për ish-ministrin Arben Ahmetaj, duke thënë se ky i fundit ishte “lëshuar politikisht” prej një viti nga kryeministri Rama.
Ai u shpreh se arsye për këtë lëshim ka qenë zhurma e lidhjeve të Ahmetajt me inceneratorët ose një “prishje pazaresh” mes të dyve, pasi dyshohet se Ahmetaj ka qenë personi që ka çuar të dhënat aty nga ku doli ngjarja.
Sipas tij Ramës i ka dalë situata jashtë kontrollit, ndërsa shtoi se çështja e portit të Durrësit është një aferë e ngjashme me atë të inceneratorëve, ku sërish në krye mbetet kryeministri.
Më tej ai tha se PS nuk është një parti normale pasi të gjithë janë bashkëpunëtorë në afera të tilla dhe nuk shqetësohen për të ardhmen politike duke denoncuar rastet.
“Rama kishte një vit që e kishte lëshuar politikisht Ahmetajn. Dihet se shkaqet mund të jenë dy, të lidhur me njëri-tjetrin. Zhurma e inceneratorëve dhe lidhjet e Ahmetajt me Zoton e Mërtirin. Shkaku i dytë është se Ahmetaj u lëshua sepse Rama donte ta lëshonte për prishje të pazareve dhe ai ka çuar të dhënat aty nga ku doli ngjarja. Fakti është që pasi fillon hetimi i Ahmetajt nga SPAK, me vonesë dhe në mënyrë të çuditshme, duke mbajtur erë hakmarrjeje nga Rama.
Ndodhi diçka tjetër dhe në hetimet e SPAK, ku del sesi kartat e kreditit të Zotos e Mërtirit janë përdorur për udhëtime të Ahmetajt, rinovime shtëpie, etj. Këto janë paratë e Ahmetajt në një farë kuptimi. Në këtë histori del se në vitin 2020 ka ndodhur një sherr mes Zotos dhe Ahmetajt. Ajo që del në tërësi është se ka një skemë të filluar që kur kanë ardhur në pushtet socialistët, se si do tërhiqen para publike për t’iu dhënë këtyre personave dhe për t’u shpërndarë për të paguar fushata elektorale, media, njerëz, etj.
Këtu ka një zullum të trashur dhe vetvetiu do këputet. Edi Ramës i ka dalë situata jashtë kontrollit. Këto i kemi ditur që në fillim, kur Ahmetaj u vendos ministër Financash. Ai u vendos për të vazhduar punët e këtyre.
Nuk kam pikë dyshimi nga ajo që njoh se edhe afera e portit të Durrësit është e ngjashme me inceneratorët. A ka apo jo prova nuk e di, por të gjithë janë bashkëpunëtorë që mbajnë njëri-tjetrin. Po të ishin parti normale do dilnin kundër fajtorëve për të mbrojtur të ardhmen politike të tyre, por këta i bëjnë të gjitha bashkë. Në krye mbetet sërish Rama”, u shpreh ai.
Gazeta Sot