Raportet – Kontaktet e UFO-ve në Shqipëri
28 Maji 2023
Nga: Alfapress.al
I pari dokumentim për vizitën e UFO-ve në Shqipëri mbetet ditari i Mihal Gramenos. Ai ishte publicist i shquar, shkrimtar dhe veprimtar i lëvizjes patriotike e demokratike, Hero i Popullit. Gjatë viteve 1907-1908 luftoi përkrah me çetën e Çerçiz Topullit.
Në librin e tij Kryengritja shqiptare, kujtime luftarake rreth çetës së Çerçiz Topullit, Grameno sjell kujtimet e tij mbi udhëtimet e gjata dhe të vështira të bashkëluftëtarëve të Çerçizit mal më mal. “Një natë teksa luftëtarët e Çerçizit kishin ngritur një limer majë një bjeshke të lartë, na fluturoi përpara një objekt shkëlqyes që qëndroi disa minuta pezull në ajër dhe pastaj u zhduk.”shkruan Grameno.
Aeroplanët në atë kohë ishin në fazat e para, pra nuk ka mundësi të ketë qenë i tillë. Gjithashtu nuk mund të ketë qenë as meteor dhe as kometë, pasi dihet se ato nuk qëndrojnë pezull në ajër por bien menjëherë. Kështu që mbetet një UFO (objekt fluturues i paidentifikuar).
Raporti i FBI, 18 korrik 1947
Në një raport të FBI (Federal Bureau of Investigation), (Agjencia Federale e Hetimeve, AFH) shkruhet se : “Disqet janë vërejtur në Mexico City, New Orleans, Philadelphia, New York, Boston, Halifax, Newfoundland, Paris, Milan, Bolonjë, Jugosllavi dhe gjithashtu edhe në Shqipëri.”
Kallamishtëz, Tepelenë, janar 1963
Në janar të vitit 1963, banorët e fshatit Kallamishtëz në zonën e Kurveleshit rrëfyen se panë një objekt të shndritshëm në qiell. Autoritetet shqiptare u munduan të qetësojnë popullsinë duke iu thënë se ai që kishin parë nuk ishte UFO, por një model i ri avioni reaktiv në përdorim nga Forcat Ajrore Shqiptare.
Bardhaj, Shkodër, 1 gusht 199
Gëzim Dapi një inxhinier mjedisi i lindur ne Tiranë tregon një ngjarje të çuditshme që i ndodhi në verën e vitit 1990, kur ishte në shërbimin ushtarak në Shkodër. “Në verën e vitit 1990, kryeja shërbimin e detyrueshëm ushtarak në fshatin Bardhaj në Shkodër. Reparti im ushtarak ishte i mbrojtjes kundërajrore. Ne të gjithë ishim mjaft të instruktuar të njihnim llojet e avionëve ditën dhe natën, po kështu reparti dispononte mjete të teknikës luftarake që dallojnë avionët në distanca të afërta dhe të largëta. Natën e datës 1 gusht isha në vendroje.
Diku rreth orës 02:30 të mëngjesit, një mori dritash (100-150) të vendosura me një rregullsi të çuditshme, le të themi si forma e diamantit dhe me një madhësi diku te 20 metra u shfaqën në qiell me një shpejtësi të madhe dhe me një zhurmë shumë të vogël , aq sa mund të bëjë një tufë me zogj. Nuk ishte as avion as ndonjë mjet tjetër fluturues që ne njihnim, për më tepër kishte shpejtësi shumë të madhe dhe pak zhurmë”
Përpara se të raportonte ngjarjen te operatori qendror i batalionit, Gëzimi kishte frikë se nuk do të ishte i besueshëm, por mësoi se ishin edhe 5 ushtarë të tjerë që raportuan të njëjtën gjë. Megjithatë, ngjarja nuk iu dha shumë rëndësi në atë kohë, sepse ishin fill pas hapjes së ambasadave dhe temat e ditës ishin gjëra të tjera.
Gjatë kohës, inxhinieri ishte i padëgjuar për këtë ngjarje dhe ai besonte se ishte një ngjarje e humbur. Megjithatë, dy muaj më vonë pasi kishte ndodhur, gazeta “Zëri i Rinisë” e botuar në Tiranë publikoi këtë ngjarje, por pa shumë detaje.
Cërrik, Elbasan, 12 korrik 1993
Ishte ora 20:00 kur në qiellin e Cërrikut u shfaq një objekt fluturues i ndriçuar. Sipas dëshmive okulare objekti i ndriçuar bënte lëvizje të shpeshta e të befasishme. Lajmi se një UFO po fluturonte u përhap me shpejtësi në qytet. U lajmëruan edhe forcat e rendit të cilat u përpoqën të kufizonin përhapjen e panikut mes popullsisë. Objekti i ndriçuar u zhduk nga qielli rreth orës 22:00 (gjithmonë sipas dëshmive okulare).
Roskovec, Fier, 4 maj 2006
Ai që mbetet rasti më i famshëm i vizitës së UFO-ve në Shqipëri është ai i qytezës së Roskovecit. Tre dëshmitarë okularë një grua e rritur dhe dy fëmijë, por edhe gjithë banorët e qytezës së Roskovecit, besojnë se në qytetin e tyre zbriti një objekt i paidentifikuar, të cilin ata e quajtën UFO. Tre rrathë të zinj të fotografuar, që sipas banorëve qenë të nxehtë edhe një ditë pas “zbritjes” ishin dëshmia e madhe e objektit që preku tokën dhe në një fragment sekondash bëri që zona për rreth sipas dëshmitarëve të ndriçohej, errësohej në moment dhe më pas të përfshihej nga një erë e fortë dhe e ftohtë. Një nga gratë, e quajtur Sherife Kola, ka mundur të dëgjojë vetëm zhurmën dhe të vërë re errësirën që u krijua në ato momente. Një pjesë e mirë thonë që kanë parë të nesërmen shenjat e lëna në asfalt, ndërsa tregojnë se petalet e trëndafilit ishin djegur kur i kishin vënë mbi hirin e lënë nga objekti, nëse ka qenë një i tillë. Gjithçka me aq sa mbajnë mend banorët ka ngjarë më 4 maj, rreth orës 19:00 të asaj dite.
Fier, 6 Mars 2007
Mbrëmjen e së martës të marsit 2007, roja bregdetare Admir Jemishaj ishte në shërbim bashkë me komandantin e tij. Rreth orës 19:15 të kësaj dite ata rrëfyen se kishin parë një objekt të palëvizshëm në hapësirë. Objekti shihej me sy të lirë dhe se më pas e kanë parë akoma më qartë me dylbi. Objekti është shfaqur befas mbi hapësirën e bregdetit të Semanit në Fier e për 20 minuta ka qëndruar pa lëvizur në hapësirë. Rojat thanë se ai kishte shkëlqim vezullues, ndryshonte ngjyrat dhe formën e diskut, ndërsa ata e kanë parë me sy të lirë dhe me dylbi. “Ishim me shërbim kur pamë një objekt krejt të veçantë. Ai qëndronte në horizont me detin në një milje lartësi. Ngjyrat e tij ndryshonin herë pas here, nga jeshile në blu dhe në të kuqe. Për disa minuta kishte vetëm ngjyrë të kuqe ose blu. Ishte diçka e frikshme, por njëkohësisht dhe e bukur”, – tregoi për mediat roja bregdetare, Jemishaj.
Elbasan, 24 dhjetor 2008
Katër gjahtarë nga Elbasani treguan se u përballën me një disk fluturues mbrëmjen e së enjtes para krishtlindjeve më 2008. Sipas tyre, në orën 20.30 të mbrëmjes, në një fshat rreth 30 kilometra larg qytetit të Elbasanit kanë parë një gjë të jashtëzakonshme, nga e cila ia kanë mbathur me vrap. Katër gjahtarët janë nisur drejt fshatit Vidhas të Komunës së Paprit, në kufi me rrethin e Peqinit. Në të dalë të qendrës së komunës, rreth 7 kilometra larg saj, ata kanë marrë një rrugë pylli. Pasi kanë ecur rreth 15 kilometra, ata janë befasuar në momentin që kabina e makinës së tyre tip fuoristradë është tronditur nga lart dhe motori është fikur. “Na verboi një dritë e fortë ngjyrë blu e çelët dhe një dritë vertikale e kuqe. Për një moment m‘u duk sikur na ndiqnin makinat e policisë nga pas”, tregon Muharrem Kaçuli, njëri prej katër gjahtarëve që kanë përjetuar për pak minuta ngjarjen në fjalë. Sipas tij, djali 25- vjeçar që ishte me ta, kishte dashur të gjuante me çifte në drejtim të objektit të shëndritshëm, por i ati nuk e kishte lejuar.
Vlorë, 21 korrik 2009
Një objekt fluturues i paidentifikuar, i quajtur nga ata që thonë se e kanë parë edhe si disk fluturues, është parë në orët e para të mëngjesit, në Vlorë më 21 korrik 2009, në zonën mbas Karaburunit, pikërisht në vendin e quajtur Gjiri i Dafinës, një zonë e qetë dhe e papopulluar. Ky objekt fluturues, është parë nga disa peshkatar që ishin nisur që në mbrëmje me peshkarexhën e tyre, për aktivitetet rutinë në këtë zonë. Objekti ka qenë në trajtën e një sateliti, me diametër përreth 3 metra, i cili është parë nga tre pjesëtaret e ekuipazhit, që ndodheshin në det, për te tërhequr rrjetat e peshkimit. “Isha duke tërhequr rrjetat e peshkimit, në moment mbi kokat tona kalon një objekt i madh, qëndron vetëm 5 sekonda dhe menjëherë u zhduk duke u larguar me shpejtësi. Objekti gjatë ikjes lëshoi një shtellung tymi dhe ngjyra e saj ishte gri në të bardhë… edhe në këto momente ndihem i shokuar, e pamundur. Dukej vërtet si një disk fluturues”, shpjegoi Shpëtim Alushaj, njëri nga peshkatarët.
Tiranë, 6-7 gusht 2010
Në mesnatën e 6-7 gushtit, një i ri në Parkun Rinia në kryeqytet dhe të tjerë persona në Tiranë filmuan me kamera amatore tre drita që lëviznin në qiellin e kryeqytetit. Ishin UFO?! E sigurtë është vetëm që nuk ishin avionë dhe mjete të tjera të njohura fluturuese. Loja me drita u dëshmua në You Tube shumë shpejt ndërsa dëshmitare e ngjarjes një meso grua rrëfeu për median se kishte parë ato që ajo i quajti drita të jashtëzakonshme. Rezmie Lulo tregoi se, “Në atë moment nuk mendova gjatë dhe ato dy minuta i shijova. Të tre objektet ishin portokalli me formë sferike dhe ishin të shkëputura”. Ajo ka thënë gjithashtu se “Fillimisht objektet na u dukën afër dhe sa vinte e ngriheshin më lart. Objekti i parë u shkëput në veriperëndim. Dy objektet e tjerë ishin zhdukur menjëherë. Ka shumë mundësi të kenë qenë UFO”./ Alfapress.al – A.S