
Raporti Amnesty International 2024: – Pacientët me kancer nuk morën shërbim. – Dhuna ndaj grave, shqetësuese. – Liria e medias, në përkeqësim
29 Prill 2025
Në Shqipëri, gjatë vitit 2024, janë shënuar shkelje serioze të të drejtave të njeriut, thekson Amnesty International në raportin e saj më të fundit.
Në fushën e shëndetësisë, organizata nënvizon se pacientëve me kancer u është mohuar qasja në kujdes shëndetësor falas në Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë.
“Disa pacientë që kishin nevojë për trajtim për kancerin u transferuan nga mjekët e Spitalit Shtetëror Nënë Tereza në kryeqytet, në klinikat e tyre private me pagesë. Caktimi i pacientëve në klinika private kundrejt pagesës është një shkelje e rëndë e të drejtës për shëndet”.
Amnesty sjell gjithashtu në vëmendje situatën alarmante të dhunës në familje. Vetëm në gjysmën e parë të vitit, 686 gra raportuan dhunë, një shifër në rritje krahasuar me një vit më parë.
“Viktimat e dhunës shpesh kthehen te abuzuesit për shkak të mungesës së mbështetjes institucionale”
Gjendja në burgje dhe paraburgime mbetet gjithashtu problematike. Në Burgun e Lezhës, Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës shprehu shqetësime për mbipopullimin, mungesën e stafit mjekësor dhe kushtet e dobëta të jetesës.
Në fushën e lirisë së shtypit, Amnesty thekson përkeqësimin e klimës për gazetarët në vend.
“Konfliktet e interesit mes politikës dhe biznesit, si dhe mungesa e mbrojtjes ligjore, kërcënojnë pavarësinë e medias shqiptare”, thuhet në raport, duke cituar edhe të dhënat e Reporterëve pa Kufij.
Raporti i kushton vëmendje edhe marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për ngritjen e qendrave të ndalimit për azilkërkuesit e shpëtuar në det, duke paralajmëruar për rreziqe të paraburgimit arbitrar.
Në fushën e të drejtave të komuniteteve vulnerabël, Amnesty evidenton diskriminimin e romëve dhe egjiptianëve në aksesin ndaj shërbimeve publike dhe arsimit, ndërsa mbi personat LGBTI, raporti thekson përkeqësimin e klimës së urrejtjes, sidomos pas organizimit të një martese simbolike të të njëjtit seks në Tiranë.
Raporti i Amnesty International vë në dukje se, pavarësisht disa hapave të ndërmarrë, respektimi i të drejtave të njeriut në Shqipëri mbetet një sfidë serioze.