Raporti i Avokatit të Popullit/ Protesta te PD, shkon në 60 numri i të ndaluarve

9 JANAR 2022

… Gazi është përdorur në afërsi edhe të protestuesve të cilët nuk po ndërmerrnin veprime aktive ndaj forcave të Policise apo selisë së PD-së, nuk po tentonin të hynin me forcë në oborrin e brendshëm dhe nuk përbënin rrezik apo kërcënim për situatën.

Policia ka shoqëruar rreth 60 persona gjatë ditës së djeshme, pas protestës së organizuar përpara selisë së Partisë Demokratike. Protesta e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha për të marrë selinë e PD-së.

“Sipas konstatimeve të Avokatit të Popullit, në të gjitha komisariatet e kryeqytetit ishin shoqëruar në total një numër prej 59 qytetarësh nga të cilët 28 persona në Komisariatin nr.1, 14 persona në Komisariatin nr.2, 8 persona në Komisariatin nr.3, 5 persona në Komisariatin nr.5, 3 persona në Komisariatin nr.6 dhe 1 person në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Të dhënat i referohen kohës së kryerjes së inspektimeve dhe situata vijon të jetë në dinamikë”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.

Zyrtarë të këtij institucioni kanë ndjekur nga afër zhvillimet, duke vëzhguar zbatimin e masave nga policia. Sipas raportit, nga verifikimet, 8 ndër të shoqëruarit ishin të mitur. Për të miturit veprimet kryheshin me përparësi dhe ishin njoftuar familjarët për të qenë të pranishëm në momentin e pyetjes së tyre.

RAPORT PARAPRAK I AVOKATIT TË POPULLIT PËR NGJARJET GJATË DHE PAS PROTESTËS SË DITËS SË SOTME

Institucioni i Avokatit të Popullit ka ndjekur sot (dje) me vëmendje dhe shqetësim protestën e zhvilluar në kryeqytet duke angazhuar në terren me disa masa e më pas në Komisariate e qendra spitalore, disa grupe monitorimi. Ndërsa e drejta e protestës është një e drejtë e garantuar, është shumë e rëndësishme që ajo të ushtrohet në mënyre paqësore e të shmangen veprime të dhunshme.

Grupi i monitorimit të Avokatit të Popullit ka qenë që prej orës 11.30, përreth zonës me qëllim verifikimin e problematikave që mund të lindnin apo shfaqeshin gjatë mbajtjes së kësaj proteste.

Përgjatë orës së parë të zhvillimit të protestës, në ambjentet përreth selisë së PD-së, situata ishte jo-problematike dhe karakterizohej nga lëvizje dhe përpjekje të

vazhdueshme të protestuesve për të hyrë në mjediset e brendshme të selisë por forcat e rendit nuk kanë ndërhyrë dhe nuk kanë kryer veprime operative ndaj protestuesve.

Rreth orës 13.00 situata brenda perimetrit të selisë përshkallëzoi ndjeshëm dhe u konstatua një ndërhyrje e menjëhershme të forcave të Policisë së Shtetit për largimin e protestuesve si nga oborri i selisë ashtu edhe nga segmenti i unazës. Kjo ndërhyrje karakterizohej kryesisht nga përdorimi i gazit lotsjellës dhe ujit (i cili përbëhej nga një solucion me ngjyrë të kuqe dhe të verdhë dhe me shkumë). Eshtë evidentuar një përdorim i lartë i gazit lotsjellës teksa Policia bllokoi perimetrin nga xhamia tek hotel “Dajti” si dhe urat lidhëse me pjesën tjetër të segmentit të unazës.

Gazi është përdorur në afërsi edhe të protestuesve të cilët nuk po ndërmerrnin veprime aktive ndaj forcave të Policise apo selisë së PD-së, nuk po tentonin të hynin me forcë në oborrin e brendshëm dhe nuk përbënin rrezik apo kërcënim për situatën. Përdorimi i gazit lotsjellës i gjeti protestuesit të papërgatitur dhe shumë prej tyre, të traumatizuar, kanë pasur të nevojshme marrjen e ndihmës mjekësore e cila u mundësua pas njoftimeve të qytetarëve. Një pjesë e punonjësve të Policisë nuk kanë pasur të dukshëm numrin e tyre të identifikimit.

Pas shpërndarjes së protestueseve, segmenti i Unazës ka vijuar të jetë i bllokuar,

pasi përbënte skenë krimi dhe nga ana e forcave të Policisë është ndaluar hyrja e

lirë e çdo individi qofshin këta dhe punonjës të medias.

Për shkak të përshkallëzimit të situatës dhe raportimit të rasteve të dhunës, përfaqësues të Avokatit të Popullit inspektuan gjendjen në spitalet e kryeqytetit për të verifikuar praninë e qytetarëve të lënduar atje si dhe nëse atyre u ishte ofruar ndihma e duhur mjekësore.

Në Spitalin e Traumës po merrte mjekim shtetasi me inicialet A.H i cili ishte i plagosur në pjesën frontale. Pas kontaktit me këtë shtetas, ai pretendoi se ishte qëlluar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në protestën e sotme. Për sa i përket mjetit zotëria iu referua si armë e cila qëllonte predhat e gazit lotsjellës.

Sipas informacionit zyrtar të marrë në këtë spital, kishte marrë mjekim edhe një shtetas tjetër me inicialet N.A, i cili ishte lënduar po në kokë dhe pas marrjes së trajtimit ishte larguar.

Pas verifikimeve në Urgjencën e Spitalit “Nënë Tereza” rezultoi se kishin marrë trajtim për intoksikim me gaz lotsjellës 5 persona, ndër të cilët 3 femra dhe një punonjës policie mashkull. Njëra nga të lënduarat ishte punonjëse e medias.

Pasi kishin marrë trajtimin shëndetësor, gjendja e tyre ishte e mirë dhe ishin larguar nga spitali në momentin e verifikimeve.

Si përfundim, në spitalin Ushtarak dhe në QSUT kishin marrë shërbim në total 7 persona.

Ndërkohë pas konstatimit të një numri shoqërimesh të kryera nga Policia e Shtetit, institucioni i Avokatit të Popullit kreu verifikime të menjëhershme në të gjitha komisariatet e Policisë së Tiranës si dhe në Drejtorinë e Policisë.

Sipas konstatimeve të Avokatit të Popullit, në të gjitha komisariatet e kryeqytetit ishin shoqëruar në total një numër prej 59 qytetarësh nga të cilët 28 persona në Komisariatin nr.1, 14 persona në Komisariatin nr.2, 8 persona në Komisariatin nr.3, 5 persona në Komisariatin nr.5, 3 persona në Komisariatin nr.6 dhe 1 person në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Të dhënat i referohen kohës së kryerjes së inspektimeve dhe situata vijon të jetë në dinamikë.

Ndërkohë sipas verifikimeve, 8 ndër të shoqëruarit ishin të mitur. Për të miturit veprimet kryheshin me përparësi dhe ishin njoftuar familjarët për të qenë të pranishëm në momentin e pyetjes së tyre.

Të gjithë të shoqëruarit u kontaktuan nga përfaqësuesit e Avokatit të Popullit dhe nuk rezultuan prej tyre pretendime për veprime të dhunshme të kryera gjatë shoqërimit apo kohës së mbajtur në komisariate, por ata kishin pretendime se nuk kishin kryer veprime të dhunshme, por ishin shoqëruar vetëm për pjesëmarrje në protestë.

Grupet e monitorimit konstatuan disa parregullsi në mënyrën e plotësimit të regjistrave, apo në dhënien e kartës së të drejtave në momentin e shoqërimit.

Po ashtu u vërejt se numri i pergjithshem i të shoqëruarve ishte më i lartë se kapacitetet akomoduese të dhomave të shoqërimit në disa Komisarite (Nr. 1 dhe nr. 3). Masat anti-covid nuk respektoheshin.

Avokati I Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike. Ai është nxitës i standardeve më të larta të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend.

Avokati i Popullit në përputhje me mandatin e tij kushtetues si mbrojtës i të drejtave dhe lirive themelore të individëve nga veprimet e administratës shtetërore, do të vijojë të monitorojë situatën në vijimësi.

Gazeta Shqip