Raporti i frikshëm i SPAK
5 Prill 2024
Nga Gazeta Dita
Hetimi i zyrtarëve të lartë i kanë dhënë SPAK një perspektivë të privilegjuar mbi korrupsionin dhe mënyrat e përdorura për të tjetërsuar paranë publike në vend. Në raportin vjetor të paraqitur të enjten para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, organi i specializuar i akuzës shkruan se ka vërejtur sofistikim të metodave korruptive dhe të pastrimit të parave të korrupsionit.
“Vihet re, një sofistikim i kësaj vepre penale kryesisht kur kemi të bëjmë më projekte të rëndësishme publike, të kontraktuara sipas modelit konçensionar/partneritet publik privat”, shkruhet në raport.
SPAK ka në hetim kontratat e Partneritetit Publik Privat në shëndetësi dhe ato të lidhura me menaxhimin e mbetjeve. Në raport prokuroria shkruan se hetimet e këtyre rasteve kanë zbuluar skema të komplikuara të transferimit të parave publike në duart e zyrtarëve të lartë të korruptuar.
“Këto veprime financiare copëzohen në dhjetëra transaksione në formë kryerjesh pagesash tek kompanitë, të cilat nënkontraktohen për të kryer punime të ndryshme sipas specialitetit të tyre,” shkruan SPAK.
“Në fakt, në disa raste, kompanitë e nënkontraktuara janë pjesë e të njëjtës skeme dhe kontrollohen nga të njëjtët individ, që e kanë organizuar këtë skemë korruptive”, shton raporti.
Në të njëjtin raport Prokuroria e Posaçme vë në dukje një përfshirjen e Policisë së Shtetit dhe oficerëve drejtues të saj në krimin e organizuar, që shpesh herë bën të pamundur bashkëpunimin mes dy institucioneve.
“Vërehet gjithashtu një bashkëpunim i grupeve kriminale edhe me oficerët e policisë së shtetit të rangjeve të ndryshme në territorin shqiptar, si dhe funksionarë të organeve të drejtësisë”, shruhet në raport, ku theksohet ndër të tjera se grupet kriminale shqiptare kanë blerë mbrojtje dhe kanë korruptuar edhe zyrtarë të lartë në vendet e Amerikës së Jugut.
Ciklet e ryshfetit dhe korrupsioni
Raporti vjetor i SPAK përmban një tablo të detajuar të veprimeve korruptive të zyrtarëve të lartë, që nga abuzimi me tenderat deri te marrja e ryshfetit përmes një cikli, që sipas hetimeve përfshin zakonisht tre persona, dy prej të cilëve janë zyrtarë publikë.
Sipas skemës që kanë vënë re hetuesit ryshfeti i paguhet ndërmjetësit, që kryesisht rezulton të jetë po funksionar publik dhe që më pas i transferohet përfituesit fundor.
SPAK vë në dukje se janë titullarët e institucioneve ata që kanë në dorë dhe kontrollojnë aferat korruptive, kryesisht përmes personave të besuar.
Hetimet e SPAK kanë gjetur se në rastet e tenderave publikë, zyrtarët e lartë i japin urdhërat përmes këtyre personave të besuar dhe paratë më pas qarkullojnë në disa duar deri sa transferohen në llogari bankare brenda dhe jashtë vendit.
Në raport vihet në dukje se hetimet kishin gjetur tendera me dokumentacion tërësisht të falsifikuar dhe sipas prokurorisë shpesh korruptimi fillonte që me idenë për një tender.
“Veprimet korruptive mund të nisin që në fazën fillestare, pra të çeljes së fondit nga autoritetet kontraktore për projektin në fjalë, dhe për të vijuar më pas me akte dhe vendime, të cilat ndiqen nga titullari i autoritetit kontraktor”, shkruan SPAK.
Por sipas raportit aferat korruptive me të ashtuquajturit partneritete publike e private janë ato më të sofistikuarat.
“Veprimet karakterizohen nga shkelje të rënda ligjore të detyrimeve, që organet shtetërore kanë”, shkruhet në raport, duke vënë në dukje se shkeljet fillojnë që me përgatitjen e koncesionit.
Sipas raportit zyrtarët shtetërorë nuk bëjnë studime të plota të fizibilitetit, nuk llogarisin vlerën e kontratës dhe shkelin një sërë procedurash të tjera.
SPAK thekson se në hetimet e kryera kanë gjetur përfshirje të drejtpërdrejte të funksionarëve të lartë publikë në këto afera, të cilat fillojnë pa pasur ende procedura të shpallura duke i bërë fituesit të paracaktuar.
“Vihen re, ndërhyrje të drejtpërdrejta të funksionarëve të lartë publik, të cilët negociojnë paraprakisht, qoftë pa u shpallur procedura e tenderit/konçesionit me subjektin juridik, i cili më pas do të shpallet fitues”, shkruhet në raport.
Sipas raportit ndërhyrjet vijojnë gjatë gjithë kohës dhe përfshijnë edhe ndikimin në institucione të treta, duke krijuar gara fiktive që në fakt drejtohen “në hije” nga shoqëritë konçesionare.
Raporti vë në dukje se në këto skema zyrtarët e lartë përfshijnë më pas kompani që kontrollohen prej tyre, për të kryer punime dhe “mbuluar natyrën e vërtetë të skemës korruptive”.
SPAK vë në dukje se kjo është edhe forma e përdorur për t’i pastruar këto para. Hetimet, vihet në dukje në raport, kanë gjetur se kompanitë e e kontrolluara nga zyrtarë publikë përfshihen në transaksione me kompanitë përfituese të parave publike dhe më pas kryejnë transaksione për t’i transferuar paratë te zyrtari i përfshirë në korrupsion.
“Ajo që vihet re është se skema e pastrimit të parave është mjaft komplekse, pasi, në rastin e shkeljes së barazisë së tenderëve publik, ka si qëllim, jo vetëm të krijojë një skemë fiktive midis funksionarëve të lartë publik për fshehjen e akteve korruptive, por, mbi të gjitha, ajo shërben edhe si një skemë pastrimi e produkteve të veprave penale”, shkruhet në raport.
Krimi i organizuar me rrënjë globale
Në raport SPAK vë në dukje rritjen e numrit të hetimeve, sidomos atyre të nisura kryesisht prej vetë prokurorisë, po ashtu në raport theksohet edhe rritje e numrit të çështjeve të përfunduara dhe një përmirësim sa i përket çështjeve të fituara nga prokuroria në gjykatë.
Raporti vë në dukje edhe rritjen e numrit të bashkëpunimeve më partnerë ndërkombëtar, ndërsa thekson se ky bashkëpunim e ka ndihmuar Shqipërinë të përmirësojë pozicionin e saj sa i përket transparencës dhe luftës ndaj pastrimit të parave.
“Kjo qasje ka dhënë rezultate mjaft pozitive në të cilat, vlera e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara së bashku, nga vlerësimi i kryer për vitin 2023 përllogaritet në vlerën prej 41 milion Euro, nga të cilat, 54% e zënë pasuritë e konfiskuara në vlerën 22.5 milion Euro dhe 46% e zënë pasuritë e sekuestruara në vlerën 1.9 miliardë lekë (19 milion euro)”, thuhet në raport.
Megjithatë SPAK ngre shqetësimin për lidhjet e grupeve kriminale me Policinë e Shtetit dhe strukturat vendore, që prej kryepleqve e deri në nivele të larta.
Raporti i SPAK ka gjetur se strukturat kriminale veprojnë kryesisht në qytetet e mëdha të vendit: Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Shkodër, Elbasan. Por edhe në qyteza si Kurbin dhe Fushë-Kruja. Raporti thekson se Tirana dhe disa qytete bregdetare janë kthyer në qendra për pastrimin e parave.
“Në Tiranë dhe qytete të tjera bregdetare, grupet kriminale kryesisht janë të orientuara më shumë drejt pastrimit të parave”, thuhet në raport.
Raporti, për herë të parë, përfshinë një analizë të qartë të grupeve kriminale në vend dhe po ashtu edhe të aktiviteteve të tyre. Sipas hetimeve grupet janë kryesisht prej 10-15 personash, me lidhje gjaku dhe me një farë autonomie të brendshme. Këto grupe angazhohen kryesisht në trafik narkotikësh. Grupe më të vogla me 5-7 persona janë të përfshirë në vrasje me pagesë apo grabitje me armë dhe eksplozivë.
Hetimet kanë nxjerrë edhe sofistikim të këtyre grupeve kriminale në përdorimin e teknologjisë.
“Nga ana tjetër, edhe grupe të tjera kriminale të cilat nuk përfshihen në trafikun e narkotikeve, siç është rasti i “call center” apo i trafikimit të mallrave të kontrabanduara, rezultojnë të jenë shumë të sofistikuar, madje, shumë më të avancuar në teknikat e fshehjes së aktivitetit të tyre kriminal, kjo për vetë natyrën e aktivitetit të tyre, i cili mbështetet në përdorimin e gjerë të teknologjisë”, shkruhet në raport.
Ajo që vë në dukje SPAK janë lidhjet e gjëra të grupeve kriminale shqiptarë në Europën Perëndimore, Amerikën e Jugut apo edhe Lindjen e Mesme. Hetimet kanë nxjerrë përdorimin e porteve të mëdha në BE si ai i Frankfurtit, Pireut apo Roterdamit për të futur në BE kokainën.
“Këto grupe janë poli-kriminale dhe kanë shtrirje edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale, kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Evropian (BE) dhe Britaninë e Madhe,” shkruan SPAK.
“Prezenca e tyre në Shqipëri, dhe ndikimi në zonat ku ato veprojnë në komunitet vijon të mbetet i konsiderueshëm”, përfundon raporti.