Raporti i ISP: Mbi 86% e qytetarëve ndjehen të papërfaqësuar në parlament, kundër të “fortëve” dhe biznesmenëve
Raporti i ISP: Mbi 86% e qytetarëve ndjehen të papërfaqësuar në parlament, kundër të “fortëve” dhe biznesmenëve
28 gusht 2020
Sipas një anketimi të zhvilluar nga Instituti i Studimeve Politike pjesa më e madhe e shqiptarëve ndjehen të papërfaqësuar në Parlamentin shqiptar dhe kjo ndodh për shkak se deputetët janë zgjedhur nga listat e mbyllura.
Qytetarët shprehin zhgënjim të madh qytetar ndaj politikës dhe Parlamentit (jo vetëm atij aktual), si dhe kanë kuota minimale të besimit për një ndryshim cilësor të gjendjes në të ardhmen e afërt. Mbi 86% e qytetarëve ndjehen të papërfaqësuar në parlamentin aktual dhe mbi 93% e qytetarëve kërkojnë ndryshim dhe prurje të reja në parlament në vitin 2021.
Lidhur me rolin e Parlamentit në sistemin politik, shumica qytetare beson se ai nuk është përfaqësues (59%), dy të tretat mendojnë se parlamenti aktual nuk e kontrollon pushtetin ekzekutiv, mbi 60% mendojnë se parlamenti aktual vepron si institucion formal, si dhe mbi 58% e qytetarëve mendojnë se parlamenti nuk i përmbush përgjegjësitë kushtetuese.
Gjetjet kryesore të anketimit
Vlerësimi i përgjithshëm është se legjislatura më cilësore parlamentare ka qenë ajo 1992-1996. Vlerësimi për këtë legjislaturë vjen edhe nga grupe moshore që nuk e kanë jetuar atë, një tregues se qytetarët janë të informuar mbi politikën dhe po i largohen gjithnjë e më shumë vlerësimeve afatshkurtra të nisura nga interesa pragmatiste politike e elektorale.
Qytetarët shprehin zhgënjim të madh qytetar ndaj politikës dhe parlamentit (jo vetëm atij aktual), si dhe kanë kuota minimale të besimit për një ndryshim cilësor të gjendjes në të ardhmen e afërt. Mbi 86% e qytetarëve ndjehen të papërfaqësuar në parlamentin aktual dhe mbi 93% e qytetarëve kërkojnë ndryshim dhe prurje të reja në parlament në vitin 2021.
Lidhur me rolin e parlamentit në sistemin politik, shumica qytetare beson se ai nuk është përfaqësues (59%), dy të tretat mendojnë se parlamenti aktual nuk e kontrollon pushtetin ekzekutiv, mbi 60% mendojnë se parlamenti aktual vepron si institucion formal, si dhe mbi 58% e qytetarëve mendojnë se parlamenti nuk i përmbush përgjegjësitë kushtetuese.
Qytetarët demonstrojnë vullnet të qartë kundër karrierës politike të “të fortëve” dhe prurjeve imponuese nga biznesi. Mbi 94% e qytetarëve kërkojnë ligj për ndalimin e zgjedhjes të “të fortëve” në parlament dhe mbi 75% e qytetarëve mendojnë se deputetët biznesmenë fokusohen në interesat e tyre ekonomike.
Shumica absolute e qytetarëve janë kritikë me legjislaturën aktuale parlamentare. Mbi 80% e tyre deklarojnë se parlamenti vuan nga korrupsioni dhe konflikti i interesit, mbi 82% e qytetarëve besojnë se deputetët janë nën nivelin mesatar kulturor të shoqërisë, mbi 86% mendojnë se deputetë nuk mbrojnë interesat e qytetarëve, dhe si rrjedhojë, mbi 75% e qytetarëve janë kundër rizgjedhjes së deputetëve aktualë në zgjedhjet 2021.
Lidhur me dorëzimin e mandateve nga opozita (2019), në çdo 3 qytetarë, 2 besojnë se opozita gaboi që dorëzoi mandatet parlamentare, por ndërkohë 73% e qytetarëve besojnë se opozita e re parlamentare nuk vepron si opozitë e vërtetë.
Lidhur me reformën në përfaqësimin politik, 71,3% e qytetarëve mbështesin idenë e uljes së numrit të deputetëve nga 140 në 100, mbi 64% e qytetarëve mbështesin idenë e krijimit të Senatit si dhomë e dytë e parlamentit, si dhe vetëm një e treta e qytetarëve mbështet lejimin e partive fetare, etnike dhe lokale.
Lidhur me reformën zgjedhore, 83% mbështesin idenë e një sistemi zgjedhor me lista të hapura ose mazhoritar, 65% e qytetarëve kërkojnë që diaspora të ketë vende të rezervuara në Kuvend, 73% e qytetarëve mbështesin idenë e më shumë deputetëve të pavarur, 71% e qytetarëve duan të ketë më shumë se 2-3 parti në parlamentin e ri, si dhe 6% më shumë janë pro ndalimit të koalicioneve parazgjedhore sesa pjesa kundër.
Lidhur me prurjet gjinore, akademike dhe rinore, perceptimi qytetar mbetet gjithashtu kritik: 26% e qytetarëve besojnë se prurjet akademike kanë pasur impakt pozitiv në parlament, kundrejt 32% që mendojnë ndryshe; 42% qytetarë shprehen në mënyrë kritike për rolin e grave deputete në cilësinë e përfaqësimi, ndaj 21% që i vlerësojnë ato pozitivisht. Dy të tretat e qytetarëve mendojnë se deputetët e rinj (në moshë) nuk kanë sjellë risi në politike, por në tërësi imitojnë liderit e tyre politikë.
Media vijon të jetë burimi kryesor i informimit të qytetarëve mbi parlamentin (67%), ndërkohë që 59% e qytetarëve nuk janë në gjendje të identifikojnë një deputet në zonën ku banojnë, dy të tretat e qytetarëve mendojnë se deputetët nuk janë transparentë dhe llogaridhënës dhe 64% mendojnë se perceptimi kritik publik ndaj deputetëve nuk është paragjykues dhe apriori, por realist.
Lidhur me modelet pozitive të tranzicionit 60% e qytetarëve ishin në gjendje të thonin së paku një emër deputeti si model pozitiv, dhe në 40% të kësaj shifre, emrat pozitiv të dhënën nga qytetarët nuk i përkasin vetëm një partie politike, por dy ose më shumë politike të ndryshme, përfshirë edhe atyre rivale. Kriter kryesor vlerësimi sipas tyre është ndershmëria, integriteti, profesionalizmi dhe raporti aktiv njerëzor me zgjedhësit e publikun.
Shumica e emrave të referuar si modele, i përkasin parlamenteve të periudhës së parë të tranzicionit, si dhe figurave politike që nuk bëjnë pjesë në ekipet e larta drejtuese të partive politike.
Lidhur me cilësitë e deputetëve, 98%e qytetarëve duan që deputetët të jenë të ndershëm dhe të pa korruptuar, si dhe të kenë sjellje etike e qytetare; 96% e qytetarëve duan që deputetët të fokusohen në procesin ligjvënës dhe iniciues të ligjeve në parlament; 95% duan që deputetët të mbajnë lidhje direkt me zgjedhësit, 94% duan që deputetët të mos bëjnë premtime që nuk i mbajnë dot, 71% duan që deputetët të mos u binden urdhrave politikë të partisë, etj.
Ndonëse deputetët nuk kanë kompetencë për punësime, por de facto merren me to, edhe për qytetarët 81% duan që deputetët të ndihmojnë në punësimin e qytetarëve. Në cilësitë dhe bilancin e punës për deputetët mbajtja e fjalimeve në seanca plenare konsiderohet prioriteti i fundit, duke theksuar se fjalimet nuk sjellin zgjidhje të problemeve, janë kryesisht politike dhe një pjesë e madhe e tyre shkruhen nga stafet mbështetëse të deputetit.
o.j/dita