Raporti i OBSH: – Vdekjet e tepërta gjatë pandemisë në Shqipëri, 3.9 herë më shumë se sa raportimi zyrtar

5 Maji 2022

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se afërsisht 12,689 vetë kanë vdekur në Shqipëri gjatë viteve 2020-2021 si rrjedhojë e drejtpërdrejtë ose e tërthortë e COVID-19, një shifër kjo 3.9 herë më e lartë se sa statistikat zyrtare të vdekjeve nga COVID-19. Shifra prej 12,689 vdekjesh të tepërta është mesatare e përllogaritur nga numri i vdekjeve të regjistruara gjatë këtyre dy viteve në krahasim me numrin e vdekjeve të regjistruar në vitet e mëparshme kur nuk kishte pandemi.

Modeli statistikor i zbatuar nga OBSH për këtë qëllim vlerëson se shifra reale e vdekjeve të tepërta duhet të jetë mes 11,575 vetëve dhe 13,710 vetëve. Në krahasim me vdekjet e tepërta, shifra zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë tregon se deri në fund të vitit 2021, të vdekurit nga COVID-19 në Shqipëri ishin 3,217 vetë.

OBSH thotë se në rang botëror, rreth 15 milionë vetë kanë humbur jetën përgjatë këtyre dy viteve më shumë nga sa pritej të ndodhte jashtë kushteve të pandemisë ndërsa më pak se një e katërta e këtyre vdekjeve janë raportuar si të shkaktuara nga COVID-19, sëmundja e koronavirusit të ri.

Qeveritë e ndryshme kanë thyer rekorde të ndryshme negative në këtë drejtim. Në Meksikë, vdekjet e tepërta të llogaritura janë dy herë më të larta se sa shifrat zyrtare të qeverisë ndërsa në Egjipt, afërsisht 12 herë më të larta.

“Këto të dhëna të trishta jo vetëm që tregojnë pasojat e pandemisë por flasin edhe për nevojën e të gjitha vendeve që të investojnë për sisteme shëndetësore më të forta, të cilat të jenë në gjendje të ofrojnë shërbimet shëndetësore bazë gjatë krizave, përfshirë ndërtimin e sistemeve më të forta të informimit shëndetësor”, deklaroi Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së.

Mortaliteti i tepërt llogaritet si diferencë mes numrit të vdekjeve që kanë ndodhur dhe numrit që pritej të ndodhte në mungesë të pandemisë, bazuar në të dhënat e viteve të mëparshme.

Vdekjet e tepërta përfshijnë vdekjet e shkaktuara nga COVID-19 drejtpërsëdrejti, ose vdekjet e shkaktuar indirekt, të tilla si ato që kanë ardhur si pasojë e impaktit që pandemia kishte në kujdesin shëndetësor normal. Por pandemia ka pasur edhe efekte të kundërta, pra jetë të shpëtuara nga, fjala vjen, numri më i ulët i aksidenteve gjatë mbylljeve të popujve dhe ndalimit të qarkullimit me automjete.

Në rang botëror, burrat rezultuan më të prekur nga pandemia se sa gratë, 57% e vdekjeve të tjera ishin mes burrave). Në Shqipëri, gjetjet e OBSH-së sugjerojnë se 67% e vdekjeve të tepërta ndodhën mes burrave ndërsa pjesa tjetër, mes grave.

Kulmi i krizës në Shqipëri u shënua në muajt nëntor 2020 dhe shkurt e mars 2021. Në pranverën e vitit 2021, qeveria shqiptare refuzoi të ndërmarrë masa kufizuese ndërsa priste zgjedhjet e 25 prillit, të cilat i fitoi.

Pandemia e koronavirusit të ri mbërriti në Shqipëri në mars 2020 dhe ka prekur zyrtarisht deri më sot rreth 10% të popullsisë, sipas statistikave zyrtare./BIRN

Nga Gazeta Dita