Raporti i OKB për Kosovën: – Përshkallëzimi i tensioneve në terren ka ndikuar në progresin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës
15 Tetor 2022
Në raportin gjashtë mujor për Kosovën që do t’i dorëzohet Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka nënvizuar tensionet dhe retorikat e nxehta që sipas tij kanë bërë që të ketë një mjedis të brishtë të sigurisë në Kosovë. Sipas Guterres, qetësia në Kosovë është arritur falë angazhimit të gjerë diplomatik kryesisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Guterres, në raport ka përmendur përshkallëzimin e situatës si pasojë e ngjarjeve të 31 korrikut, kur Qeveria e Kosovës filloi implementimin e dy vendimeve të saja, atë me kartat e identitet dhe targat.
“Ngjarjet e 31 korrikut në veri të Kosovës si përgjigje ndaj vendimeve të qeverisë së Kosovës për lirinë e lëvizjes shënuan një përshkallëzim serioz, duke e çuar situatën në prag të konfrontimit me pasoja potencialisht të rënda të sigurisë”, thuhet në raportin e Guterres.
Rëndësia e përmbajtjes sipas Guterres dhe sidomos përkushtimi ndaj dialogut për zgjidhjen e mosmarrëveshje nuk duhet të nënvlerësohet. “Zhvillimet e 31 korrikut nxorën në pah edhe rreziqet e paraqitura edhe nga dezinformatat për të kontribuar në retorikën përshkallëzuese dhe tensionet. Të gjitha palët duhet të sigurojnë që komunikimi përmes të gjitha kanaleve të jetë përgjegjës për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit të ri”, thuhet në raport. Më tej Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka përgëzuar angazhimin diplomatik të SHBAsë dhe BE-së si kyç për qetësimin e situatës.