Raporti i Ugolinit për zbulimin e Butrintit. Arkeologu: Xhandarët më vjedhin. Shteti shqiptar: Ai fsheh zbulimet. –
Raporti i Ugolinit për zbulimin e Butrintit. Arkeologu: Xhandarët më vjedhin. Shteti shqiptar: Ai fsheh zbulimet. –
Nga: Fatmira Nikolli.
Raporta e Z.Ugolini për gërmimet të Vithrëntitë. Ministërijës së Arësimit i Qytet. Raporta në gjuhën italishte që i pasëka shtruarë Mënistërijës Ztoi Prof.Ugoliniu për vepërimet; të tije ndë lëmë të Vithrëntitë gjatë vitit të shkuarë. Kjo raportë fort’ tepër e shkurtërë dhe e përmbledhurë nuk’ ep asnjë hollësijë për të qenë mbi gërmmimet që jan’ e bëhen nd’atë lëmë dhe sa për pikën e sendevet të zbuluara gajtë këtyre gërmimeve munt të thuhet se e kapërcen pupëthi; Zoti prof.L.Reji vepëron sadopakë më ndryshe për sa u përket gërmimevet të tijë ndë rrethinën e Pojanit.
*Kjo shkresë e 4 shkurtit 1931 nga Drejtori i Muzeut Kombëtar në atë kohë, sjell veçse një pjesë të përplasjes së arkoelogut italian Luigio Ugolini dhe institucioneve shqiptare. Është një prej dhjetëra dokumenteve që ekspozohet në Sarandë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Ekspozita ka në qendër Butrintit dhe Ksamilin.
Qyteti antik i Butrintit filloi të zbulohej më 1928 prej Misionit Arkeologjik Italian me në krye arkeologun Luigi M. Ugolini. Teatri, vila bizantine, tempulli i Eskulapit dhe një mori statujash të mrekullueshme, mes tyre koka e Apollonit, dolën nga nëntoka pikërisht gjatë periudhës së gërmimeve 1928-1939. Pranë këtij qyteti klasik filloi të ndërtohej, më 1969, fshati i Ksamilit, me qëllim që t’i shërbente kultivimit të ullinjve dhe agrumeve që filluan të mbilleshin në zonë në vitet 1970.
Më vonë, në përfundim të periudhës së socializmit, Ksamili u shndërrua, hap pas hapi, në zonë turistike. Ekspozita mund të vizitohet të shtunën, më dt. 25 gusht, në Sheshin e Limanit në Sarandë, ora 19:00.
13 STENDA- HISTORI QYTETËRIMESH
Një përmbledhje informative të 13 stendave që me dhjetëra dokumente përmbledhin një histori qytetërimesh të zonës, e ka bërë vetë Sokol Çunga, paleograf pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave që është marrë me përgatitjen e kësaj ekspozite. Për sa më herët, Çunga rendit jo vetëm stendat por edhe përmbajtjen e dokumenteve të paraqitura për të dhënë dy kohë e dy realitete, për të treguar dy histori që janë kaq pranë e kaq larg, pothuaj si dy ideologji në dy epoka të ndryshme.
Butrinti është një qytet helenistiko- romak në jug të Shqipërisë, pranë qytetit të sotshëm të Sarandës. Ka qenë banuar që në periudhën prehistorike, por shkëlqimin e njohu mes shek. IV para K. – III pas K. Në kuadrin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për kërkime arkeologjike në Shqipëri, gërmimet e para në Butrint nisën më 1928 prej Misionit Arkeologjik Italian, drejtuar nga arkeologu Luigi Maria Ugolini.
Data e nënshkrimit të marrëveshjes mes dy shteteve është dhjetori i vitit 1927, kurse Ugolini i kishte filluar gërmimet pothuaj tre vite më herët në Finiq. Lënda dokumentare që na vjen prej viteve ‘20-’30, tregon qartë problemet dhe vështirësitë e kohës. Fillimisht, institucionet e shtetit shqiptar nuk arrijnë të mbledhin dhe të ruajnë materialin arkeologjik të nxjerrë nga gërmimet.
Të ngarkuarit me këtë funksion janë xhandarët, të cilët nuk zotërojnë kapacitetet për të mbikëqyrur gërmimet. Pas kërkesave të njëpasnjëshme të qeverisë shqiptare, Luigi Ugolini përpilon raportin e parë për veprimtarinë arkeologjike të Misionit gjatë viteve 1924-1931 drejtuar Ministrisë së Arsimit. Raporti është shumë i shkurtër, nuk jep të dhëna specifike, nuk shoqërohet me fotografi apo vizatime të objekteve, teksa përqendrohet me hollësi në vështirësitë financiare të Misionit.
Me të drejtë, drejtori i Muzeut dhe Bibliotekës Kombëtare shpreh pakënaqësinë e tij për këtë raport, siç u vu re në hyrje të këtij shkrimi. Më 1932 dërgohet në Butrint arkeologu shqiptar Hasan Ceka, punonjës i Muzeut Kombëtar. Ceka përshkruan hollësisht gërmimet. Ndërkohë, shpreh ankesat e tij për pengesat e nxjerra nga Misioni Arkeologjik Italian, pasi nuk u lejua të inventarizonte objektet e gjetura, as iu treguan të gjitha objektet që zotëronte Misioni.
Për më tepër, Ceka konstaton mungesën e objekteve, duke krahasuar situatën në terren me artikujt e botuar nga Ugolini. Në dy raporte të vitit 1933 Ceka, atëkohë arkeolog i Muzeut Kombëtar, përshkruan gjetet dhe gjendjen e gërmimeve arkeologjike në Butrint. Në një dokument të daktilografuar Ceka përshkruan objektet e gjetura, e në të dytin me shkrim dore përshkruan parregullsitë e punës së Misionit Arkeologjik Italian duke përmendur edhe fjalët që qarkullojnë në zonë se Misioni ka përvetësuar objekte arkeologjike në mënyrë të paligjshme.
“Po ashtu mungojnë edhe dy gurë vorri dhe nji kapitol jonik… Edhe materiali i gjetun në vorre të ndryshme të nekropolit me përjashtim të njij të vetmi mbas mendimit t’em dhe mbas përshkrimit qi ban Ugolini, nuk ash dorëxue i gjithi”- shkruan Ceka, në raport.
“Mundimi me ba nji inventar të përgjithshem të sendeve arkeologjike të gjetuna gjatë gërmimeve të më parëshme dështoi prej kundërshtimit t’Ugolinit i cili i gjente të mjaftueshme shënimet qi paskëshin marrun n’atë kohë xhandarët”. ….
“Mjaftoi me kallximin e dy arkave të vulosuna, qi përmbajtkëshin nja 350 copë vaza të formave të ndryshme të gjetuna në tempullin e Asklepit dhe tjetra fragmente shtatnash e skulpturash të ndryshme. Pohoi dhe se misioni paska gjetun 7-8 monumente vorri, por kqyrja e këtyne mbasi gjindeshin në banesën private të tyne m’u premtua për ma vonë nuk u realizue kurrë”- shkruhet në raportin e Cekës mes të tjerash.
Shton më tej se “flitet për disa sende artistike sot të zhdukuna ndonse njerëz të besueshëm dëshmojnë se i kanë pamun. Ndër të tjerat nji shtat që i nga shkëlqimi i math të merr sytë; siç duket prej fildishi ose kristali”- vëren Ceka.
Në fund të raportit të vitit 1932, ai u shënon se Misioni Arkeologjik Italijan nuk i respekton ligjet dhe zakonet e vendit dhe i detyron punëtorët me punue edhe në ditë të shenjta kombëtare.
Lutjen t’eme me i pushue gërmimet me 28 nanduer nuk e mori parasysh tue pretendue se puntorët duen me punue dhe aji nuk mund t’i ndalojë”.
Një vit më pas, më 1933, Hasan Ceka viziton sërish Butrintin dhe përgatit dy raporte. I pari është një raport që përshkruan gjetjet arkeologjike, duke i shoqëruar me fotografi.
I dyti është një raport i shkruar me dorë, ku renditen të gjitha parregullsitë e punës së Misionit, si dhe përmenden fjalët që qarkullojnë në zonë, se Misioni ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme objekte arkeologjike të gjetura gjatë gërmimeve.
Luigi Ugolini i dërgon Ministrisë së Arsimit një raport të shkurtër në vitin 1932. Shkurtimisht u referohet gërmimeve, teksa trajton gjatë problemet për financimin e gërmimeve. Pavarësisht se në marrëveshje parashikohet ndryshe, me arrogancë Ugolini i kërkon shtetit shqiptar mbështetje financiare, pasi është në dijeni të huas prej 10 milionë frangash të marra nga Italia. Raporti Ugolinit i vitit 1933 duket si një lloj përgjigjeje për raportin e të njëjtit vit të bërë nga Ceka. Hollësitë e dhëna prej L. Ugolinit lidhen me sjelljen e papranueshme të xhandarëve shqiptarë, të cilët i akuzonme emër për vjedhje dhe abuzime.
Luigi Ugolini ndërroi jetë në moshë të re më 1936 duke lënë të pa përfunduara gërmimet në Butrint dhe të pa botuar punën studimore përgatitur për ato gërmime. Misioni Arkeologjik Italian vijoi punën me në krye arkeologun Prof. Pirro Marconi. Në raportin e Marconi-t të vitit 1937 përshkruhet gjetja e kompleksit ndërtimor të banjës termale, shoqëruar me fotografi. Prof. Marconi, në unison me ministrin e Jashtëm të Italisë, Francesco Jacomoni, propozon ndërtimin e një muzeu në Butrint. Kurse Jacomoni shkon një hap më tutje, propozon edhe krijimin e një misioni arkeologjik italo-shqiptar stenda 8]. Me thellimin e Luftës II Botërore asnjë prej këtyre propozimeve nuk u zbatua. Gërmimet në Butrint vazhduan nga shteti shqiptar pas Luftës II. Më 1956, duke parë nevojat e sektorit të arkeologjisë, Këshilli i Ministrave vendos shtimin e buxhetit për gërmimet arkeologjike, çka jep efekt pozitiv, siç duket dhe nga raporti i Institutit të Shkencave në vitin 1956.
Pavarësisht se objektet e zbuluara në Butrint nuk ishin të sistemuara në ndonjë muze, interesi për të vizituar vendbanimin ishte i madh, duke marrë parasysh vështirësitë e komunikacionit. Ushtarakë të lartë italianë apo britanikë mbërrijnë gjatë viteve ’30 në portin e Sarandës me anije të flotës luftarake vetëm për të vizituar Butrintin.
KSAMILI
Pranë Butrintit antik, në një zonë pa ujë dhe pothuaj të zhveshur nga bimësia, filloi të ndërtohej më 1969 një vendbanim i ri, Ksamili. Çunga vëren se qëllimi kryesor i ndërtimit të fshatit të ri ishte mbjellja e agrumeve dhe ullinjve në masivin kodrinor të Ksamilit, për çka dokumentet dëshmojnë. Propozimin për kultivimin e agrumeve dhe ullinjve e miraton vetë Sekretari i Parë i P.P.Sh., Enver Hoxha.
Në Sektorin e Ksamilit, që ishte pjesë e Ndërmarrjes Bujqësore të Lukovës, punëtorët e parë janë 400 ushtarë dhe 400 punëtorë (ndoshta të dënuar), të cilët do të sillen nga Ministria e Punëve të Brendshme. Me largimin e reparteve ushtarake nga Ksamili pak vite më vonë, Ministrisë së Bujqësisë i duhet të përballojë nevojat për krah pune.
Zgjidhja e vetme është ndërtimi i një fshati të ri, në të cilin do të vendosen punëtorët. Këtë projekt të filluar të Ministrisë së Bujqësisë e hedh poshtë menjëherë Komiteti Qendror i P.P.Sh. Nuk jepen arsyet, por nga dokumentet e kohës duket se pushteti qendror ishte shumë i shqetësuar për numrin e të arratisurve që kapërcenin kufirin tokësor me Greqinë. Për të mbuluar nevojat e ndërmarrjes bujqësore për krah pune, organet e Partisë përpiqen të rekrutojnë të rinj që dëshirojnë të shpërngulen përherë në Ksamil.
Një tjetër burim krahu pune janë dhe nxënësit apo studentët që vijnë si vullnetarë për periudha disajavore çdo vit. Kushtet e jetesës, siç duket nga dokumentet, janë të varfra, ka mungesë uji të pijshëm, kurse mjediset e banimit nuk janë të përshtatshme.
Pavarësisht frazave entuziaste propagandistike të dokumenteve, nuk duket se banorët e Ksamilit jetojnë të lumtur e punojnë me qejf. Për të argëtuar banorët e fshatit Ksamil, më 1982 vendoset të ndërtohet Shtëpia e Kulturës.
Duket se për shkak të pozicionit gjeografik të përshtatshëm dhe bukurisë natyrore, institucionet shtetërore vendosin më 1979 të ndërtojnë një pikë turistike në Ksamil. Më shumë se një dekadë më pas, më 1992, Këshilli i Ministrave miraton sheshin e ri të ndërtimit, sipas të cilit duket qartë kthimi i zonës në një qendër turistike elitare, me port jahtesh dhe aeroport turistik. Pavarësisht ofertave të ardhura nga operatorë turistikë të huaj, projekti nuk u zbatua.