Raporti KLSH-së: – Konçesionarët e shëndetësisë janë paguar miliona euro për shërbime të pakryera
Raporti KLSH-së: – Konçesionarët e shëndetësisë janë paguar miliona euro për shërbime të pakryera
9 MARS 2022
Le të shohim se çfarë ndodhi me këto kontrata gjatë viteve të pandemisë 2020-2021. Ato kanë marrë në total 4.8 miliardë lekë ose rreth 40 milionë euro sipas Fondit të Kujdesit Shëndetësor. Pavarësisht emergjencës së shkaktuar nga pandemia, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se kontratat koncesionare të sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë dhe hemodializës do të vijonin funksionimin normalisht. Ndërkohë që koncesioni për kontrollin shëndetësor bazë, i njohur si check-up u pezullua përkohësisht, duke aktivizuar klauzolën kontraktuale të të ashtuquajturës “forcës madhore”.
Por pavarësisht pezullimit të kontratës, në 4-mujorin e parë të 2020-ës, kompanisë koncesionare të kontrollit shëndetësor bazë, ju transferuan 352 milionë lekë nga buxheti i shtetit. Shumë që likujdonte kontrollet e kryera në dy muajt e fundit të 2019-ës.
“Konçesionet i pezulluan por vazhduan ti paguanin edhe gjatë pandemisë” u shpreh Aranita Brahaj, drejtuese Open Data Albania
Ndonëse rastet e diagnostikuara me COVID-19 ishin në rritje, në shtator 2020, Ministria e Shëndetësisë vendosi të riaktivizonte koncesionin e check-up. Edhe pse shërbimi u ofrua për pak ditë, ai nxorri në pah sipas KLSH-së, problematikën e pagesës për shërbime të pakryera ndaj kompanisë koncesionare.
Referuar auditimit, në total nga këto pagesa evidentohen 2127 raste në shumën 3.9 milionë lekë, të cilat janë paguar për shërbim të pakryer. Sipas përllogaritjeve të kryera, pagesat e FSDKSH-së për punë të pakryer nga viti 2015 deri në vitin 2019 ndaj kompanisë në fjalë kapin vlerën 930 milionë lekë ose 7.6 milionë euro.
Ngjashëm me koncesionin e check-up, pagesa për shërbime të pa ofruara konstatohen edhe për koncesionin e hemodializës. Sipas KLSH-së, gjatë vitit 2020 numërohen 3654 seanca dialize të parealizuara, për të cilat kompania është paguar nga fondet publike. Në total, efekti i financimit të shërbimit të pakryer që në vitin 2016 e deri në fund të vitit 2020 vlerësohet në shumën 352 milionë lekë.
“Edhe për dilaizën është e njëjata situatë, janë paguar për 3654 seanca të pakryera” u shpreh Egla Bardhi, drejtuese “Together for Life”.
Gazeta Shqip