RAPORTI / Pa punë, pa edukim, pa besim! Disa shifra dhe përqindje shumë shqetësuese për rininë shqiptare, 30 vjet pas rënies së komunizmit

26 dhjetor 2020

demokracia dhe tregues të tjerë zhvillimorë nuk kanë përparuar për t’u afruar me nivelet e rajonit dhe Europës edhe pas tri dekadash nga rënia e komunizmit.

Për më tepër, përkeqësimi i disa fenomeneve negative si korrupsioni, mungesa e drejtësisë, cilësia e dobët e shërbimeve publike, sidomos në arsim dhe shëndetësi e kanë dëmtuar shpresën për perspektivën në Shqipëri, sidomos te të rinjtë.

Përpos këtyre zhvillimeve, tranzicioni i egër demografik me emigracionin masiv dhe rënien e lindshmërisë, po tkurr me shpejtësi popullsinë e re, 15 deri në 29 vjeç.

Në censin e vitit 1989, të rinjtë në këtë grupmoshë ishin 920 mijë, por që nga kjo kohë, tkurrja është më shumë se 30% deri më 2020. Në projeksionet zyrtare të popullsisë deri në vitin 2031, popullata e të rinjve do të tkurret edhe me 31%, duke mbetur vetëm pak më shumë se 400 mijë.

Me këto zhvillime, shoqëria shqiptare dhe politikëbërësit duhet të marrin me seriozitet trajtimin e të rinjve për faktin se ata do të jenë në minorancë në totalin e popullsisë dhe nga ana tjetër, kanë në dorë zhvillimin e gjithanshëm të vendit.

Përveçse në shifra në tkurrje, të rinjtë shqiptarë raportojnë nivele të dobëta të cilësisë arsimore dhe lidhjeve me tregun e punës, ndërsa gjithnjë e më shumë e shohin emigracionin si qëllimin kryesor të jetës. Ekspertët mendojnë se është një krijuar një psikozë e fryrë e dëshirës për emigracion, teksa Shqipëria është një vend që gjeneron plot mundësi.

60% e rinisë do të emigrojë

Një studim i ekspertëve Gëdeshi dhe King ka identifikuar se, 70% e 20 -vjeçarëve dëshironin të largoheshin nga vendi në vitin 2018. Kjo dëshirë për të lënë vendin është më e lartë tek të rinjtë se te grupmoshat e tjera. Shkaqet lidhen me një seri faktorësh socialë dhe ekonomikë, thotë Gëdeshi. Instituti Shqiptar i Statistikave ka raportuar se vitin e kaluar, 25.5% e të rinjve nga mosha 15 – 24 vjeç nuk ishin as në shkollë dhe as në punë.

Dëshira për të punuar jashtë

Të dhëna të tjera tregojnë se emigrimi i të rinjve ka qenë i lartë gjatë këtyre viteve. Sipas të dhënave të Eurostat, nga viti 2010 deri në vitin 2019 kana aplikuar për azil në vendet e BE-së, 219 mijë shqiptarë, 80% e të cilëve të moshës nën 34 vjeç.

Anketa e madhe e emigracionit, e zhvilluar vitin e kaluar nga INSTAT, gjeti se, gjatë periudhës 2011-2019, ka emigruar jashtë 13% e popullsisë ose mbi 360 mijë persona. Tirana kishte emigrimin më të madh të familjeve, ndërsa Shkodra, Fieri, Durrësi, humbjet më të mëdha të popullsisë. 53% e të ikurve janë me arsim të mesëm ose të lartë. Shumica, të rinj të moshës 20-35 vjeç.

Një e katërta, as punë dhe as në shkollë

Të rinjtë shqiptarë, numri i të cilëve sa vjen e pakësohet, po mbeten pas në zhvillimin e aftësive. Shqipëria paraqet nivelet më të larta në Europë dhe rajon të të rinjve që nuk janë as në shkollë e as në punë.
INSTAT raportoi se 25,5% e të rinjve të grupmoshës 15-24 vjeç, gjatë vitit të kaluar nuk ishin as në punë dhe as në shkollë. Në vendet e tjera të rajonit dhe BE, kjo përqindje është shumë më e ulët.

Përqindja e lartë e të rinjve që as nuk ndjekin shkollën e as punën vë në pikëpyetje zhvillimin e qëndrueshëm e vendit në të ardhmen. Prosperiteti i shteteve sinjalizohet nga cilësia arsimore e të rinjve. “Në doni të dini se cili shtet do të zhvillohet në të ardhmen, shihni se sa të rinjtë e tyre e mësojnë matematikën”, thonë ekspertët e Kombeve të Bashkuara.

Papunësia ndër të rinjtë, më e lartë

Vitet e fundit, papunësia ndër të rinjtë është zbutur, por treguesi qëndron sërish në nivele të larta në krahasim me Europën e zhvilluar. Instituti i Statistikave ka raportuar se shkalla e papunësisë në grupmoshën 15-29 vjeç është 21.4% në tremujorin e tretë të vitit 2020. Ky rezultat është ende i lartë po ta krahasojmë me mesataren globale të papunësisë së të rinjve, ku sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) ishte 13% në vitin 2019.

Në një analizë më të hollësishme për rënien e papunësisë ndër të rinjtë në Shqipëri, ILO analizon se, papunësia po bie më shumë për shkak të tkurrjes së numrit të të rinjve, se sa vendeve të reja të punës që po gjenerohen nga rritja e ekonomisë. Nga njëra anë, Shqipëria po plaket shpejt, duke paraqitur një sfidë serioze për qëndrueshmërinë e sistemeve të mbrojtjes sociale dhe nga ana tjetër, të rinjtë e shohin migracionin si zgjidhje për problemet e tyre ekonomike dhe të anëtarëve të familjes.

Paguhen pak

Grupet e të rinjve, përveçse vuajnë nga normat e larta të papunësisë, edhe ata që punojnë kanë paga të ulëta në raport me pjesën më të vjetër të popullatës që punon. Në një anketë të posaçme për të ardhurat nga puna, INSTAT vërejti se më 2018, të ardhurat nga puna janë më të larta në grupmoshën e të punësuarve mbi 60 vjeç, me rreth 330 lekë për orë pune.

Të ardhurat nga puna janë më të ulëtat në rang ekonomie për të punësuarit me pagë të grupmoshës më pak se 30 vjeç, rreth 261 lekë për orë. Për këtë grupmoshë, diferenca midis të ardhurave nga puna për femrat dhe meshkujt është shumë e ngushtë, të ardhurat mesatare për orë pune për meshkujt janë rreth 263 lekë dhe për femrat, rreth 260 lekë.

Të rinjtë e punësuar përballen me orare të ndryshme pune në varësi të gjinisë dhe të zonave ku ndodhen. Ata pohojnë se punojnë, mesatarisht, 41 orë në javë më 2019, duke shënuar rritje në krahasim me të dhënat e studimit të vitit 2015, kur kjo shifër ishte 38 orë. Të rinjtë e zonave rurale deklarojnë se punojnë, mesatarisht 46 orë në javë, përkundër 39 orëve të punës në zonat urbane.

Shumica, 63% të pakënaqur nga arsimi

Anketa e vitit 2019 më të rinjtë ka gjetur se 63% e mendojnë sistemin e tyre arsimor të papërshtatshëm për faktin se njohuritë e fituara në shkolla nuk kërkohen nga tregu i punës. Sistemi arsimor shqiptar ka lidhje të dobët me tregun e punës. Ndryshe nga shumë vende të botës së zhvilluar ku jetojmë, papunësia në Shqipëri është tipar i njerëzve të shkolluar.

Sipas një studimi të thelluar të INSTAT, mbi tregun e punës në vitin 2019, shihet se pjesa më e madhe e të papunëve janë me arsim të mesëm dhe të lartë, dhe fenomeni është më pak i përhapur tek personat me arsim të ulët. Shkalla e papunësisë është më e lartë për personat me arsim të mesëm (14,4%) ndjekur nga ata me arsim të lartë (12,3%). Gjatë vitit 2019, krahasuar me vitin e mëparshëm, pati një rënie të shkallës së papunësisë për personat me arsim 8-9-vjeçar me 1,2 pikë përqindje dhe personat me arsim të lartë me 1,7 pikë përqindje. Ndërsa për personat me arsim të mesëm, pati një rritje të shkallës së papunësisë me 0,1 pikë përqindje.

Anketa e FES me të rinjtë zbuloi se 63% e tyre mendojnë se sistemi kualifikimit, shkollimit dhe studimeve universitare nuk është i përshtatur me nevojat e tregut aktual të punës. Lidhur me cilësinë e arsimit në Shqipëri, 38% e të rinjve pohojnë se ndihen disi të kënaqur, përkundër 55.5% me të dhënat e studimit të vitit 2015. Vetëm 17% deklarojnë se nuk janë fare të kënaqur, përkundër 11% e të rinjve në Tiranë që shprehen shumë të kënaqur për cilësinë e arsimit.

Gjithashtu, anketat kanë gjetur se ka një rritje të perceptimit ndër të rinj për blerjen me para të provimeve. 54% e të rinjve bien dakord se pagesa për notën apo blerja e provimeve në universitete është një fenomen shumë i përhapur, në krahasim me të dhënat e vitit 2015, kur kjo përqindje ishte 45.7. Ky perceptim është më i lartë veçanërisht në universitete ku 61% e të rinjve të grupmoshës 18–21 vjeç e pohojnë këtë fakt.

Rritet mosbesimi te politika

Vit pas viti, të rinjtë po humbasin besimin te politika, për rrjedhojë ata gjithnjë e më shumë nuk marrin pjesë në votime, duke i hequr vetes dhe vendit mundësinë për ndryshime.

Më shumë se 62% e të rinjve më 2019 pohuan se nuk janë fare të interesuar për politikën. Një e treta e të rinjve thonë se nuk janë aspak të përfaqësuar në politikë dhe 28% e tyre pohojnë se bindjet e tyre politike nuk përputhen aspak me ato të prindërve.

Më shumë se gjysma e të rinjve pëlqejnë një lider, që qeveris me dorë të fortë për të mirën publike dhe 53% e të rinjve pohojnë se opozita politike është e nevojshme për një demokraci të shëndetshme.

Karriera politike për të rinjtë nuk është diçka e lakmueshme. Kur të rinjtë janë pyetur nëse do të kishin dëshirë të merrnin një funksion politik, 52% e tyre u përgjigjën në mënyrë mohuese. Nga ana tjetër, 26% e të rinjve u shprehën se ndoshta mund ta merrnin një funksion të tillë çka pasqyron dilemat rinore në angazhimin politik.

E shpenzojmë kohën e lirë në mënyrë jo produktive

Të rinjtë shqiptarë e kalojnë kohën e lirë në mënyrë joproduktive duke mos zhvilluar aftësitë e tyre fizike dhe mendore. Në vend që të fokusohen te leximi dhe aktivitetet sportive, të rinjtë shqiptarë e harxhojnë kohën e lirë në internet, duke parë filma apo duke mos bërë asgjë.

Anketa e të rinjve e vitit 2019 zbuloi se gjinia është faktori kryesor që përcakton zgjedhjen e aktiviteteve të të rinjve për kohën e lirë: djemtë luajnë videolojëra, dalin më shpesh dhe praktikojnë sporte, ndërkohë që vajzat, më së shumti, lexojnë libra. Të rinjtë shqiptarë harxhojnë çdo ditë mesatarisht, 2.3 orë duke parë televizor, si dhe 3.9 orë online (në internet). Nga ana tjetër thonë se u nevojitet një buxhet mujor prej rreth 105 euro për harxhime të ndryshme, përveç ushqimit dhe shkollës.

Aktivitetet më të zakonshme, që të rinjtë bëjnë shpesh në kohën e lirë, çdo ditë ose disa herë në javë, janë dëgjimi i muzikës, 85% e bëjnë këtë shumë shpesh, dalja me miqtë etj. Gjysma e të rinjve të pyetur e kalojnë shpesh kohën e lirë duke frekuentuar kafene dhe lokale, ndërkohë që 21% e bëjnë këtë me raste. Megjithatë, 15% e të rinjve pohojnë se nuk shkojnë kurrë në kafene dhe lokale në kohën e lirë, kurse 18% prej tyre i frekuenton ato shumë rrallë.

Vetëm një e treta e të rinjve shpenzon rregullisht kohë të lirë duke lexuar libra, 19% e bëjnë këtë vetëm me raste, ndërkohë që gjysma tjetër e tyre lexon shumë rrallë (28%) ose nuk lexon kurrë (22%).

o.j/dita