Re, gurë, ujë – intervistë me antropologun Nebi Bardhoshi

Intervistë 

 12.08.2020

Në vazhdën e studimeve të tij mbi antropologjinë e ligjit dhe antropologjinë politike lidhur kryesisht me çështjen e demokracisë, antropologu Nebi Bardhoshi është marrë së fundmi me kauzën e mbrojtjes së ujit dhe politikave neoliberale në Shqipëri. Në konferencën Horizonte të reja brenda dhe përtej Europës“, organizuar nga Organizata Europiane për Antropologji Sociale gjatë muajit korrik, studiuesi Nebi Bardhoshi ka prezantuar hulumtimin e tij me titull “Mbi antropologjinë e Ujit: Natyra, Kultura dhe Shteti Neoliberal”. Ky studim shkencor adreson një ndër çështjet më të ndjeshme në vend: ndërtimi i mbi 700 hec-ve në lumenjtë e Shqipërisë, të ndërmarra në “kuadër të politikave për sigurimin e energjisë së rinovueshme”, por që janë shoqëruar me rezistenë qytetarë, procese të shumta gjyqësore mes banorëve të fshatrave të prekur, firmave koncencionare dhe institucioneve shtetërore. Për shkak të rëndësisë së madhe të këtij studimi në kohë të tilla kritike, redaksia e Nyjes ka zhvilluar intervistën e mëposhtme me antropologun Nebi Bardhoshin.

Zall-Gjoçaj, tetor 2019

Pyetje: Në krye të studimit tuaj pohoni që politikat koncensionare për hidrocentralet kanë filluar implementimin e tyre në Shqipëri në vitin 1997. Mbi ç’premtime janë hartuar politika të tilla dhe si kanë pësuar transformime ndër vite?

Përgjigje: Fillimisht duhet theksuar një fakt shumë i rëndësishëm. Po të perifrazojmë një titull të Petro Markos, të dhënat mbi HEC-et janë si retë dhe gurët. Në njërën anë janë krejt të pasigurta,  të vagullta, ëndërrimtare, sepse burimet e nxjerra në rrugë shtetërore janë gjithnjë të pasigurta. Pra, gjithnjë ka lëvizje, ka hapësira të jashtëzakonshme për interpretime ligjore dhe kulturore madje. Pse ndodh kjo? Këtu qëndron edhe një nënpyetje e kërkimeve që janë duke u realizuar. Premisa e parë është se këtu kemi të bëjmë me një shtet që prodhon norma, praktika e madje edhe ligje, që kanë si qëllim të tyre jo të mirën publike, por disa interesa thellësisht private. Te termi private duhet bërë një shënim shtesë. Nga një pikëpamje neoliberale, këto interesa private, në të shumtën e rasteve, nuk përkthehen, as në premisa afatshkurtra e as afatgjata, në të mirën publike. Të themi, nëpërmjet taksave, punësimit, rritjes, pasi këtu mungojnë thuajse të gjitha garancitë për kthimin e tyre në të mirë publike. Tani të vijmë te natyra, si “gurë”, e fakteve mbi HEC-et.

Së pari, është fakt, më i fortë se guri, që HEC-et po ndërtohen dhe se ato janë shumë. Ndoshta mbi 714 HEC-e. Së dyti, është fakt se HEC-et janë një burim i jashtëzakonshëm fitimi për sipërmarrësit. Së treti, procedura e ndjekur për dhënien e lejeve, në të shumtën e rasteve dërrmuese, rezulton të bëhet në mënyrë jo-transparente dhe shpesh në mënyrë të kundërligjshme. Së katërti, është fakt, më i fortë se guri, se të ndërtosh me qindra HEC-e, ku, thuajse të gjitha, bazohen në teknikën e ndërprerjes dhe devijimit të rrjedhave natyrore, kemi të bëjmë jo vetëm me një gabim trashanik në sensin e zhvillimit afatgjatë, por kemi të bëjmë me një seri veprash penale, që kulmojnë me ekocid. Ekocidi ende nuk është miratuar si vepër penale në rrafsh ndërkombëtar, por, ndërkohë, ndërtimi i HEC-ve vjen në kundërshtim me legjislacionin për mjedisin në konventat ndërkombëtare dhe legjislacionin kombëtar.

E bëra gjithë këtë parantezë për të dhënë një vështrim mbi sfidat metodologjike dhe etike. Tani të vijmë te datat. Është fakt se nga viti 1997 filloi ideja e koncensioneve. Por, për idenë e HEC-ve, kemi dy kulme që përkojnë me dekadën e fundit. Njëri kulmim përkon me periudhën e qeverisjes së djathtë dhe tjetri me periudhën e qeverisë së majtë, pas vitit 2013. Të dy krahët politikë kanë miratuar licensa për qindra HEC-e. Kjo na dëshmon se, kur partitë vijnë në pushtet nuk sillen ndryshe. Madje as kur kanë premtuar të kundërtën, siç ka ndodhur me partinë socialiste, e cila në fushatën e parë përvetësoi edhe njëfarë diskursi ambientalist.

Pyetje: Të dhënat etnografike mbi të cilat keni mbështetur studimin e Antropologjisë së Ujit bazohen në çështjen e Zall-Gjoçajt dhe përpjekjes së banorëve për të shpëtuar lumin Flim prej më shumë se një viti. Keni marrë pjesë në protestat, mbledhjet dhe në proceset e tyre gjyqësore. Si është përthyer ligji dhe politikat neoliberale në jetët e këtyre banorëve?

Përgjigje: Rasti i Zall-Gjoçajt është sa përfaqësues, aq dhe paradigmatik për çështjen e HEC-ve në kohën tonë. Këtë bindje e kam krijuar gjatë punës kërkimore, që ju e përmendni në pyetje. Më së pari, duket qartë se leja është dhënë në padijeni të banorëve dhe shumë aktorëve të tjerë publikë, që, sipas legjislacionit në fuqi, duhej të kishin dijeni. Kur banorët janë vënë në dijeni, ka qenë rasti i një nënkontrate. Kjo nënkontratë i jep mundësi kompanisë ndërtimin e një HEC-i akoma më abuziv se sa ishte parashikuar vite më parë, pasi hyn diku rreth 2.5 km në brendësi të Parkut Kombëtar Dejë-Lurë. Edhe sikur vetëm peizazhi t’i prishej këtij parku kombëtar do të kishte qenë një argument i mjaftueshëm për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit të kërkonte ndërprerjen e punimeve. Por ka dhe më shumë. Të dhënat flasin se kemi ndryshime të hartës së Parkut Kombëtar me ndërhyrjen e institucioneve shtetërore, që do të thotë se ndryshimi i hartës është bërë pasi është dhënë projekti. Kjo flet për bashkëpunim të qëllimshëm në realizmin e një vepre të paligjshme.

Qendresa e Zall-Gjoçajt bëhet akoma më ftuese kur shikon se si banorët bashkëpunojnë me organizatat mbrojtëse të mjedisit dhe aktivistë socialë e politikë. Një rrjet mbrojtës, sigurisht ende modest, krahasuar me nevojat që kemi për mbrojtje të mjedisit, por, nga ana tjetër, shumë frymëzues. Me këtë aleancë dhe, mbi të gjitha, për shkak të këmbënguljes së disa banorëve, çështja shkon në gjykatë. Siç dihet, Gjykata Administrative e dha vendimin në favor të firmës dhe, do të thosha, edhe në favor të institucioneve shtetërore që kishin lëshuar lejen e ndërtimit të HEC-it. Meqë kam pasur rastin të ndjek thuajse të gjithë procesin dhe kam shqyrtuar dokumentacionin paraqitur në gjykatë, them se as ligji neoliberal nuk është zbatuar. Dhe këtu sërish duhet të ndalojmë pak për të reflektuar. Pra, edhe pse nuk jam një mbrojtës i neoliberalizmave të mbarështuar në Shqipëri e në shumë vende të tjera si yni, prapëseprapë, duket qartë se nuk është duke u zbatuar as legjislacioni në fuqi. Çështja është se, në analizën e halleve tona mbi politikën dhe publiken, nuk duhet të marrim në sy vetëm efektet e neoliberalizmit, por të shohim përtej. Një kombinim në mes asaj që emërtohet si neoliberalizëm me shtetin e dështuar, apo shtetin e instrumentalizuar nga flukse të ndryshme interesi, kanë shkaktuar atë që banorët dhe përkrahësit e tyre e quajnë thjeshtë dhe qartësisht ekocid.

Pyetje: Përkundër pritshmërisë së koncensionarit dhe shtetit për mungesën e rezistencës, edhe pse fshatra pothuaj të braktisur, çdo ndërtim i ri hec-i është paraprirë nga protestat. Çfarë i shtyn këto komunitete të vogla për të kundërshtuar ndërhyrje të tilla ekocidiale?

Përgjigje: Po, është e vërtetë që në të shumtën e rasteve banorët kanë provuar të rezistojnë. Pak prej tyre kanë ndjekur gjithë rrugën që e kanë ndjekur dhe janë duke e ndjekur banorët e Zall-Gjoçajt. Shembulli më publik ka qenë ai i Valbonës, rast i cili ka mobilizuar shumë vëmendjen e mendimit kritik dhe aktivist në Shqipëri, apo akoma më shumë rasti i lumit të vetëm të egër në Europë – Vjosa. Nuk po hyj më tej në histori, por po ndalem te pyetja që keni parashtruar. Banorët e thonë shumë qartë se përse protestojnë. Marrja e ujit nuk është një çështje e dorës së dytë. Kemi fshatra që iu merret jo vetëm uji për vaditje, por edhe uji i pijshëm, si p.sh., në rastin e fshatit Melth. Banorët e dinë se pa ujë nuk ka jetë. Kushdo e di. Kjo nuk është një shprehje metaforike, por është krejt konkrete. Edhe ky është një fakt si guri. Nuk ka nevojë për shumë teori, por vetëm për pak kujtesë. Shikoni të gjithë fshatrat dhe vendbanimet tradicionale që janë buzë një përroi dhe, kush është më fatlum, buzë lumenjve. Etnografikisht, luginat e lumenjve janë luginat më të pasura me jetë kulturore. Por po aq, bile më shumë, luginat e lumenjve janë vende jete për gjallesa, miliona vjet më të hershme se njeriu. Rrjedhat e lumenjve janë rrjedha jete apo jo? Nëse dikush e merr ujin, e kalon nëpër tuba të çeliktë, dhe këtë ujë e kalon në anën tjetër të  malit, ku s’ka qenë asnjëherë; nëse këtë ujë ai që e merr e ka nën komandë dhe e përdor kur t’ia kërkojë tregu i energjisë, çfarë u ndodh banorëve, pronave të tyre, mundësisë për të jetuar ndër ato troje? Sigurisht që pa ujë, as shtëpia, as toka, as pylli, as kullota nuk kanë vlerë. Prandaj ekocidi, që banorët e theksojnë, është term i qëlluar.

Zall-Gjoçaj, Mat, tetor 2019

Pyetje: Ju parashtroni se fshati në të drejtën zakonore ka pasë të drejtën e një prone kolektive të përbashkët, të cilën mund ta përdornin me të drejta të barabarta të gjithë anëtarët e tij. Mirëpo, në rrjedhën e historisë fshati, si entitet ligjor ka humbur shumë terren. Si po e tkurrin dhe më shumë politikat neoliberale të PPP-ve truallin e fshatit dhe të drejtat e banorëve?

Përgjigje: E kam parashtruar si çështje me qëllim që, nëse ka vullnetmirë, në të ardhmen të shikojmë mundësinë e ndryshimit të së drejtës së pronësisë dhe civile në tërësi, kur bëhet fjalë për të mirën absolute publike, që është uji. Nuk besoj se kemi një të mirë publike të natyrës së krahasueshme me ujin, veç ajrit dhe diellit. Qëllimisht nuk po zë në gojë tokën si të mirë publike absolute, sepse ajo nuk ka asnjë vlerë pa këto të mira të tjera. Atëherë, referuar debatit zhvilluar në antropologjinë dhe teorinë ligjore mbi të drejtat mbi ujin, hedh idenë që komunitetet fshatare të kenë mundësinë të mbrohen si palë ligjore në gjykatë, duke iu referuar të drejtave mbi ujin që kanë përdorur ndër shekuj. Përdorimi në shekuj nuk përbën një argument në vetvete në jurisprudencë, pasi ligji, jo gjithmonë ka marrëdhënie të mira me historinë. Por, ka një parim tjetër akoma më të rëndësishëm. Banorët e kanë përdorur ujin para të gjithëve dhe, mbi të gjitha, bazuar në sensin e nevojës bazë për të jetuar, madje për të mbijetuar. Pra, jo të fitimit. Nevoja është e bazuar te mundësia për të ekzistuar, për të siguruar ushqimin për fëmijët, për veten. Kjo e drejtë u është hequr fshatarëve shqiptarë dhe gjithë komuniteteve buzë ujit, me arsyetime apo pa arsyetime ligjore. Në një kuptim më të ngushtë, marrja e ujit cenon drejtpërdrejt të drejtën e pronësisë mbi shtëpinë e tokën, tashmë në pronësi të banorëve. Banorët mund ta ngrenë këtë çështje, pasi marrja e ujit cenon jo thjeshtë vlerën, por shkatërron gjithë kuptimin e vlerës së pronësisë. Pra, së paku, kemi të bëjmë me cenim pronësie dhe, në të shumtën, në shkatërrim të pronës së tjetrit, kur i merret e mira kryesore, siç është uji.

Pyetje: Brenda procesit gjyqësor, por jashtë seancave të tij: gjykatat shqiptare si në kohë normale ashtu dhe të jashtëzakonshme përmbyllin të drejtat e qytetarëve në teknikalitete ligjore, duke i lënë ata jashtë portës së ligjit, në pritje. A është pritja një ndër instrumentet dekurajuese të drejtësisë?

Përgjigje: Nga sa kemi vërejtur në praktikën e rastit të Zall-Gjoçajt, dhe, në tërësi, në sjelljen e institucioneve shtetërore, rezulton se ka një teknikë pushteti që, gjoja për hir të procedurës apo në emër të një procesi të rregullt, aplikon një politikë të orareve dhe formave të pritjeve, apo të moslejimit të pjesëmarrjes në sallë të gjyqit në momentin e fundit. Këto zona i kam quajtur si “hapësira pritjeje”. Këto hapësira pritjeje janë disa syresh. Për shembull banorët ftohen, por nuk lejohen të hynë në sallë. Një element tjetër që ka të bëjë me kohën: seanca gjyqësore bëhet gjithmonë në mëngjes, në orën 08:45. Në parim duket krejt normale, por kur mendon se nga do të vijnë një pjesë e banorëve, del qartë se gjyqësori ka si qëllim ose t’i heqë qafe, pra, të mos i ketë në seancë “për t’u bërë zhurmë”, ose për t’i dekurajuar. Por nga ana proceduriale e gjithë kjo është në rregull. Në rastin e Zall-Gjoçajt kemi edhe një specifikë tjetër, që vjen për shkak të Covid-19. Në bazë të vendimeve qeveritare u vendos ndërprerja e veprimtarisë së organeve të dhënies së drejtësisë. Një gjë e tillë pezullonte mundësinë e banorëve për të shkuar, qoftë dhe simbolikisht, pranë dyerve të gjyqësorit dhe, po ashtu, pamundësonte bërjen e protestave publike. Ndërkohë, njoftimet nga terreni tregonin se punimet për HEC-in vijonin. Ja pra ku jemi në dy sfera të krijuara nga zbatimi dhe moszbatimi i ligjit. Porta e drejtësisë për banorët pezullohet, ndërsa porta e padrejtësisë lejohet e hapur.

Pyetje: Në kushte të tilla kur padrejtësitë na e kanë themeluar përditshmërinë, a pamundësohet antropologjia si qëndrim objektiv dhe a mund të flasim për një antropologji të angazhuar?

Përgjigje: Mendoj se, në tërësi, antropologjia mund të jetë objektive dhe e angazhuar. Jam i vetëdijshëm për kritikën drejtuar antropologjisë, e cila, për hir të ruajtjes së autonomisë së saj si shkencë, anon nga objektiviteti apo te mosangazhimi si qëllim parësor. Sidoqoftë, pasi këtu nuk mund të ndalemi më gjatë, antropologjia social-kulturore, dhe sidomos antropologjia mbi ligjin,  pushtetin, politikën, shtetin, nuk mund ta ketë komoditetin që të jetë e pashqetësuar për ndryshimin, ku në sy të etnografit shpalosen subjekte që s’kanë asnjë të drejtë, apo subjekte të cilave iu cenohen vazhdimisht këto të drejta. Për faktin e thjeshtë se  gjendja njerëzore në të cilën banorët janë duke u përballur është një gjendje e jashtëzakonshme. Edhe për jashtëzakonshmërinë do të ketë shumë debate, sikurse ka pasur. Por, referuar rastit konkret dhe projektit kërkimor në fjalë, banorët na e kanë lehtësuar këtë çështje, pasi ata i kanë vënë një emër gjendjes. Këtë gjendje, këto politika shtetërore mbi HEC-et i kanë quajtur si pushtuese. Pyetja kryesore që vjen në antropologjinë e shtetit që po mundohem të zhvilloj është – a kemi të bëjmë me një shtet që po pushton shoqërinë, apo kemi të bëjmë me një shtet të pushtuar nga partia apo mekanizma të tjerë ekstraligjorë? Kam shumë pyetje të tjera që i nënshtrohen materialit empirik, “gurëve” dhe, po aq, “reve”. Një fakt, si guri, është se shqiptarët vijojnë të jetojnë në sisteme politike që mbjellin padrejtësi, dhe sisteme drejtësie të paafta për të dhënë drejtësi. Kësisoj, nëse kërkojmë të shtrojmë një pyetje mbi gjendjen shpirtërore të shqiptarëve, do të duhet të ndalemi tek ekzistenca e një gjendjeje permanente padrejtësie, më shumë se sa në një analizë të gjendjeve dhe sistemeve ekonomike.

Për ta përmbyllur, të thuash të vërtetën në ditët që po jetojmë, atë të vërtetë që sheh, që përjeton, atë që vjen prej vëmendjes etnografike, është një angazhim jo i vogël, dhe nga ana etike një angazhim që s’mund t’i shmangesh lehtë, dhe e gjithë kjo do të duhej të vinte si një nevojë për t’iu bërë krah së drejtës e nevojës për drejtësi, pasi duket qartë se s’mund të ketë liri pa drejtësi.

Nga: nyje.al