Reagimet në profilin e Beqajt: Maçok lëri pensionet, kthe paratë e PPP-ve
Reagimet në profilin e Beqajt: Maçok lëri pensionet, kthe paratë e PPP-ve
30 prill 2020
Qytetarë të shumtë kanë reaguar në formë rebelimi ndaj propozimit të ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj për të ulur pensionet dhe pagat.
Prej ditësh në opinionin publik mbizotëron debati mbi propozimin e deputetit socialist që shtronte si ide të tijën uljen e pensioneve, por edhe të pagave.
Njerëzit i janë vërsulur me komente Beqajt në profilin personal të tij, Facebook duke i kërkuar që të dorëzojë paratë e koncesioneve të dhëna.
“Si nuk pak turp, si nuk ke pak humanizëm, kërkon të ulësh pensionet e pleqve mor i paturp”. “Keni vjedhur mjaftueshëm, mos guxoni të prekni pensionet, dorëzoni lekët e koncesioneve”, janë disa komentet e njerëzve në faqen personale të ish-ministrit.
Një ditë më parë kryeministri Edi Rama duke iu përgjigjur komente të shumta të ardhura në adresë të tij për këtë propozim deklaroi prerazi se nuk ka prekje të pensioneve.
Kritkët thonë se Rama ashtu si edhe herë të tjera ka testuar opinionin publik mbi një ide të vetën duke përdorur ish-ministrin, një nga njerëzit e tij më të afërt të grupimit Rilindja në PS.
Gropa në buxhet është e thellë dhe qeverisë i duhet të gjejë burime të ardhurash shtesë pasi ka dështuar me reformat në taksa dhe tatime.
Situatën e ka rënduar tërmeti dhe Covid. Por edhe pa këto situata ishte e rëndë vecanërisht nga PPP-të në shuma të jashtëzakonshme, pjesa më e madhe e të cilave pikërisht në sektorin e shëndetësisë, ku sot hasen vështirësitë më të mëdha.
Veç këtyre shumë projekte në infrastrukturën rrugore rezultojnë të mbifaturuara me çmime stratosferike për kilometër.
Sipas raporteve të KLSH abuzimet në buxhetin e shtetit me tenderat dhe prokurimet dy vitet e fundit kapin shifra mbi 1 miliard euro.
Shqipëria duhet të paguajë gjithashtu dhe gjoba të rënda për shkak të populizmit në lidership dhe vendimeve të motivuara prej shout politik të ditës.
Vetëm gjoba “Beketi” kap shifrën e pazakontë të mbi 100 milion euro, dhe llogaritet si gjoba më e rëndë në historinë e shtetit shqiptar që prej krijimit.
Gazeta Dita