Rebelët e Rinasit dhe ankthi i një regjimi
Rebelët e Rinasit dhe ankthi i një regjimi
8 Prill, 2021
Nga Armand Shkullaku
Dështimin e qeverisë për të arritur një marrëveshje, pas gati një viti ankesash nga punonjësit e Albkontroll, gjë që degjeneroi me mbylljen e të vetmit aeroport në vend, Edi Rama e serviri si një grusht shteti të organizuar nga Sali Berisha dhe presidenti i vendit, Ilir Meta. Në vend të negociatave normale, që duhej t’i kishin dhënë zgjidhje me kohë këtij problemi, të gjendur përballë faktit të kryer, kryeministri dhe veglat e tij me radhë, stisën historinë e puçit, të pengmarrjes, të thikave pas shpine dhe u përpoqën të mbulojnë një skandal keqmenaxhimi me forca ushtarake dhe arrestime.
Përtej populizmit që kërkon të nxisë urrejtjen duke afishuar rrogat e larta të një grupi kontrollorësh ajorë dhe përtej komplotit që Berisha dhe Meta paskëshin kurdisur nën hundën e të gjithpushtetshmit kryeministër, një pyetje e thjeshtë mund të bëhet gjithnjë: A do të kishte qenë e evitueshme kjo ngjarje nëse palët do të ishin ulur për të gjetur një kompromis?
Rrëfimi i kontrollores së Rinasit/ Si u ulën rrogat mes tenderave të luksit në Albcontrol
Sigurisht që kjo ka qenë e mundur. Por arroganca nuk është më një simptomë vetëm e liderit, ajo është kthyer në sëmundje e të gjithë piramidës qeverisëse. Kush ngre zërin, ndëshkohet. Kush ka ankesa, përjashtohet. Kush nuk ul kokën, dënohet. Kjo ka ndodhur edhe me një pjesë të punonjësve të Albkontrollit, kur disa prej tyre, megjithë kërkesat e vazhdueshme për bisedime, u pushuan nga puna dhe të tjerët u kërcënuan se do të kishin të njëjtin fat.
Të mësuar me njerëz që nënshtrohen dhe ulin kokën për hir të bukës së përditshme që i madhi kryeministër “u fal”, ky i fundit dhe minstrja e tij u kapën të papërgatitur nga guximi i disa punonjësve të thjeshtë për t’i sfiduar ata. Të habitur dhe të trembur se në këtë vend mund të ketë edhe njerëz të lirë që duan të luftojnë për të drejtat e tyre, Rama dhe shpura e tij sajuan planin e madh ogurzi të një grushti shteti që po kërcënon sigurinë kombëtare, po rrezikon forcat e Natos, po le popullin pa vaksina, të sëmurët pa spitale, të vdekurit pa varre… me qëllimin final destabilizimin e vendit në prag të zgjedhjeve.
Disproporcioni mes një rebelimi të një grushti punonjësish dhe reagimit si në gjendje lufte të qeverisë, është tipik i sjelljes së regjimeve kur dikush guxon t’i sfidojë ato. Regjimet nuk ulen në negociata, nuk pranojnë dialog. Ato njohin bindjen e verbër dhe nënshtrimin nga halli apo nga frika. Gjuha e Edi Ramës, e pabesueshme po ta imagjinoje 10 vite më parë, është shenja tipike e një regjimi që po i afrohet fundi. Historitë me grushte shteti, me presidenta e ish kryeministra që komplotojnë për të rrëzuar rendin demokratik, me armiq të brendshëm dhe aleatë të tyre në Kosovë, nuk janë të panjohura për veshët e shqiptarëve. Të thëna nga Edi Rama, po, janë disi befasuese në pamje të parë.
Por po të shohësh trajektoren e pushtetit të tij, nuk përbën asnjë çudi që ai do të mbërrinte edhe në këtë pikë. Sa më i madh pushteti, aq më i madh ankthi për humbjen e tij. Vetëm një gjendje haluçinante, paranoje dhe deliri, të njohura për liderë të këtij kallëpi, mund të çojë në çmenduri të tilla si grushti i shtetit dhe zbulimi i grupeve armiqësore që duan të rrëzojnë pushtetin e popullit. Duke arritur të shqiptojë diçka të tillë, Edi Rama përfundimisht na bën të fala.
Të gjithë atyre që janë të detyruar të përsërisin apo të mbrojnë lajthitjet e regjimit, por i kanë ende mendtë në kokë, mjafton t’u bësh një pyetje: A do të kishte dështuar ky komplot i madh sikur autoritetet zyrtare të ishin ulur me kohë në tryezë me punonjësit e Albkontrollit? Të merresh me këta të fundit, pa hetuar shkaqet që i çuan në rebelim, do të thotë të refuzosh të kërkosh të vërtetën e plotë. Regjimet i mbulojnë këto të vërteta me balada si ato të grushtit të shtetit. Në fakt janë thjesht disa profesionistë që vepruan si njerëz të lirë. Liria e tyre, e detyroi kryeministrin europian, artist e sportist, të nxjerrë prangat. Vërtet ka prekur fundin.
Nga: TPZ.Al