Refuzoi të kandidonte si deputet i PS-së/. – Edi Rama kërkon përjashtimin e Dritan Lelit nga partia, zbulohet mesazhi për anëtarët e Asamblesë
11 mars 2021
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar përjashtimin nga Partia Socialiste të kreut të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.
Burime për “Panorama.al” bëjnë me dije se kreu i qeverisë u ka nisur një mesazh anëtarëve të Asamblesë së PS-së, ku kërkon përjashtimin e Lelit pas refuzimit që ky i fundit i bëri ftesës për të qene pjesë e listave të kandidatëve të PS në Vlorë.
Rama ka njoftuar anëtarësinë se Dritan Leli nuk do jetë më pjesë e PS dhe nuk do shfaqet me kryeministrin dhe me Damian Gjiknurin në fushatë.
“Dritan Leli nuk është më pjesë e jona. Me mua dhe Damianin nuk do të dalë në fushatë. Nëse ka preferencë për ndonjë kandidat privatisht le ta ndihmojë, por jo me ne”, thuhej në letrën e Edi Ramës, që u lexua në mbledhjen e asamblesë nga Damian Gjiknuri.
Mesohet se sot Rama do mbledhë Asambelen e PS të Vlorës pranë vilave qeveritare.
REFUZIMI I DRITAN LELIT
Pak ditë më parë, duke folur mbi refuzimin e Dritan Lelit për të qenë pjesë e ekipit të kandidatëve për deputetë, Edi Rama tha: “Është e vërtetë që unë i kam propozuar që ai të bëhet pjesë e skuadrës, nuk e ka parë të arsyeshme, është zgjedhja e tij“.
Sjellim në vëmendje që edhe deputeti i Elbasanit Musa Ulqini refuzoi të kandidonte sërish me siglën e PS-së, pasi nuk ishte i kënaqur me vendin në listën e hartuar nga kryeministri.
Së fundmi njoftuan largimin nga PS, edhe Eglantina Gjermeni, Vasilika Hysi, Besnik Bare, Musa Ulqini, Alket Hyseni, Adnor Shameti dhe Sadri Vorpsin.
Gazeta Panorama