Regjistrimi i portaleve, OSBE letër Ramës: Mund të sjellë efekt shumë negativ në lirinë e medias. –
Regjistrimi i portaleve, OSBE letër Ramës: Mund të sjellë efekt shumë negativ në lirinë e medias. –
– Kriteret mbi bazën e të cilave janë përzgjedhur këto 44 faqe (portale) interneti“!?
Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias Harlem Désir shprehet se ky vendim mund të ketë efekt negativ në lirinë e medias.
Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir
OSBE ka reaguar pas ultimatumit të AKEP për portalet që të regjistrohen brenda 72 orëve, pasi në të kundërt do të mbyllen. Urdhri i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare vjen në kuadër të nismës së qeverisë për paketën antishpifje, por nuk është pritur aspak mirë nga OSBE, që shprehet e shqetësuar më këtë lëvizje. Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias Harlem Désir në një letër drejtuar kryeministrit Edi Rama, shprehet se ky vendim mund të ketë efekt negativ në lirinë e medias.
“Shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias. Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online”, deklaroi Désir. Përfaqësuesi u bëri thirrje autoriteteve shqiptare t’i rishikojnë këto masa, të shqyrtojnë të gjitha alternativat e mundshme për trajtimin e çështjes së shpifjes dhe të fillojnë një debat gjithëpërfshirës me aktorët relevantë të shoqërisë civile dhe medias.
“Është tejet e rëndësishme që të sigurohet më shumë informacion rreth objektivave të saktë të masave të shpallura, si edhe për kriteret mbi bazën e të cilave janë përzgjedhur këto 44 faqe interneti“, shtoi Désir. Më tej, ai kërkoi sqarime për bazën ligjore të kërkesës për publikimin e NIPT-it nga ana e këtyre faqeve interneti, si edhe për bazën ligjore për mbylljen e faqeve të internetit.
Në letrën drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për këtë çështje, përfaqësuesi ofron edhe asistencën e tij ligjore. Sipas njoftimit të OSBE, Désir solli në vëmendje rekomandimet e Zyrës së tij për mbrojtjen e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes në rregullimin e përmbajtjes online në Evropën Juglindore, duke theksuar se çdo rregullim i përmbajtjes online duhet të mbajë parasysh detyrimet ndërkombëtare, përfshirë angazhimet në kuadrin e OSBE-së.
Paketa anti shpifje e inicuar nga kryeministri Rama nis me legalizimin e portaleve. Kryeministri i cilëson si ‘fantazma’ pa adresë dhe pa emër, portalet e paregjistruara në Qendrën Kombëtare të Bizneseve. Të hënën AKEP, Autoriteti i Komunikimive Elektroniko-Postare publikoi një listë me portalet e paregjistruara dhe la afat 72 orë që të publikojnë numrin e Nipt-it në faqen e tyre online, pasi në të kundërt do të bëhet mbyllja e cdo portali të paregjistruar.
AKEP u ka kërkuar të gjitha mediave online të regjistrohen tek Qendra Kombëtare e Biznesit si cdo aktivitet tjetër që ka të ardhura dhe ka për detyrë të paguajë sigurime shoqërore të gazetarëve. Shumë media online janë pajisur me Nipt dhe shume të tjera janë duke pajisur sipas legjislacionit