Rekord historik, deficiti tregtar arrin në 5,2 mld euro
17 Janar 2025
Shqipërisë ju deshën gati tre dekada të ngrinte sektorin e prodhimit dhe markën “Made in Albania” për tregjet e Europës, por kursi i këmbimit dhe disa faktorë bashkëshoqërues si rritja e kostove te brendshme dhe rënia e kërkesës nga jashtë kanë rrënuar në për vite atë që u ngrit me mund për shumë vite.
Të dhënat zyrtare nga tregtia e jashtme tregojnë se deficiti tregtar i vendit arriti në 521,7 miliardë lekë ose 5,2 miliardë euro në 2024, duke shënuar një rekord historik që kur mbahen të dhënat zyrtare duke përfshirë vitet e tranzicionit, por edhe para kësaj periudhe. Ky përkeqësim në vitin 2024 ndodhi për shkak të rënies së fortë të eksporteve me rreth 15 për qind në krahasim me vitin 2023, teksa nga ana tjetër importet u rriten me tej me 2.5 për qind.
Vitin e kaluar ekonomia shqiptare nxori jashtë vendit 21,7 miliardë lekë (210 milionë euro) më shumë për importin e mallrave se me 2023, ndërsa te ardhurat nga eksportet pësuan rënie -67,7 miliardë lekë (670 milionë euro). Deficiti tregtar u thellua me tej -89 miliardë lekë ose 890 milionë euro në 2024.
Zgjerimi i deficitit tregtar përkeqësoi raportin e mbulimit të eksporteve me importe. Në vitin 2023 importet ishin 2.4 herë më të larta se eksportet nga 2 herë që ishte me 2023. Raportet e mbulimit u kthyen edhe një herë si para vitit 2012. Sektori i prodhimit, veçanërisht industria përpunuese, po tkurret me shpejtësi nga disa faktorë që po e bëjnë rënien të qëndrueshme.
Në tremujorin e tretë 2024, industria u reduktua me 48.2% sipas te dhënave nga PBB. Faktorët e rënies nuk janë sezonale dhe tashme fabrikat po mbyllen dhe po ristrukturohen në sektorëve të tjerë. Kjo situatë po sjell pasoja zinxhir që nga punësimi, pagat, eksporti dhe në afatgjatë do të zgjerojë ndikimin negativ që nga cilësia arsimore, të ardhurat buxhetore, varësia nga importi dhe kostot në ekonomi, sipas bizneseve dhe ekspertëve të fushës.
Më në vështirësi janë fabrikat e këpucëve pasi kriza pas luftës në Ukrainë bëri që konsumi në këto produkte të shënojë rënie. Të gjendur pa mbështetje me politika dhe fonde fabrikat janë duke gjetur mënyra për tu përshtatur me krizën që ka krijuar rënia e euros dhe rritja e pagave. Kalimi në import, reduktimi i aktivitetit, ikja në sektorë të tjerë, mbyllja e ciklit, prodhimi me vlerë të lartë, zhvendosja nga eksporti në tregun vendas dhe investimet në teknologji janë disa nga mënyrat e reja që prodhuesit kanë gjetur për të mbijetuar Në dy vitet e fundit prodhuesit shqiptarë po kalojnë periudhën më të vështirë të dekadës së fundit, ku përzierja e shumë faktorëve me ndikim negativ e ka bërë të paqartë perspektivën./ Monitor