Remdesivir, ilaçi i fortë që u përdor nga Trump e Berlusconi dhe po shëron të sëmurët rëndë me Covid-19. – A do nisë përdorimi edhe në Shqipëri?
Remdesivir, ilaçi i fortë që u përdor nga Trump e Berlusconi dhe po shëron të sëmurët rëndë me Covid-19. – A do nisë përdorimi edhe në Shqipëri?
10 tetor 2020
Në një raport të botuar në 8 tetor në New England Journal of Medicine, studiuesit konfirmuan përfitimet e Remdesivir për trajtimin e të shtruarve në spital me COVID-19.
Ky ilaç antiviral, ka autorizimin e përdorimit emergjent (EUA) nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së (FDA) për trajtimin e kujtdo të shtruar për shkak të kësaj sëmundjeje. Ky autorizim do të thotë se mjekët mund ta këshillojnë medikamentin intravenoz (IV) për njerëzit që janë të infektuar me SARS-CoV-2 dhe janë në gjendje të rënduar.
Teksa ilaçi ishte autorizuar fillimisht vetëm për ata që kishin nevojë për oksigjen shtesë ose ventilator për të marrë frymë, një EUA e zgjeruar nga FDA në fund të gushtit pasqyron besimin në rritje mes mjekëve që trajtimi i njerëzve, të cilët nuk janë dhe aq të sëmurë mund të sigurojë edhe më shumë përfitime – për këtë arsye, tani në mjekim përfshihen dhe persona me shenja të infeksionit të frymëmarrjes por që nuk kanë ende nevojë për oksigjen shtesë apo ndihmën e një respiratori.
Remdesivir vepron duke penguar aftësinë e virusit për të bërë më shumë kopje të vetvetes, dhe në testime, ka ndihmuar si pacientët me fazë të hershme COVID-19 ashtu edhe ata me simptoma më të avansuara. Në raportin e fundit, studiuesit e udhëhequr nga një ekip i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, përcjellin të dhënat përfundimtare të studimit që nisën fillimisht në muajin maj.
Në analizën finale, e cila përfshiu 1,062 persona të përcaktuar rastësisht për të marrë Remdesivir IV ose një placebo për deri në 10 ditë teksa ishin në spital, studiuesit ofrojnë informacione më të hollësishme se si ilaçi ndikoi tek metrika, duke përfshirë këtu edhe sa kohë u duhej dhënë njerëzve oksigjen plotësues ose vendosja në respirator. Të gjithë pjesëmarrësit kishin shenja të infeksionit të frymëmarrjes, kryesisht pneumoni, dhe 85% konsiderohej se ishin të sëmurë rëndë që do të thoshte se ata kishin të paktën një nga tre simptomat: nivelet e oksigjenit në gjak ishin nën 94%; kërkonin oksigjen shtesë ose u duhej një respirator për të marrë frymë.
Midis të gjithë pjesëmarrësve – si të sëmurët më rëndë me COVID-19 të rëndë, ashtu edhe ata me simptoma më të lehta – personat të cilëve iu administrua Remdesivir ishin në gjendje të dilnin nga spitali mesatarisht pesë ditë më shpejt sesa ata që merrnin trajtimin me placebo. “Këto të dhëna përforcojnë vlerën e Remdesivirit te pacientët e shtruar në spital”, thotë doctor John Beigel, drejtor i asociuar i kërkimit klinik në njësiën e mikrobiologjisë dhe sëmundjeve infektive në NIAID.
Ndërsa studimi paraprak ofroi të dhëna për vdekshmërinë pas 15 ditësh, studimi i plotë ndoqi pjesëmarrësit në studim për 28 ditë dhe zbuloi se mes atyre që morën Remdesivir, vdiqën 11% krahasuar me 15% në mesin e grupit placebo. Ndërsa ky nuk është një ndryshim i rëndësishëm statistikisht (studimi nuk ishte aq i madh sa të përfshinte njëshkallë të gjerrë njerëzish), ai konsiderohet sërish “një përmirësim i rëndësishëm”, sipas Beigel.
Ai vëren se nivelet e vdekshmërisë, të marra së bashku me matjet e tjera, duke përfshirë faktin që përdoruesit e Remdesivir kaluan më pak kohë në oksigjen dhe më pak ditë në spital, mbështesin përfitimet e përgjithshme të ilaçit.
Përveç kësaj, vë në dukje Beigel, ilaçi dukej se ndihmonte jo vetëm ata njerëz që kishin simptoma për më shumë se 10 ditë, por edhe atyre të cilëve u ishin shfaqur simptoma për më pak se 10 ditë. Kjo është përpjekja më e rëndësishme e sutdiuesve për të parë më konkretisht sesi ndikon ilaçi tek pacientët që janë në fazat e hershme të COVID-19. Këto teste po eksplorojnë nëse Remdesivir mund të zvogëlojë përparimin e COVID-19 edhe tek individët që nuk janë shtruar në spital dhe potencialisht i mban ata të mos sëmuren aq sa të kenë nevojë për shtrim në spital.
“Të dish se si funksionojnë infeksionet virale të frymëmarrjes dhe si funksionon ky ilaç, të ndihmon shumë”, thotë Beigel. “Nuk ka asnjë arsye për të menduar se nuk do të funksiononte për pacientët; por duhen bërë studime”, shton ai. Sfida e vetme tani për tani është që Remdesivir është një ilaç IV, dhe logjistika e menaxhimit të injeksioneve IV për njerëzit që nuk janë të shtruar në spital mund të kufizojë përdorimin e tij. Por prodhuesi i ilaçit, Gilead, thotë se po teston edhe një version të ilacit që mund të merret me të thithur, cka do të ishte më e lehtë për pacientët.
Po në Shqipëri?
Komisioni Europian firmosi para pak ditësh një kontratë prokurimi të përbashkët me kompaninë farmaceutike Gilead, për furnizimin me 500 mijë doza Remdesivir.
Nga kjo marrëveshje do të përfitojë edhe Shqipëria.
o.j/dita