Rëndohet bilanci i viktimave në 2 spitalet COVID, 5 humbje jete deri në mesditë
Rëndohet bilanci i viktimave në 2 spitalet COVID, 5 humbje jete deri në mesditë
– 27.12.21
Sot rëndohet bilanci i viktimave në dy spitalet COVID në Tiranë. Prej mëngjesit e deri në mesditën e ditës së hënë raportohen jo-zyrtarisht 5 humbje jete në një kohë që dy spitalet së bashku nuk e kalojnë shifrën 120 shtrime.
Sipas mjekëve vdekshmëria e lartë lidhet me ardhjen me vonesë në spital pasi të sëmurët janë vetëkuruar në shtëpi me kura të lëshuara nga mjeku i familjes apo mjekë të tjerë për një periudhë 2 javore.Të njëjtat burime konfirmojnë se pacientët vijnë në spitale vetëm kur sëmundja e Covid 19 ka hyrë në pikën më kritike, faza e 4-t me 70-100% të mushkërisë së prekur.Në mesin e të shtruarve rëndë janë edhe disa mosha të reja, 19, 23, 32 dhe 36 vjeç.Nga ana tjetër urgjencat dhe shtrimet ditore vijojnë një rënie të lehtë. Mesatarja në ditët e javës ka rënë nga 15 në 12 urgjenca ditore ndërsa në fundjavë shtrimet bien në 10 pacientë në 24 orë.Rënia me rreth 20% e shtrimeve ditore ka çuar në uljen e ngarkesës spitalore ku prej disa javësh shtrimet kanë rënë në shifrat 120-130 nga 150-160 që numëroheshin në fillim të dhjetorit.
Gjatë monitorimit në terren grupi i xhirimit të News24 ka konstatuar një numër të konsiderueshëm transferimesh nga spitali COVID 1 drejt spitalit COVID 3 çka i paraprin mbylljes së spitalit infektiv COVID 1 dhe nisjes së rikonstruksionit të plotë godinës gjysmë shekullore në fillim të muajit janar.
Sipas planit të qeverisë pacientët e spitalet COVID 1 do të transferohen në spitalin COVID 3 dhe nëse numrat shtohen në fillim të janarit 2022 planifikohet edhe rihapja e spitalit COVID 4 në autostradën Tiranë – Durrës.Ndërkohë urgjenca dhe imazheria e COVID 1, prej janarit do transferohet në ambientet e urgjencës qendrore të sëmundjeve të brendshme pasi kjo e fundit do të spostohet për një afat të pacaktuar 5 ditë në javë tek urgjenca e traumës dhe dy ditët e tjera të javës të premte dhe të shtunë tek urgjenca e sanatoriumit.
Nga Ministria e Shëndetësisë nuk është dhënë asnjë shpjegim se përse është vendosur nisja e rikonstruksionit të infektivit në mes të pandemisë dhe se vetë kryeministri Edi Rama kishte premtuar ndërtimin e një spitali të ri infektiv në vendin ku ngrihet sot struktura e vjetër e amortizuar mbi 50-vjeçare.
Po ashtu nuk ka një shpjegim bindës nga ministria e linjës për funksionimin e urgjencës së sëmundjeve të brendshme qe do t’i mbivendoset urgjencës së mbingarkuar të traumës dhe sanatoriumit.
Gazeta Shqiptare