Reporterët pa Kufi: Rama ka koncept të gabuar për demokracinë. –
Reporterët pa Kufi: Rama ka koncept të gabuar për demokracinë. –
29 qershor 2019
“Reporterët pa Kufi” dënon sjelljen e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ndaj gazetarit të “BILD”.
Christian Mihr, drejtori i seksionit gjerman te organizatës “Reporterë pa kufi”
“Kryeministri shqiptar Edi Rama ka një koncept të çuditshëm për demokracinë dhe të drejtat e njeriut”, është shprehur drejtori i degës gjermane të organizatës “Reporterët pa Kufi”, Christian Mihr”, sipas një artikulli të publikuar në faqen e internetit të kësaj organizate. “Është detyrë e medias, mes tjerash, që t’u kërkojë llogari pushtetarëve. Kjo është pikërisht ajo që ka bërë gazeta BILD dhe ajo i ka mbështetur hulumtimet e saj në burime. Këto janë gurët e themelit të një shtypi të lirë, të cilin e kemi ankoruar në vlerat e komunitetit tonë në Bashkimin Evropian. Një shtet që dëshiron të bëhet pjesë e atij komuniteti duhet t’i respektojë këto vlera “, ka thënë Mihr.
Gazeta gjermane BILD pat publikuar më 5 qershor një artikull në internet, i cili akuzon kreun e qeverisë shqiptare se ka përdorur paratë e mafies për të blerë vota gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. BILD e ilustronte këtë akuzë me përgjimet telefonike ku dëgjoheshin perfaqësues të partisë qeverisëse që komunikonin me pjesëtarë të krimit të organizuar. Sipas BILD përgjimet janë të vërteta. Ndërkohë vërtetësinë e këtyre përgjimeve e ka konfirmuar edh Prokuroria e krimeve të rënda.
Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, i hedh poshtë këto akuza dhe nëpërmjet një mesazhi në Twitter e ka kërcënuar me paditje gazetarin gjerman. Rama ka bërë të ditur nëpërmjet Twitter-it se ka ngarkuar me këtë detyre avokatin e njohur gjerman, Matthias Prinz.
Gazeta Panorama