Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë përmbytje në Kosovë
21 Janar 2023
Reshjet e shiut kanë shkaktuar një situatë problematike në Kosovë përgjatë orëve të fundit duke shkaktuar përmbytje në disa zona. Ministria e Brendshme ka njoftuar se aktualisht situata është e stabilizuar pas ndërprerjes së reshjeve të shiut gjë që ka sjellë edhe rënie të nivelit të ujit.
Aktualisht qendra operative emergjente mbetet e angazhuar për të siguruar rrugët kryesore dhe alternative që të jenë të qarkullueshme për lëvizjen e automjeteve.
“Institucionet relevante kanë intervenuar në dy lokacione në Komunën e Skenderajt, në 4 lokacione në Mitrovicë, si dhe janë siguruar cisterna për ujë të pijes në këto dy komuna sipas kërkesave. Në Komunën e Klinës, në disa lokacione ka filluar intervenimi me pompa për largimin e ujit dhe varësisht nga kërkesat do të vazhdojë edhe në zonat tjera të kësaj komune”.
Ju apelojmë për kujdes të shtuar dhe në rast nevoje komunikim me institucionet relevante përmes numrave emergjent: 112, 192, 193 dhe 194”, përfundon komunikata.